Slavoj Žižek – Nadezhda Tolokonnikova (Pussy Riot): Letërkëmbimi

Letrat e shkëmbyera nga aktivistja e Pussy Riot, Nedezhada Tolokonnikova e cila gjindet në burg për huliganizem, dhe filozofit të njohur slloven, Slavoj Žižek. Në këto seri të letrave të shkëmbyera diskutohet rreth kapitalizmit global, rolin e fuqishëm të levizjës Pussy Riot etj. Nga ky shkëmbim, duke e parë hovin e kapitalizmin dhe ndikimin e tij socio-politik, përfundimisht lind pyetja se a është ndrydhur ky sistem social? Nëse po, kujtojmë Karl Marksin që thoshte se sistemet e ndryshkura e të shtypura nuk mund të mbijetojnë.

***

2 janar 2013- Slavoj Žižek

E dashur Nadezhda,

Shpresoj të keni pasur mundësi ta organizoni jetën në burg rreth ritualeve të vogla që e bëjnë të tolerueshme, dhe shpresoj të keni kohë për të lexuar. Për këto shqetësohem.

John Jay Chapman, eseist politik amerikan, shkroi më 1900 në lidhje me radikalët: “Ata thonë gjithmonë të njëjtën gjë; ata nuk ndryshojnë; të tjerët ndryshojnë. Ata akuzohen për krimet më të papajtueshme, egoizëm dhe dëshirë të tepruar për pushtet, fanatizëm, mungesë të humorit, indiferencë ndaj fatit të kauzës, mosrespekt, karagjozllëk e çikërrima tjera. Por ata i bien një note të caktuar. Kështu rritet fuqia praktike e radikalëve këmbëngulës. Në pamje të parë, askush nuk i ndjek, por të gjithë besojnë te ta. Ata mbajnë një diapazon dhe i bien notës A, dhe të gjithë e dinë se është A, ndonëse tingulli i pranuar i kohës është G e sheshtë”. A nuk është ky një përshkrim i mirë i efektit të shfaqjeve të Pussy Riot?! Përkundër të gjitha akuzave, ju i bini një note të caktuar. Mund të duket se njerëzit nuk po ju ndjekin, por fshehtas, ata ju besojnë dhe e dinë se po thoni të vërtetën, apo për më shumë, po përfaqësoni të vërtetën.

Por ç’është kjo e vërtetë? Pse janë kaq të dhunshme reagimet ndaj shfaqjeve të Pussy Riot, jo vetëm në Rusi? Të gjitha zemrat kanë rrahur për ju për aq kohë sa ju kanë menduar si version ndryshe të protestës liberal-demokratike kundër shtetit autoritar. Me t’u bërë e qartë se ju refuzuat kapitalizmin global, raportimi mbi Pussy Riot u bë i dykuptimtë. Ajo çka është kaq shqetësuese për Pussy Riot në sytë e liberalëve është se ju keni nxjerrë në pah vazhdimësinë e fshehur mes stalinizmit dhe kapitalizmit bashkëkohor global.

(Žižek-u më pas zbulon atë që e sheh si prirje globale drejt kufizimit të demokracisë). Që nga kriza e vitit 2008, ky mosbesim ndaj demokracisë, një herë e një kohë i kufizuar me ekonomitë në zhvillim të Botës së Tretë dhe ato postkomuniste, po fiton terren në vendet perëndimore. Por çka nëse ky mosbesim është i arsyeshëm? Ç’ndodh nëse vetëm ekspertët mund të na shpëtojnë?

Kriza ka provuar se janë pikërisht këta ekspertë, dhe jo njerëzit, që nuk dinë se ç’po bëjnë. Në Europën perëndimore po shohim se si elitat qeverisëse dinë pak e më pak se si udhëhiqet. Shiko se si po merret Europa me Greqinë!

