Heshtja përballë “turbolibrave”

Nektar Zogjani & Valton M. 05.02.2013

“Parajsën gjithmonë e kam paramenduar si një lloj biblioteke.” Jorge Luis Borges

Mungesa e konsiderueshme e librave nëpër vitrinat e librarive në vend, kohëve të fundit po vjen duke u lehtësuar me publikimet e shpeshta, që së paku për aspektin sasior nuk lënë shumë hapësirë për tu ankuar. Sikur sasia të zëvendësohej me cilësinë, nuk do mend se sa të shfrytëzueshme këto libra do të ishin; lexuesi në përgjithësi e studenti në veçanti do të kishte atë çfarë më së shumti i nevojitet. Besojmë se tani më lexuesi vetëm se e ka të qartë në mendjen e tij se për çfarë libra po bëjmë fjale, të tillë si ai libri i gjeneralit të luftës kushtuar këngëtarit te folklorit, Ilir Shaqirit. Në vend se të ishte duke shkruar ndonjë libër mbi taktikat dhe strategjitë ushtarake, gjenerali vendos që të shkruaj për një këngëtar (aftësitë muzikore të të cilit nuk po i vëmë në dyshim) vetëm sa për të qenë në trendin që e pasqyruam më lartë – në trendin e “turbolibrave”.

Nuk do të quhej trend, dhe kjo dukuri as nuk do të ishte shqetësuese nëse këto raste do të binin në hije nga libra që kanë zgjuar kureshtjen e publikut, ose që kanë qenë përfituese për studentët. Dhe kur jemi te studentët, duhet rikujtuar edhe një herë, edhe shumë herë, se në mungesë të hulumtimeve të dobishme, dhe po ashtu në mungesë të përkthimeve të librave, ata ende mësojnë nga skriptat! Nuk duhet të jesh ndonjë ekspert i fushës së publikimeve për të vërejtur se gjendja është shqetësuese. Vetë fakti se studentët ende mësojnë nga skriptat, dhe po ashtu fakti se publiku i gjerë lexon pak, janë tregues të qartë që e vërtetojnë një gjë të tillë.

Përderisa në Tiranë dalin libra që kënaqin kureshtjen e publikut, siç janë librat e fundit nga Helena Kadare, Ben Blushi, Artan Fuga, Edi Rama e të tjerë, në Prishtinë ende librat dhe filmat trajtojnë tema kryesisht historike, dhe që kryesisht lidhen me luftën në Kosovë dhe shpërbërjen e Jugosllavisë. Rasti më konkret dhe mjaft interesant është Jakup Krasniqi, i cili në dhjetë vitet e fundit ka publikuar hiç më pak se dhjetë libra me këtë tematikë. Dhe në këtë valle hyjnë edhe shumë politikanë të tjerë, të cilët shkruajnë vetëm për hir të të shkruarit, dhe në disa raste vetëm sa për të doktoruar!

Por si të kontribuohet të ndalet ky trend? Si të shpëtohet parajsa e Borgesit? Këtu na hynë në punë intelektualë të dëshmuar, akademikë, dhe publicistë. Të kritikuar jo rrallë nga njerëz të ndryshëm se këta po heshtin përballë zhvillimeve të ndryshme në vend, këta intelektualë i shohim shumë rrallë të kritikojnë publikisht libra që dalin në treg. Do të ishte e rrugës që këtyre njerëzve te ju jepet hapësirë më e madhe mediale përmes emisioneve të ndryshme, për të vlerësuar këto libra. Duke dhënë vlerësimet e tyre është shumë e pritshme që në të ardhmen publiku do të kursehet nga libra monoton. Nuk mund të krijosh identitet intelektuali duke zgjedhur rrugën e shkrimit sa për sy e faqe. Po ashtu, nga kritika profesionale nuk ka hatermbetje.

Privatizimi krizësjellës

26.10.2012

Privatizimit të egër që ka ndodhur në shtetet e Evropës (Greqi e Itali) do të t’ju bashkohet edhe vuajtja e punëtorëve ashtu të pakët kosovar, që shumë shpejt do të detyrohen të kërkojnë punë – madje edhe punë krahu – pasi që ky lloj privatizimi nuk po e rrit numrin e vendeve të punës por po e redukton atë, gjë që do e thellon numrin e papunësisë në Kosovë që edhe ashtu sipas statistikave është mjerisht i ulët, rreth mbi 45% të papunë.

