PDK: “Së pari interesi personal!”

Dita e tretë e muajit të njëmbëdhjetë është caktuar si dita e zgjedhjeve komunale në Kosovë. Mënyra se si u caktua kjo datë, e heqja e stemës së republikës së Kosovës nga fletëvotimet janë predispozitat e parregullsive që po i paraprijnë këtyre zgjedhjeve, dhe duartrokitjet padyshim që i shkojnë Kryeministrit Hashim Thaçi, e strategjisë së tij qeverisëse në nivel qendror, që veç sa e thellon më shumë mosfunksionalitetin shtetëror. Mund të thuhet se kandidatet e partisë së kryeministrit jodomosdoshmërisht janë bartës të politikave të tij, por praktikat në qeverisjen qendrore kanë treguar që këta janë ndjekës e praktikues të politikave të mbrapshta thaçiste, dhe si të tillë është pothuajse e pamundur të besohet se këta kandidat janë ndryshimi i nevojshëm. Përveç ndërlidhjes së politikbërjes nga drejtuesit tek bartësit, këto struktura heshtën përballë disa proceseve si ai i Privatizimit apo”Gerrymandering”, heshtje kjo që i bënë jo-votë-meritues. Ditë të tilla në një shtet funksional e me vetëdije qytetare do të shërbenin si momente të përkryera për tu dënuar me mosvotë udhëheqësit përgjegjës, në rastin tonë ata që si jofunksional na kanë katandisur. PDK gjatë udhëheqjes qendrore e lokale ka treguar që interesi personal tejkalon çdo parim, ideologji, e politikë të mirë menduar. Motoja e fushatës me pak ndryshime nga ajo e kaluara do t’i përshtatej si: “Së pari interesi personal”.

Ndryshimi vije nga vetëdijesimi, e kjo e fundit delegjitimon të keqen që është fenomen tek ne. Kur identifikohet e keqja më e madhe në mesin e të këqijave, ajo përçon alarm tërbues te këto tjerat. Pra me identifikimin e partisë në pushtet si fajtore për gjendjen reale sot, partitë tjera që disa janë bashkë-përgjegjëse e disa sahanlëpirëse do të mateshin e mateshin në të ardhmen, sepse tërbimi paralajmëron fundin. Vetëdijesimi si nevojë urgjente do të ndalonte partinë në pushtet nga inercia që po i bën shtetit. Identifikimi i të keqes sot, nënkupton mospërqafim e luftim të saj nesër, dhe sa me të vetëdijshëm që bëhemi, arrijmë aq më afër funksionimit si shoqëri e shtet i mirëfilltë. Nga vetëdija qytetare janë dënuar edhe diktatorët e pangopur, edhe politikanët jopërgjegjës. Vetëdija për procese e udhëheqje të dëmshme do të thotë refuzim i cilësimit si “dele e dobishme”, e qytetarët e Kosovës duhet e e kanë kohën të refuzojnë këtë cilësim.

Interesi personal si përcaktues i veprimeve politike e partiake

Çdo parti konkurruese në Kosovë që nga krijimi (edhe pse disa jo shumë qartë) i kanë dhënë një kahë ideologjik politik-bërjës së tyre. Por PDK-ja, si parti e qendrës së majtë, brenda natës, në Konventën e Katërt u bë e djathtë, si me magji! Është e çuditshme si disa profesorë anëtarë të PDK-së që ligjërojnë në Shkenca Politike heshtën përballë kësaj praktike, kur në anën tjetër ligjëronin se pjekja ideologjike vije me kohë, ku së paku dy dekada nevojiten. Kështu PDK theu setin e principeve filozofike të formësuara, po për çka? Për të legjitimuar ideologjikisht bisedimet pa protokoll? Për të legjitimuar privatizimet neoliberale krizësjellëse? Kush e di se cilin princip tjetër janë në gjendje të thyejnë këta votë-kërkues kur gjenden përballë humnerës politike, ose përballë privatizimit të ndonjë aseti publik që përkthehet në miliona të zhvatur direkt në xhepin e tyre.

PDK si parti e qendrës së majtë në atë kohë, mbështeti privatizimet e aseteve publike më fitimprurëse siç ishin KEDS dhe KEK-u, edhe pse ishte kundërthënës me setin e principeve filozofike që përfaqësonin si subjekt politikë. Ithtarët më të mëdhenj të privatizimit, bazuar në praktikat e privatizimit në shtete të ngjashme si Kosova, nga tejpërkrahja kishin dalë në përfundim se sundimi i ligjit është më i rëndësishëm, Milton Friedman ishte njëri prej tyre. Partia në pushtet me këtë veprim veç sa tregon se interesi personal është përcaktues i politik-bërjës së tyre, dhe sa herë që ky interes rrezikohet, çdo metode mund të përdoret, edhe ajo e vetëvrasjes ekonomike në këtë rast.

Studiuesit e politikës, pashmangshmërisht kanë hasur tek “Gerrymandering”, term që i referohet procesit kur partia në pushtet gjatë krijimit të zonave zgjedhore, ndërhynë që të krijohen zona të reja më qëllim të dobësimit ose forcimit të elektoratit në një zonë të caktuar. Kjo praktikë ka ndodhur edhe në Kosovë, ku është tentuar të krijohen komuna të reja si në lagjen “Kodra e Trimave” të Prishtinës, “Vitomericë” të Pejës ose në rastin e Hasit e Zhegrës që kanë tendenca më të mëdha për tu bërë komuna e që kryesisht ishin bastione të partive kundërshtare të partisë në pushtet. Në rastin e Hasit, PDK është e vetëdijshme se me shpalljen komunë të saj (që ka shtrirje nga Gjakova deri në Prizren), mosvotuesit e tyre nga Hasi nuk janë më problem elektoral, sepse nuk votojnë më në Prizren e Gjakovë por në Komunën e re të Rogovës. Kështu, duke e përdorur këtë metodë partia në pushtet do të përfitojë nga eliminimi i “elektoratit të panevojshëm”, e në anën tjetër dobëson partitë tjera. Kjo praktikë do të përdoret në zgjedhjet e ardhshme komunale, për shkak se Hasi ende është në proces të krijimit. Përdorimi i kësaj metodë është manipulim i pastër në sistemin zgjedhor.

Gjatë proceseve që e përcollën shtetin e Kosovës, si ai i bisedimeve pakushte me Serbinë, privatizimet, manipulimet në sistemin elektoral, krimet ekonomike të zyrtarëve komunal, e shumë të pathëna këtu, e identifikojnë votë-kërkuesin e PDK-së si bashkë-fajtor, e indiferencën e tyre përballë këtyre proceseve si mbështetje në heshtje. PDK duhet të ndalet, zëshëm, e me mosvotë.

(Autori është anëtar i Këshillit Koordinues të Klubit Politik të Studentëve)