Nuk është çudi që Pussy Riot na mban në ankth të gjithëve – ju e dini shumë mirë çka nuk dini, dhe nuk pretendoni të keni ndonjë përgjigje të shpejtë apo të lehtë, por po na tregoni që as pushtetxhinjtë nuk e dinë. Mesazhi juaj është se sot në Europë të verbrit po marrin për dore të verbrit. Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme të vazhdoni. Në të njëjtën mënyrë Hegeli, duke parë Napoleonin kalëruar në Jena, shkroi se i dukej sikur kishte parë Shpirtin e Botës të hipur mbi kalë, ju,  të ulura në burg, nuk jeni hiç më pak se sa vetëdija kritike e të gjithëve ne.

Të përshëndes si shok, Slavoji

 

***

23 shkurt 2013 – Nadezhda Tolokonnikova

I dashur Slavoj,

Njëherë, në vjeshtën e vitit 2012, kur isha ende në paraburgim në Moskë bashkë me aktivistet tjera të Pussy Riot, të vizitova. Në ëndërr sigurisht.

E kuptoj argumentin tënd rreth kuajve, Shpirtin e Botës, marrëzinë dhe mungesën e respektit, po ashtu si edhe pse këto elemente janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Pussy Riot del të jetë pjesë e kësaj force, qëllimi i së cilës është kritika, kreativiteti dhe bashkëkrijimi, eksperimentimi dhe vazhdimisht ngjarjet provokative. Duke ia huazuar Niçes përkufizimin, ne jemi fëmijët e Dionisit që lundrojnë mbi fuçi dhe nuk njohin asnjë autoritet.

Ne jemi pjesë e kësaj force që nuk ka përgjigje përfundimtare apo të vërteta absolute, misioni ynë është të shtrojmë pyetje. Ka arkitektë të statikës apolloniane dhe ka këngëtare (punk) të dinamikës dhe transformimit. Askush nuk është më i mirë se tjetri. Por vetëm bashkë mund të sigurojmë që bota të funksionojë sipas mënyrës që përkufizon Herakliti: “Kjo botë ka jetuar dhe do të jetojë përjetësisht në ritmin e zjarrit, të ndezur sipas masës, dhe duke vdekur sipas masës. Ky është funksionimi i frymës së botës së përjetshme”

Ne jemi rebelet që kërkojmë stuhi, duke besuar që të vërtetën e gjejmë në një kërkim të pafund. Nëse “Shpirti i Botës” të prek, mos prit që ajo të jetë pa dhimbje.

Laurie Anderson-i këndonte: “Vetëm një ekspert mund të merret me problemin”. Do të ishte mirë nëse Laurie dhe unë të mundeshim t’i shporrnim këta ekspertë dhe të merreshim vetë me problemet tona. Sepse statusi i ekspertit nuk garanton kurrsesi mbretërinë e të vërtetës absolute.

Dy vitet e burgut për Pussy Riot janë haraçi ynë për fatin që na dha veshë të mprehtë, duke na lejuar t’i biem notës A kur gjithë të tjerët janë mësuar duke dëgjuar G e sheshtë.

Në çastin e duhur, gjithmonë do të ndodhë një mrekulli në jetën e atyre që në mënyrë fëmijërore besojnë në triumfin e të vërtetës mbi gënjeshtrën, të ndihmës së ndërsjellë, të atyre që jetojnë sipas ekonomisë së dhuratës.

Nadia

A Pussy Riot protest in Red Square in Moscow January 2012.

23 shkurt 2013 – Slavoj Žižek

E dashur Nadezhda,

U befasova këndshëm kur mbërriti letra juaj – vonesa e saj më shqetësoi pasi mendova se autoritetet do ta kishin ndaluar komunikimin tonë. Ndihem thellësisht i nderuar, i joshur madje, nga shfaqja ime në ëndrrën tuaj.