Logjika e zyrtarëve të kompanive shtetërore se kompanitë private janë më efikase se ato publike dhe për këtë çdo gjë publike duhet të privatizohet për të mirën e përgjithshme, është njëjtë si të thuash se oborri i shtëpisë së ndonjërit prej zyrtarëve të kompanive shtetërore, dukët më i gjelbëruar e më i frytshëm nëse komshiu që ka më shumë oborre e blen atë. Në fakt kjo është tendencë për të mos kuptuar se problemi është te përtacia e mosinteresimi për të rregulluar oborrin e vet. Kështu po ndodh në Kosovë, po shitet publikja si pasojë e mosinteresimit dhe indiferencës së Qeverisë së Kosovës për të zgjidhur problemet që kanë këto sektorë.

Rasti që ka zgjuar vëmendjen e të gjithëve është privatizimi i distribucionit të KEK-ut (KEDS) për vetëm 26.3 milionë euro, me arsyen se nuk po mund të faturohen 40% të rrymës së shpenzuar në Kosovë, e as të mbulohet borxhi prej 350 milionë eurove. Nëse vlerën e cakton tregu, atëherë KEDS thuhet se ka pasur 290 milionë euro qarkullim vjetor. Sa do të duhet të ishte vlera reale e saj? Sigurisht qe jo 26.3 milionë. Këtë shifër mund të mbulonin edhe dy apo tre biznesmenë vendorë. Nga hëna vërehet që po falet ky distribucion, paraprakisht po vidhet, e ndërkohë pritet që 2/3 punëtorëve të largohen nga puna pas privatizimit.

Shqipëria ngjashëm me atë që po kalon Kosova sot, kishte privatizuar distribucionin në vitin 2009 duke shpresuar që do të rregullohej një herë e përgjithmonë problemi i energjisë elektrike, si dhe do të zvogëloheshin humbjet. 72% të distribucionit në Shqipëri ishte shitur për 102 milionë euro dhe përfshihej një plan investimesh rreth 300 milionë euro. Kosova duhet të mësojë nga privatizimi atje, pasi që edhe pas disa vitesh qytetarët shqiptar nuk i kanë ikur territ e problemeve të shumta energjetike, ku së fundi është kërkuar edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Arsyetimi për këto situata nga ana e privatizuesit është se këto probleme do të vijojnë deri sa të ndërtohen nënstacione e linja të reja që kërkojnë miliona euro investime. Por a nuk do të përballët Kosova me të njëjtat situata pas privatizimit? Sigurisht që po. Nëse një kompanie private do t’i nevojiteshin 10-15 vjet për të marrë vetën, atëherë edhe Qeveria e Kosovës po të fokusohej më shumë në këtë problem do të rregullonte atë brenda 10-15 vjetësh, sepse një shumicë e konsumatorëve të energjisë paguajnë rregullisht faturat e tyre gjë që për një periudhë kohore vetvetiu do të mund të zbuste borxhin.

Tendencat e Qeverisë së Kosovës janë të qarta. Nuk ishte e aftë të menaxhojë KEDS-in, në anën tjetër vazhdon të vjedhë e varfëron qytetarin duke shfrytëzuar konceptet neoliberale, që rrisin kapitalin e disave ndërsa shumicës ua merr edhe bukën e gojës. Greqia duke aplikuar politika neoliberale, është shembulli më i mirë i privatizimit me shumicë. Sot Greqia është detyruar të përballet me shkurtime, borxhe dhe deficit të madh tregtar; duke e futur të gjithë Evropën në krizë ekonomike të paparë. Çdo i dyti grek është i papunë, ndërsa fenomeni i vetëvrasjeve është rritur për 20% si pasojë e kushteve të rënda të jetesës.

Qytetari i Kosovës duhet të vetëdijesohet një herë e mirë për atë se çka sjell privatizimi. Nuk duhet lejuar qeveritarët të ushqejnë orekset e tyre në krah të popullit. Ata janë në pushtet falë nesh dhe duhet të punojnë për ne. Në listë për privatizim janë dy asete shumë të çmuara publike KEK-u (Korporata Energjetike e Kosovës) dhe miniera Trepça. Me çdo kusht duhet të kundërshtohet privatizimi neoliberal, me protesta e çfarëdo forme tjetër. Sepse ikin në pakthim, njëjtë si KEDS-i

Mbaj veten se po vijnë zgjedhjet studentore

01.06.2012

Dyert e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës janë shndërruar në dyer cirku nga posterët e neopolitikanëve iluziv e organizatave të tyre iluzive, që janë në garë për pushtetin studentor, atë “pushtet” që jep disa zyra, vesh disa studentë me kollare e i (vetë)privilegjon, por që ndryshimi, që thirren në të, përveç që nuk është parë, as që do të shihet kush e di kur.

