“Shën përfaqësuesit” e studentëve

“Duke përdorur një matematikë të thjeshtë supozojmë se çdo vit nga fakulteti filozofik dalin 1000 absolvent, 3000 euro të pastra vidhen nga udhëheqësit student të fakultetit filozofik çdo vit, pa përfshirë natën e fundit argëtuese (absolventiada) që vitin e kaluar kushtonte 25 euro e mbahej 30 minuta larg Prishtinës, në Drenas.”

Kur përfytyrojmë dikë si përfaqësues, në mendje na shfaqet fotografia e tyre, si individ të zgjedhur nga zgjedhësit, e me qëllim të qartë: përfaqësimin sa më të denjë të asaj që thirren në të. Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës i ka përfaqësuesit e vet studentor, pasivë, zhvatës dhe marioneta partish politike. Të zgjedhur pa legjitimitet të plotë, vetëm me 39 përqind të votuesve, në anën tjetër kujtojmë se 61 përqind të studentëve iu përgjigjen thirrjes së Klubit Politik të Studenteve, që të bojkotojnë zgjedhjet studentore me qëllim të kursehen nga vjedhjet që rrjedhin nga panot dhe absolventiada. Me qëllim që të kursehen nga ndonjë organizim tallava e monoton. Me qëllim që të mos vuajnë nga mosorganizimi i debateve e ligjëratave me ligjërues jashtë-universitar. Me qëllim që të mos vazhdojnë të mashtrohen vite e vite me radhë.

Me të hyrë në Fakultetin Filozofik ne anën e majtë gjendet një zyre që shërben për interesa të studentëve. Brenda në të duket se janë te gjitha kushtet për pune, një tryezë me 6 – 7 karrige, një kompjuter që ka përballë një karrige të rehatshme, disa orendi dhe ca libra. Zakonisht është dikush që nuk ndahet nga muhabeti në facebook, megjithatë të jep përgjigje. Kërkesat e zakonshme që paraqiten aty janë si ajo e imja që ishte së fundmi: numër kontaktues për ndonjë profesor. Them me vete se për cfare shërben kjo zyre kur nuk është iniciuar asnjë kauze, asnjë debat, asnjë ankese ne shërbim te studentit? Për numra kontaktues të profesorëve?

Pasi qe jemi në muajin mars, le të kujtojmë studentin e marsit të vitit 1981. 11 marsi ishte ditë e zakonshme shtypëse. Revolta kishte filluar ne mensë kur një student përplasi pjatën në tokë, pas tij u përplasen edhe shumë tjera. Ngjarja mori përmasa të protestës gjithëpopullore. Sot në rrethana më të rehatshme shtypja ka një ngjyrim më ndryshe nga ajo e kaluara. Regjimi fashist serb që vriste e përdhunonte është transformuar në regjimin “thaqisit”  e “ramushist” që kontrollon e udhëheq çdo sfere të jetës, ku ka prekur edhe disa student. Kjo frymë kontrolluese e zhvatëse ka vite që ka prekur institucionin që më së paku ka nevojë për dirigjim – Universitetin e Prishtinës – falë studentëve të quajtur përfaqësues që bëhën marioneta partish politike. Para ndikimi i partive politike pasqyrohet  më së miri me aderimin e përfaqësuesve studentor në to pas përfundimit të studimeve, sa për ironi janë të shumtë. Megjithatë ngjarjet e vitin 1981 nuk kanë shkuar huq, përkundrazi kanë inspiruar shumë student që ngritën zërin për interesa të tyre, e organizata të studentëve që qëllim nuk e kanë zhvatjen e as pushtetin studentor, por organizimin e debateve cilësore, e ligjëratave me ligjërues jashtë-universitar.

Studentët në vitin e fundit të studimeve bachelor, absolventet, fotografohen me kapelë në kokë që quhet pano. Ketë procedurë e rregullon këshilli studentor i fakultetit që ka për detyrë kontraktimin e studios fotografike duke zgjedhur atë që ofron çmime më të arsyeshme. Çmimi i panove për studentet e Fakultetit Filozofik është 8 euro, ndërsa çmimi i panove për studentët e Fakultetit të Bujqësisë është 5 euro, çmime nga e njëjta studio. Kujtojmë se numri i studentëve është shumë më i madh në Fakultetin Filozofik se sa në atë te bujqësisë, gjë qe logjikisht do të ulte çmimin e panove. Nuk janë më të veçantë studentët e bujqësisë se ata të filozofikut, dallimi është se studentëve te filozofikut po u vidhen nga tre euro nga panot. Duke përdorur një matematikë të thjeshtë supozojmë se çdo vit nga fakulteti filozofik dalin 1000 absolvent, 3000 euro të pastra vidhen nga udhëheqësit student të fakultetit filozofik çdo vit, pa përfshirë natën e fundit argëtuese (absolventiada) që vitin e kaluar kushtonte 25 euro e mbahej 30 minuta larg Prishtinës, në Drenas.

Keto përfitime banale nuk i bëjnë të shenjtë ata, edhe pse jetojnë e shiten si të tillë. Atyre që vodhën e vazhdojnë të vjedhin u shpreh homazhe për moralin, e të mos hutohen nëse dikush i krahason me udhëheqësit shtetëror që e katandisen vendit, ani pse do të ndiheshin mirë. Po ashtu mos ti zërë në befasi mospjesëmarrja në zgjedhje e studenteve, përveç që vazhdojnë të mos kenë zë, nuk do dëshironin as të vidhen.

Advertisements