Shaban Arusha nga portat në qytetin e Pejës

20953691_1668486153190311_4019929391314770415_n.jpg

Nuk besoj të ketë fëmijë të lindur ose të rritur në Pejë përgjatë viteve 1960 – 1990 që në familjet e tyre, së paku një herë, të mos jetë përmendur emri i Shaban Arushës. Sikurse çdo qytet që ka legjendat e veta urbane, edhe Peja e ka pasur Shaban Arushën, Sadri Letrën dhe me gjasë ende Ramizin. Këta dy të fundit i mbaj mirë në mend. Si pjese e gjeneratës së fillimvitit ’90, Shaban Arusha ishte nofkë si për të mirë ashtu dhe për të keq, karakteristikë e zakonshme për personazhe të tilla, besoj. Kryekreje krahasimi me Shabanin ishte thirrje për më shumë pedanteri, sidomos pas orëve të gjata në rrugë, ku pasonte shpesh një “Je bo si Shaban Arusha!” Ose, si atëherë kur pretendonim se po ndihmonim rreth punëve të shtëpisë, me njëfarë krenarie të çuditshme shpëtonte një “O Shaban Arusha bre!” Shabani, siç thuhet dhe duket, ka qenë njeri i varfër që bukën e gojës e ka fituar me gomarin dhe karrocën e tij. Thuhet se ishte punëtor i palodhëshëm dhe se nuk ka familje në Pejë (dhe rrethinë) që nuk është shërbyer nga ai. Legjendat me të dhe gomarin e tij janë epike dhe nuk kanë fund.

Continue reading

Advertisements

Carlos Fuentes: Roboti i shenjtëruar

carlos2

 

Cili është i pari? Emri apo sendi?
Platoni, “Kratili”.

Edhe një herë tjetër, Adami dhe Eva qenë përsëri fajtorët. Hierarkia e tyre si Prindërit e Parë u dha një vend të privilegjuar në Qiell, por edhe një pumundësi për t’u fshehur: që në termat politike moderne quhet “një profil i lartë”. Por shpallja “Babai i Parë” dhe “Nëna e Parë” nuk është aq e lehtë, as në Qiell e as në Tokë. Statusi I tyre si megayje i mërziti më në fund Adamin dhe Evën. 

-Do të ishte më mirë, po të kishim qenë në ferer, – i tha Eva Adamit, ndërkohë që të dy po mikprisnin një varg të pambarimtë të të sapoardhurve në Jetën e Amshuar, të cilët me stilograf në dorë prisnin qetësisht radhën për të marrë autografe nga Prindërit e Parë. – Kjo, e cila këtu duket si një privilegj, atje poshtë do të shihej si një ndëshkim.

Brinja e Adamit e hoqi për një çast vështrimin nga libri hirmadh i autografeve (faqe lilake të trazuara me ngjyrë qielli) dhe këqyri radhën që shtrihej për së gjati e për së gjeri kohës dhe hapësirës. Gruaja e mençur atëherë kuptoi se hapësira ishte e pakufi, ndërsa koha, megjithëse në përjetësi, ishte e kufizuar. Ajo dhe i shoqi ishin viktima të të dyjave.

Të martuarit e parë u konsultuan midis tyre. Po t’ia çonin ankesën e tyre të Gjithëpushtetshmit dhe t’i kërkonin privilegjin e anonimitetit në vend të famës, do të ishte përçapje e dështuar. Adami dhe Eva nuk ishin vetëm joshja kryesore turistike, për ta thënë kështu, e Paradiso Package Tour, që aq shumë të ardhura i sillte Vatikanit atje në Tokë, por, veç kësaj, prania e Adamit dhe Evës në Qiell ishte prova e pamohueshme e mëshirës së pakufishme hyjnore: në qoftë se Zoti fal Adamin dhe Evën, do të të falë edhe ty dhe, në fund, siç argumentoi një ditë llafazani Origjen, do të falë edhe vetë Djallin sepse ndryshe Zoti nuk do të ishte Zot. Por, sofistit të përndjekur Origjen i kushtuan shtrenjtë herezitë e veta.