Këto zgjedhje e mënyra se si kanë marrë hov këto, të kujtojnë setin e “Brace Yourself” (mbaj veten) të ueb-faqes humoristike “9gag”. Mbaj veten se po vinjë zgjedhjet studentore, mbaj veten se po vjen perspektiva për studentë, mbaj veten se tash e tutje të gjithë studentët do t`iu ikin kafeve e kohës së shpenzuar palidhje, mbaj veten se do të behët NAMI.

Para se të fillojmë të “mbajmë veten” edhe më shumë le të kujtomë se çka kanë bërë këto organizata ndër vite. Shumë nga këto organizata në programet e tyre thoshin se do të rrisin vlerat akademike të studentëve. E sa janë rritur këto tregon edhe organizimi i debateve ose ligjëratave jashtë planprogrameve studentore që janë baraz me zero. Shumë nga këto organizata thoshin se do të përmirësojnë kushtet thelbësore për studentin, e kushtet thelbësore të studentit jo që nuk janë përmirësuar, por edhe akomodimi nëpër konvikte është i dyshimtë. E lëre më kushtet atje. Shumë nga këto organizata thoshin së do të organizohen atraksione të llojeve të ndryshme kulturore e sportive, e krejt çka është organizuar deri më sot, ngjason me turnetë e eventet muzikore alla gjimnaziste e të tejkonsumuara.

Ndërsa këta individë kërkojnë vota, duhet të kujtojmë që shumë organizime, protesta, debate e ligjërata janë organizuar nga individë e organizata që qëllim kryesor nuk e kishin marrjen e pushtetit studentor, por ndryshimin, e kjo ka rezultuar si shumë produktive. Klubi Politik i Studentëve, me antikonformizmin e tyre studentor dhe qytetarinë aktive, ka kontribuar më së shumti në këtë aspekt. Joseriozitetin e këtyre organizatave elektorale e tregon më së miri numri i madh i tyre në krahasim me numrin e studentëve që ka Universiteti i Prishtinës, e më shumë joserioze i bën kërkimi i votës për ndryshim, thuajse nuk patën asnjë rast më herët që të ndryshojnë diçka, shumëçka.

Është koha që studentët e Universitetit të Prishtinës të tregojnë që këto organizata nuk janë zëri e as përfaqësues të tyre, e kjo mund të behët vetëm me bojkotim të zgjedhjeve studentore. Vetëm kështu dëgjohet zëri real studentor, sepse nëse vazhdon të përkrahësh degradimin, nuk nevojitet ndonjë logjikë e jashtëzakonshme që të tregoj që degradimi do të vazhdojë, e ky degradim është evident me vite, por e ka një zgjidhje: mosvotën.

Universitet në shërbim të studentëve

 

20.03.2012

Për të gjithë ata që hutohen kur studentët e ngrisin zërin, protestojnë.

“Gjithçka kishte nisur kundër lakmisë së korporatave, por kjo vazhdoi duke u rritur nga nevojat e shumë njerëzve, sepse prej se ka filluar kjo, shumë njerëz kanë përfituar nga rasti që të ngrisin zërin për gjërat që atyre iu pengojnë, për iluzionin e demokracisë që e kanë”. Kështu ishte shprehur në një deklaratë për “The Colombia Chronicle” studentja e vitit të dytë në fotografi Alicia Walker, e cila iu kishte bashkangjitur një proteste në Çikago në dhjetor të vitit që shkoj.

Ka filluar me bojkot njëorësh në shenjë solidarizimi me nxënësit shqiptar të rrahur në Maqedoni, e do të vazhdojë varësisht nga nevojat që kanë studentët e të indinjuarit që përballën me lloj-lloj probleme ekonomike e sociale. Kështu e nisëm ne, me elementin më demokratik të mundshëm e kështu do të vazhdojmë.

Është e dhimbshme kur kujtojmë se (NE) artistët, arkitektët, pedagogët, inxhinierët, juristët, mjekët, gazetarët e udhëheqësit potencial, në mungesë të atraksioneve e kushteve thelbësore, duhet të ngushëllohen me zenitin e kënaqësisë së quajtur “Sony Play Station”, ose lezetin e 4-5 makiatove, eskspresove a “pa plumave”, varësisht vendit ose shpenzimeve ditore.

Pse JO? Përderisa nuk indinjohemi, asgjë e re nuk do të ndodh!

Një tjetër student i menaxhimit të medieve në Çikago, Colleen Mares thoshte për “The Colombia Chronicle” se “Kjo është e ardhmja jonë, ne jemi duke ecur drejt saj, e nëse dëshirojmë të kemi fjalë se si ajo do të formësohet, mendoj se fëmijët, minimum duhet të dinë se si ky vend funksionon”; “Jemi duke shkelur në një shtet që nuk po na përkrah”.

