Heshtja përballë “turbolibrave”

Nektar Zogjani & Valton M. 05.02.2013

“Parajsën gjithmonë e kam paramenduar si një lloj biblioteke.” Jorge Luis Borges

Mungesa e konsiderueshme e librave nëpër vitrinat e librarive në vend, kohëve të fundit po vjen duke u lehtësuar me publikimet e shpeshta, që së paku për aspektin sasior nuk lënë shumë hapësirë për tu ankuar. Sikur sasia të zëvendësohej me cilësinë, nuk do mend se sa të shfrytëzueshme këto libra do të ishin; lexuesi në përgjithësi e studenti në veçanti do të kishte atë çfarë më së shumti i nevojitet. Besojmë se tani më lexuesi vetëm se e ka të qartë në mendjen e tij se për çfarë libra po bëjmë fjale, të tillë si ai libri i gjeneralit të luftës kushtuar këngëtarit te folklorit, Ilir Shaqirit. Në vend se të ishte duke shkruar ndonjë libër mbi taktikat dhe strategjitë ushtarake, gjenerali vendos që të shkruaj për një këngëtar (aftësitë muzikore të të cilit nuk po i vëmë në dyshim) vetëm sa për të qenë në trendin që e pasqyruam më lartë – në trendin e “turbolibrave”.

Nuk do të quhej trend, dhe kjo dukuri as nuk do të ishte shqetësuese nëse këto raste do të binin në hije nga libra që kanë zgjuar kureshtjen e publikut, ose që kanë qenë përfituese për studentët. Dhe kur jemi te studentët, duhet rikujtuar edhe një herë, edhe shumë herë, se në mungesë të hulumtimeve të dobishme, dhe po ashtu në mungesë të përkthimeve të librave, ata ende mësojnë nga skriptat! Nuk duhet të jesh ndonjë ekspert i fushës së publikimeve për të vërejtur se gjendja është shqetësuese. Vetë fakti se studentët ende mësojnë nga skriptat, dhe po ashtu fakti se publiku i gjerë lexon pak, janë tregues të qartë që e vërtetojnë një gjë të tillë.

Përderisa në Tiranë dalin libra që kënaqin kureshtjen e publikut, siç janë librat e fundit nga Helena Kadare, Ben Blushi, Artan Fuga, Edi Rama e të tjerë, në Prishtinë ende librat dhe filmat trajtojnë tema kryesisht historike, dhe që kryesisht lidhen me luftën në Kosovë dhe shpërbërjen e Jugosllavisë. Rasti më konkret dhe mjaft interesant është Jakup Krasniqi, i cili në dhjetë vitet e fundit ka publikuar hiç më pak se dhjetë libra me këtë tematikë. Dhe në këtë valle hyjnë edhe shumë politikanë të tjerë, të cilët shkruajnë vetëm për hir të të shkruarit, dhe në disa raste vetëm sa për të doktoruar!

Por si të kontribuohet të ndalet ky trend? Si të shpëtohet parajsa e Borgesit? Këtu na hynë në punë intelektualë të dëshmuar, akademikë, dhe publicistë. Të kritikuar jo rrallë nga njerëz të ndryshëm se këta po heshtin përballë zhvillimeve të ndryshme në vend, këta intelektualë i shohim shumë rrallë të kritikojnë publikisht libra që dalin në treg. Do të ishte e rrugës që këtyre njerëzve te ju jepet hapësirë më e madhe mediale përmes emisioneve të ndryshme, për të vlerësuar këto libra. Duke dhënë vlerësimet e tyre është shumë e pritshme që në të ardhmen publiku do të kursehet nga libra monoton. Nuk mund të krijosh identitet intelektuali duke zgjedhur rrugën e shkrimit sa për sy e faqe. Po ashtu, nga kritika profesionale nuk ka hatermbetje.

One thought on “Heshtja përballë “turbolibrave”

Leave a comment