Keni të drejtë kur e vini në dyshim idenë që “ekspertët” e afërt me pushtetin janë kompetentë për të marrë vendime. Sipas përkufizimit, ekspertët janë shërbyes të atyre që janë në pushtet: ata nuk mendojnë në të vërtetë, vetëm sa aplikojnë njohuritë e tyre tek problemet që kanë përcaktuar pushtetxhinjtë (si të rikthejnë stabilitetin? si të shtypin protestuesit?). A janë kapitalistët e sotshëm, të ashtuquajturit magjistarët financiarë, ekspertë prej vërteti? A nuk janë foshnja idiote që luajnë me fatin e paranë tonë?! Më bie në mend një shaka e vrazhdë nga vepra e Ernst Lubitsch-it, Të jesh apo të mos jesh (To Be Or Not To Be). I pyetur në lidhje me kampet gjermane të përqendrimit në Poloninë e pushtuar, oficeri nazist tha: “Ne merremi me përqendrimin, ndërsa polakët me kampimin.” A nuk vlen e njëjta gjë me falimentimin e Enron-it në vitin 2002?! Mijëra punonjës që humbën vendet e punës sigurisht që ishin pre e rrezikut, por pa zgjedhje të vërtetë – për ta rreziku ishte fat i verbër. Por ata që ia kishin një farë ideje mbi rrezikun, dhe aftësi për të ndërhyrë (menaxherët e lartë), i minimizuan rreziqet e tyre duke i kthyer në para aksionet e tyre përpara falimentimit. Pra, është e vërtetë që jetojmë në një shoqëri të zgjedhjeve të rrezikshme, por disa njerëz (menaxherët) bëjnë zgjedhjen, ndërsa të tjerët (njerëzit e thjeshtë) marrin përsipër rrezikun.

Për mua, detyra e vërtetë e lëvizjeve radikale emancipuese nuk është vetëm shkundja e gjërave nga inercia e tyre e vetëkënaqur, por ndryshimi i koordinatave të realitetit social në mënyrë që kur gjërat t’i kthehen normalitetit, të krijohet një “statikë apolloniane” e re më e mirë.

Filozofi delëzian Brian Massumi tregon se si kapitalizmi tashmë e ka kapërcyer logjikën e totalizimit të realitetit duke pranuar logjiken e çrregullimit të tepërt: “Sa më e larmishme dhe e çrregullt, aq më mirë. Normaliteti ka filluar ta humbë ndikimin. Rregullsitë kanë filluar të humbin. Kjo humbje është pjesë e dinamikës së kapitalizmit”.

Ndihem fajtor ta shkruaj këtë: kush jam unë që shpërthej në shfrime teorike narcize kur ju përballeni me privime të vërteta?! Kështu që, ju lutem, nëse mundeni e dëshironi, më informoni rreth situatës suaj në burg: për ritmin tuaj të përditshëm, për ritualet private që e bëjnë më të lehtë mbijetesën, rreth sa kohë keni për të lexuar e shkruar, si ju trajtojnë të burgosurit e gardianët, rreth kontaktit me fëmijën tuaj…heroizmi i vërtetë banon në këto mënyra të vogla të organizimit të jetesës, në mënyrë që të mbijetohet në kohëra të çmendura pa e humbur dinjitetin.

Me dashuri, respekt e admirim, mendimet e mia janë me ju!

Slavoji

***

16 prill 2013 – Nadezhda Tolokonnikova

I dashur Slavoj,

A e ka parakaluar me të vërtetë kapitalizmi modern logjikën e totalizimit të normave? Apo ai dëshiron që ne të besojmë që e ka tejkaluar logjikën e strukturës hierarkike dhe normalizimin?

Si fëmijë kam dashur t’i futem botës së reklamave. Kisha një aferë dashurie me industrinë e reklamave. Për këtë jam në pozicion komod për t’i gjykuar. Strukturat antihierarkike dhe rizomat e kapitalizmit të vonshëm janë fushatat e suksesshme reklamuese. Kapitalizmit modern i duhet ta shfaqë veten si fleksibil dhe jashtëqendror. Çdo gjë është drejtuar kah flakërimi i emocionit të konsumatorit. Kapitalizmi modern kërkon të na sigurojë që operon sipas parimeve të krijimtarisë së lirë, larmisë dhe zhvillimit të pafund. Shkëlqen në një anë më qëllim që të fshehë realitetin që miliona njerëz janë skllavëruar nga një normë stabile e gjithëfuqishme dhe fantastike e prodhimit. Ne duam të nxjerrim në pah këtë gënjeshtër.