Shumë shpejt vjen koha e diplomimit, e dihet që në vendin tonë 50% i papunësisë është evident, e neve si profesionist të ardhmes s’na mbetët gjë tjetër veç të aktivizohemi, ose të bëhemi gati eventualisht për punë jo profesionale, sepse shteti nuk po na përfill, të tjerët po i ikin përgjegjësisë, në mungesë të përfilljes e kujdesit shtetëror ne duhet të ngrihemi të tregojmë që nuk duam të ardhme të cunguar, nuk duam klasë politike si “këta” në të ardhmen, nuk duam të jemi studentë që i shërbejnë Universitetit, por duam që Universiteti t’i shërbejë studentëve.

Klubi Politik i Studentëve (KPS) i falënderon të gjithë ata që e përkrahen protestën.

Deri ku shkon etja për pushtet?

20.06.2011

Kemi dëgjuar se etja për pushtet ka shkuar deri te vëlla-vrasja siç kemi shembuj të shumtë gjatë periudhës së perandorisë Osmane. Kemi raste edhe me të renda siç është ai i vrasjes së babait, që kishte ndodhur në kohën e perandorisë romake kur i biri i perandorit Marcus Aurelius, Commoddus-i kishte vrarë të atin për qëllimin e vetëm, marrjen e fronit të tij.

Edhe në fillimin e shekullit 20, hiç më larg se në Shqipëri kemi shenja të etjes për pushtet kur, Esad Pashë Toptani tradhton Shqipërinë për qëllime personale. Por populli nuk heshti dhe falë Avni Rrustemit dhe disa Avni Rrustemëve të tjerë që nuk duronin tradhti e as mizori të tilla, fati i Esadit të etur nuk zgjati edhe aq, dhe kështu një i etur tejmase, përfundimisht ngopet jo nga pushteti por nga dheu.

Po të marim shembuj se çfarë rastesh ka pasë kur njerëzit gjatë historisë medoemos e dëshironin pushtetin, besoj që do të nevojiteshin ditë të tëra duke i rrëfyer ato. Mirëpo sot gjendemi para një shekulli kur krejt këto janë veç pjesë e historisë, pasi që sot, në botën demokratike ka forma dhe mënyra tjera për të arritur pushtetin, dhe duke vjedhur ose vrarë për pushtet siç ka ndodhur, sot cilësohet si krim, edhe atë shumë i rëndë.

Shqipërisë po i behën gati një muaj e gjysmë që ende nuk ka zgjedhur të parin e bashkisë së kryeqytetit pasi që votat janë duke u numëruar ende. E kjo është duke ndodhur pasi që etja për pushtet dhe jo për qeverisje të mirë, është duke e kaluar çdo normë. Populli shqiptar është ai që është duke pësuar për shkak këtyre zotërinjëve me kollare të modës së fundit.

A duhet të fajësohet populli për këtë krizë të radhës? Padyshim që po, duke parë tërë këtë komplikim që po rrjedh si pasojë e këtyre dy njerëzve, duhet ta dine se nuk varet Shqipëria veç nga këta dy ose veç nga subjektet politike te këtyre dyve. Pasqyrimi i kësaj ngjarje në Evropë nuk është edhe aq i mirë. Shqipëria interes primar ka anëtarësimin në BE, e nëse shikojmë gjendjen faktike ose nëse krahasojmë me vendet që janë duke plotësuar kushtet për anëtarësim, atëherë Shqipëria, nuk është duke dalë edhe aq mirë. Populli shqiptarë duhet të vetëdijesohet një here e përgjithmonë, nuk mundet sistemi të ekzistojë pa ne, tendencat e një shteti janë konkurruese e jo të futet në greminë politike. Shqipëria me tërë ato kilometra plazh është shtet konkurrues, ka resurse që shtete ballkanike si Serbia e Maqedonia nuk i kanë, por sa vlejnë tërë këto kur etja për pushtet e elitarëve kalon etjen për qeverisje të mirë?

Si përfundim, Faik Konica kishte të drejtë kur thoshte, “Nëse Shqipëria ndonjëherë do të vdiste, në epitafin e saj do të shkruhej : Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtojë nga rastësia, vdiq nga POLITIKANËT “. Shqipëria dhe Kosova veç janë duke vdekur nga politikanët e etur për pushtet, i vetmi shpëtim është një frymë e re politike pasi që këta të sotmit, janë duke varrosur të gjallë.