Qençe nuk jetohet më!

Valton Marku

Ky fillim i verës duket goxha interesant me dy ngjarje socio-politike që po na përcjellin së fundmi. Njëra ka të bëjë me okupimin e hapësirës përballë Kuvendit që shkak ka ligjin për Amnisti, dhe tjetra me depopullimin e Kosovës, njëjtë si në vitet e 90-ta. Okupimi edhe pritej, marrë parasysh dëshpërimin, jetën e vështirë e shkeljen e dinjitetit të qytetarëve të Kosovës . Kjo e dyta veç sa u servua nga mediat sepse jozyrtarisht dihej. Qytetarët e Kosovës ka vite të tëra që muhabet tryeze e kanë mundësinë e ikjes, ikjen nga mjerimi social, politik e ekonomik që e ka gatuar Qeveria e Kosovës prej ardhjes në pushtet. Mjerisht, ikja e tyre nuk ka të ndalur, e as nuk është e paarsyeshme në thelb.

Durimi edhe pse është virtyt e ka një fund. Disa nga diktatorët e Lindjes së Mesme ranë nga “fiku”. Në Tunizi një pemëshitës i ri ishte larguar nga puna, në shenjë revolte dogji vetën. Ben Ali u rrezua nga pushteti si pasojë e revoltës qytetare. Radha ishte për udhëheqësin e Egjiptit, edhe pse ky shtet cilësohej ndër si ndër më “demokratiket” në atë rajon. Korrupsioni e kontrolli i egër ushtarak revoltoi qytetarët. Vendin e Hosni Mubarakut e mori Mohamed Morsi. Ky i fundit u rrëzua me jo shumë mund, pasi që rezultoi të jetë Mubaraku i dytë. Gati 33 milionë njerëz kishin dalë në rrugë për ta rrëzuar sipas CNN e BBC-së. Kësaj valle ju bashkëngjitën edhe Muammar al-Gadafi i Libisë, Presidenti i Jemenit, Ali Abdulah Saleh, ndërsa Siria është në proces e sipër të largoi Bashar al-Assadin. Shtypësit u shtypën nga të shtypurit. Erdhi liria!

Në shumë shtete të Lindjes se Mesme fuqia e popullit u rikthye aty ku kishte kohë që nuk shtrihej. Shtypjet, mjerimi social, sundimi i gjatë autokratik ishin arsyet që zgjuan popullin. Nga këto ngjarje u inspiruan shumë njerëz. Në Amerikë u krijua edhe lëvizja “Occupy” që qëllim kishte kundërshtimin e kapitalizmit të egër neolibaral e jetën e vështirë të një pjese të konsiderueshme të qytetarëve amerikan, që veç kishin filluar të humbnin shtëpitë për shkak mospagesës së kredive. Kjo lëvizje u shpërnda çdokund në botë: Madrid, Buenos Aires e tjera. Ajo çka e karakterizojë këtë lëvizje ishte protesta paqësore, duke zaptuar një pjesë të sheshit, krijimin e librarive në rrugë, sensibilizimin njerëzor duke ndare ushqim e çkado me njeri-tjetrin. Kjo shënoj dimension të ri të protestës. “Occupy” u bë obligim për të pakënaqurit që të kalojnë kohë aty. Kishte të shumtë, kryesisht ishin studentë, punëtorë, e kundërshtues të kapitalizmit e çdo gjëje qe pengonte mirëqenien e tyre. Filozofi i mirënjohur Slavoz Zizek ishte njëri prej tyre. Gjate një takimi kishte thëne se “Ne nuk jemi ëndërrimtarë, ne jemi të zgjuarit nga një ëndërr që është duke u kthyer në një makth”. Një gjë është e sigurt që kjo lëvizje ngriti vetëdijen e qytetarëve amerikanë, dhe uli tarifat bankare.