Ju nuk duhet të shqetësoheni që po shpalosni fabrikime teorike, ndërsa mua më duhet të vuaj “vështirësitë reale”. I vlerësoj kufizimet e rrepta dhe sfidat. Jam vërtet kurioze: si do të përballem me këtë? Si ta kthej këtë në përvojë produktive për veten dhe shoqet? Gjej burime frymëzimi; kontribuon në zhvillimin tim. Jo për shkak të sistemit, por pavarësisht tij. Dhe në luftën time, mendimet, idetë dhe tregimet tuaja janë të dobishme për mua.

Jam e lumtur të shkëmbej letra me ju. Pres përgjigjen tuaj dhe të uroj fat në kauzën tonë të përbashkët.

Nadia

10 qershor 2013 – Slavoj Žižek

E dashur Nadezhda,

U ndjeva thellësisht i turpëruar pas leximit të përgjigjes suaj. Ju shkruat: “Ju nuk duhet të shqetësoheni që po shpalosni fabrikime teorike, ndërsa mua më duhet të vuaj ‘vështirësitë reale’”. Kjo fjali thjesht më bëri me dije që mendimi përfundimtar në letrën time ishte i rremë: shprehja ime ndaj gjendjes suaj në thelb nënkuptonte: “Unë kam privilegjin të bëj teori prej vërteti dhe t’ju mësoj, ndërsa ju bëni mirë punën e raportimit të përvojave tuaja të vështira…”. Letra juaj e fundit tregon se ju jeni më shumë se kaq, tregon se jeni partnere e barabartë në këtë dialog teorik. Pranoni ndjesën time më të sinqertë për këtë dëshmi të faktit se sa thellë është i rrënjosur shovinizmi mashkullor, veçanërisht kur maskohet si simpati për vuajtjet e tjetrit. Më lejoni të vazhdoj me dialogun tonë.

Është dinamika e çmendur e kapitalizmit global ajo që e bën të vështirë e frustruese rezistencën efektive. Kujto valën e madhe të protestave që u derdhën anekënd Europës në vitin 2011, nga Greqia e Spanja, deri në Londër e Paris. Edhe pse nuk kishte ndonjë platformë politike konsistente për të mobilizuar protestuesit, ato funksionuan si pjesë e një procesi të gjerë edukues: mjerimi dhe pakënaqësitë e protestuesve u shndërruan në një akt të madh mobilizues – qindra e mijëra u mblodhën në sheshet publike duke thënë: boll më!, dhe se punët nuk mund të shkojnë më kështu. Megjithatë, ajo çka shtuan këto protesta është gjesti mohues i refuzimit me zemërim dhe një kërkesë po aq abstrakte për drejtësi, duke pamundësuar aftësinë për ta përkthyer këtë kërkesë në një program politik konkret.

Ç’duhet bërë në një situatë të tillë ku demonstratat e protestat janë të padobishme, ku zgjedhjet demokratike janë të padobishme? A mund t’i bindim turmat e lodhura e të manipuluara që nuk jemi gati të minojmë rendin ekzistues, që të angazhohemi në akte provokuese të rezistencës, por edhe të ofrojmë perspektivën e një rendi të ri?

Shfaqjet e Pussy Riot nuk mund të reduktohen vetëm në provokimet subversive. Nën dinamikën e veprimeve të tyre, ka një stabilitet të brendshëm të qëndrimit të fortë etiko-politik. Në një kuptim më të thellë, është shoqëria e sotme ajo që është kapur në dinamikën e çmendur kapitaliste pa asnjë ndjenjë të brendshme e të matur, dhe janë Pussy Riot ato që ofrojnë de facto një pikë të qëndrueshme etiko-politike. Ekzistenca e Pussy Riot u tregon mijërave se cinizmi oportunist nuk është opsioni i vetëm, që ne nuk jemi tërësisht të çorientuar, se ka ende një kauzë të përbashkët për të cilën ia vlen të luftohet.