Continue reading

Fernando Pessoa: Këtu rrihet në paqe

poezi-fernando-pessoa.jpg

Këtu rrihet në paqe,
larg botës dhe jetës,
të kënaqun që nuk ka kalue,
edhe e radhmja që shpërmendet.
Këtu rrihet në paqe.

I kishte lëvizjet e pafajshme,
i qedhnin sytë në fund.
Por gjarpij të padukshëm
e banin të kësaj bote.
I kishte lëvizjete pafajshme.

Këtu krejt asht paqe e det.
Si prej s’largu shikimi hupë
në vetminë që e ban
hije blunë kur asht e blertë.
Këtu krejt asht paqe e det.

Po, kishte mujtë me qenë…
Por as vullneti, as arsyeja
s’e kanë çue botën
në gëzim a zgjidhje.
Po, kishte mujtë me qenë…

Tash nuk harroj e andrroj.
Mbylli sytë, ndigjoj detin
dhe tue ndigjue mirë, imagjinoj
se shoh blunë tue blerue.
Tash nuk harroj e andrroj.

S’ka qenë me qëllim, jo.
Lëvizjet e veta të pafajshme
preknin zemrën
si gjarpij të padukshëm.
S’ka qenë me qëllim, jo.

Flej, i pagjumë e i vetmuem.
Çka ka qenë jeta ime?
Krahë të nji mullini të kotë:
nji lëvizje pa luftë…
Flej, i pagjumë e i vetmuem.

Asgja s’e shpjegon as ngushëllon.
Gjithçka asht e sigurt mbrapa.
Por dhimbjen që na shkatërron,
vuejtjen që s’jemi dy:
asgja s’e shpjegon as ngushëllon.

 

Shkëputur nga: Fernando Pessoa, “Poezi”. Fq. 113. Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2016.
Përktheu: Lisandri Kola.

 

Rings a bell? Bruno dhe Paula Abdul

bruno_3_l

Rings a bell?

Abe Lincolni e kishte përkufizuar hipokritin si një njeri që vret të dy prindërit dhe pastaj kërkon mëshirë sepse është jetim. Shpesh hasim në cilësime të sojit, patriotë/tradhetarë, humanistë/zhvatës, feministë/mizogjen, marksistë/liberal, etj. Madje, shumë ma shpesh, cilësuesit e harrojnë veten kur marrin përsipër diçka që nuk e perkufizon assesi.

Bruno, personazhi i Sacha Baron Cohen, përmes një interviste me ish gjyqtaren e American Idol, Paula Abdul, e sipërfaqëson në mënyrë të përsosur hipokrizinë e disa individëve (dhe të saj) që marrin mbi supe kauza e përgjegjësi të cilat nuk mund t’i kapërthejnë, as nuk i dinë e lërë më t’i besojnë. Bruno, hapësirën e intervistës e mobilon me njerëz (meksikanë) në mungesë të karrigeve. Me të filluar intervista, Paula Abdul ulet mbi njërin meksikan që në formë të katërkëmbëshit, i bëhet karrige. Paula, përkundër momentit të sikletshëm dhe duke e ditur mirë që ajo është e rëndësishme vetëm si paraqitje, pasi pyetet nga Bruno, fillon të flasë për humanizmin, ironikisht mbi shpinën e një njeriu.

Bruno: Na trego për punët tuaja humanitare? Sa e rëndësishme është të ndihmoni tjerët?
Paula Abdul: Ndihma e njerëzve është pjesë vitale e imja. Është sikur ajri që përthith dhe uji që pi.

Lang Leav: Anës detit

langleav
Thonë se ata që jetojnë afër oqeanit janë duke pritur për diçka. Dikush veçse ka vendosur shumë kohë më parë kur i vendosi anës detit. Për ta jetuar secilin moment nën dritën e yjeve.

I bie përmes ditëve të kalendarit ndonëse më duken të parëndësishme. Sa hap e mbyllë sytë, një orë mund të shtrihet në vite. Dhe mendoj se dashuria më ka harruar. Gjërsa jam ngujuar diku mes ujit dhe qiellit, sikurse hëna, me batica dhe zbatica, duke ruajtur valët.

Shkëputur nga: Lang Leav, “Sea of Strangers”. Fq. 27.