Në Prishtinë ka filluar zgjimi nga gjumi letargjik. Okupimi i hapësirës para Kuvendit është shumë i shëndetshëm për shoqërinë kosovare, sepse shënon hapat e para të aktivizmit të vendosur qytetarë. Kjo iniciative duhet përkrahur e zhvilluar edhe më tej, nga grupe studentore, organizata joqeveritare e qytetarë të denjë e të pakënaqur. Kulturën tonë të kafes duhet të përkthejmë në kulturë të protestës paqësore tek Kuvendi, pse jo edhe me kafe në dorë. Kohën e leximit le të bëjmë te hapësira e Kuvendit. Koha e ngrënies le të shfrytëzohet aty. Çdo gjë le të bëhet aty për hirë të ndryshimit e kthimit të dinjitetit qytetar. Le te inspirohemi nga “Occupy”, sepse “qençe nuk jetohet më”.

Arsyeja e okupimit është ligji me përmbajtje të çmendur për Amnisti, dhe me të drejtë kundërshtohet. Kupa e durimit veç ka filluar të derdhet edhe tek ne, sepse ka edhe procese te tjera të dëmshme që na përcollën tash e 14 vjet pas luftës: privatizimet e egra, marrëveshja me Serbinë, hajnitë, e shumë tjera që po të shkruheshin këtu do zgjasnin me muaj. Për këtë arsye okupimi duhet të vazhdojë deri në fund, me kërkesën e domosdoshme: Dorëheqjen e Hashim Thaçit e tërë Qeverisë. Sepse falë tyre ne sot jemi shndërruar në shtet jofunksional, një lloj Afganistani i Ballkanit. Këta udhëheqës kurrë nuk janë dëgjuar të thonë jo në ndonjë situatë të disfavorshme politike të servuar nga lart, përkundër kanë bërë kompromise vrastare për popullin (kujto marrëveshjen me Serbinë së fundmi). Kështu, këta sa më shumë që tolerohen, aq më jofunksional bëhemi. Sa më të vendosur që qytetaret okupues bëhen, aq më shumë edhe përkrahja rritet. Sa më shumë përkrahje qytetare që fitohet sepse të shumtë janë të pakënaqurit, aq më shumë rritet mundësia për dorëheqjen e “premierit” tonë të “nderuar” që mbanë përgjegjësi ekskluzive për katandisjen e vendit. Është ne pyetje e ardhmja jonë tek e fundit. Kosova që e duam e e deshën.

Fajin për ikjen e shtresës më te praruar të shoqërisë (të rinjve) prap e mbanë kjo Qeveri. Mungesa e kujdesit institucional, papunësia, izolimi, paperspektiva në tërësi të detyron të kërkosh më shumë. Sot pas më shumë se 20 vjet historia po e përsërit vetën. Kosovarët prapë azil kërkues, nuk është Milosheviqi kësaj radhe por negociatori i ish-zëdhënësit të tij. Nuk kanë faj ne thelb, por duhet të kthehen, më të vendosur, me prirje për ndryshim dhe iniciativë, sepse duhet të ndihmojnë procesin e të mos jetuarit qençe këtu.

Ne fund emëruesi i përbashkët i të gjitha të këqijave është Kryeministri dhe e gjithë Qeveria. Këta meritojnë e duhet te dorëhiqen. Okupimi i hapësirës së Kuvendit është mundësia më e mirë e fillimit të këtij procesi të domosdoshëm.

Edhe diçka, pasi që jemi afër përvjetorit të vdekjes së një ndër poetëve më të mëdhenj të Kosovës, Ali Podrimjës, në këto kohë dëshpërimi nuk ka se si të mos kujtohen këto vargje:

“Tokë me nda nuk kam
Hasmi në … t’samës
Me vdekë duhet mësue
Qençe nuk jetohet më.”

P.S “Toka” në rastin tonë është hapësira te Kuvendi që nuk duhet të lëshohet, “Hasmi” janë të gjithë ata që na e vështirësuan jetën, e na bënë azil kërkues. “Me vdekë” le të jetë formë e rezistencës paqësore. “Qençe nuk jetohet më” të mos ndryshohet nga konteksti, le të na inspirojë.

Autori është anëtar i Këshillit Koordinues të Klubit Politik të Studentëve.