Kështu që ju uroj gjithashtu fat në kauzën tonë të përbashkët. Të qenit besnik ndaj kauzës sonë do të thotë të jesh i fortë, sidomos tani, dhe sipas një thënieje të vjetër, fati është në anën e të fortëve.

I Juaji, Slavoji

***

13 korrik – Nadezhda Tolokonnikova

I dashur Slavoj,

Në letrën time të fundit të shkruar me nxitim, siç isha duke punuar në një dyqan qepje, nuk isha e qartë aq sa duhej në lidhje me dallimin mes asaj se si funksionin “kapitalizmi global” në Europë dhe Amerikë në njërën anë, dhe në Rusi në anën tjetër. Megjithatë, ngjarjet e fundit në Rusi – gjykimi i Alexei Navalny, miratimi jokushtetues i ligjeve antiliri – më kanë zemëruar. Ndihem e detyruar të flas për praktikat politike dhe ekonomike të vendit tim. Hera e fundit kur jam ndjerë kaq e zemëruar ka qenë në vitin 2011 kur Putini shpalli kandidaturën për president për herë të tretë. Zemërimi dhe vendimi im çuan në lindjen e Pussy Riot. Ç’do të ndodhë tash? Koha do ta tregojë.

Këtu në Rusi e ndjej shumë cinizmin e të ashtuquajturave vende të Botës së Parë ndaj atyre të varfra. Sipas mendimit tim modest, vendet e “zhvilluara” shfaqin besnikëri të ekzagjeruar ndaj qeverive që shtypin qytetarët e vet dhe shkelin të drejtat e tyre. Qeveritë europiane e amerikane bashkëpunojnë lirisht me Rusinë ndërsa ajo imponon ligje mesjetare dhe fut në burg politikanët e opozitës. Ata bashkëpunojnë me Kinën, ku shtypja aq është e keqe, sa që me ta kujtuar më ngrihen qimet e kokës. Cilët janë kufijtë e tolerancës? Dhe kur kthehet toleranca në bashkëpunim, bashkëfajësi dhe konformizëm?

Të mendosh, në mënyrë cinike, “le të bëjnë ç’të duan me vendin e tyre”, nuk bën më punë, sepse Rusia dhe Kina e vende tjera të ngjashme janë pjesë e sistemit të kapitalizmit global.

Rusia nën Putinin, me varësinë e saj nga lëndët e para, do të dobësohej shumë nëse ato vende që e importojnë naftën e gazin rus do të kishin treguar kurajën e bindjeve të tyre duke e ndalur blerjen. Edhe nëse Europa do të merrte një hap modest duke miratuar “ligjin Magnitsky” (Akti Magnitsky në SHBA i lejon asaj të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve rusë në rast se besohet që kanë shkelur të drejtat e njeriut), moralisht do të ishte mirë. Bojkoti i Lojërave Olimpike Dimërore Sochi 2014 do të ishte tjetër gjest etik. Por tregtia e vazhdueshme e lëndëve të para përbën një miratim të heshtur ndaj regjimit rus – jo vetëm përmes fjalëve, por përmes parave. Ajo shpreh dëshirën për të mbrojtur status quo-në politike e ekonomike, si dhe ndarjen e punës që shtrihet në zemrën e sistemit ekonomik botëror.

Ju cituat Marksin: “Një sistem social që kapet e ndryshket…nuk mund të mbijetojë”. Por ja ku jam, duke vuajtur dënimin tim me burg në një vend ku dhjetë njerëzit që kontrollojnë sektorët më të mëdhenj të ekonomisë janë miqtë më të vjetër të Vladimir Putinit. Ose ka studiuar me disa, ose janë marrë me sport bashkë. Me ca tjerë ka shërbyer në KGB. A nuk është i kapur ky sistem social?! A nuk është sistem feudal?!

Slavoj, ju falënderoj sinqerisht për këtë bashkëshkëmbim, dhe pres me padurim përgjigjen tuaj!

E juaja, Nadia

zizek1