Alain Badiou: Lavd i dashurisë

I frymëzuar nga një diskutim i organizuar nga Organizata Politike në Tiranë, e në pamundësi që shumë nga ne në Kosovë të merrnim pjesë, si dhe mungesa e tejtheksuar e diskutimit serioz mbi dashurinë dhe ndërlidhjen e saj me politikën, përkthimi i disa pjesëve nga vepra e filozofit francez Alain Badiou, “Lavd i dashurisë” (In Praise of Love), doli të ishte e nevojshme. Vështrimi i kësaj i kësaj vepre lexuesit i jep një kahje tjetër për të përfolurën e dashurisë postmoderne, romantike e materialiste që haset në ditët e sotme.

Dashuria zë vend kudo, duke filluar nga mitologjitë biblike e deri më sot ku jepen këshilla në faqe interneti për të. Është lavdëruar në këngë e shkrime e mohuar në të njëjtën mënyrë. Materialistët i dhanë një kahje më banale, duke e objektifikuar natyrën e saj subjektive. Romantikët e lartësuan në qiellin e shtatë, duke e bërë më të ndjeshme nga ç’është realisht. Disa filozofë e mohuan ekzistencën e saj, duke thënë se nuk është as më shumë e as më pak sesa pjellë e mendjes, që shfrytëzohet si fasadë për të kënaqur natyrën tonë hedoniste. Psikologët në anën tjetër e përshkruan si ndjesi që karakterizohet nga lidhja, kujdesi dhe intimiteti.

Alain Badiou në “Lavd i dashurisë” i përgjigjet disa nga konceptimeve mbi dashurinë. Për dallim nga Erich Fromm-i, që e sheh dashurinë si art dhe bashkimin e dy të panjohurve e sheh si bashkim në Një, por pa e harruar individualitetin, Badiou-ja e sheh dashurinë si bashkim i të dyve nga një takim i papritur, që shpie në një ndërtim drejt përjetësisë, që për të konceptohet si “Dy skena”. Për dallim nga disa filozofë që dashurinë e shohin si iluzion që shfrytëzohet sa për të arritur deri tek marrëdhënia seksuale, Badiou-ja argumenton se ajo është më shumë se fasadë, diçka më e fuqishme sesa një akt seksual çlodhës, që përjetohet në situata të lidhjes së totalitetit të qenies. Po ashtu, për të dashuria nuk e ka kuptimin e një police sigurie, kontrate apo si diçka e pakërcënuar, dhe pikërisht mendimi i sigurimit të saj sikur të ishte objekt zotërues e kërcënon atë, ndërsa siguria është proces që ndërtohet paralelisht me kohën.

Badiou-ja e ndan dashurinë nga politika, pasionin politik nga dashuria. Sipas tij dashuria ka të bëjë me atë se sa janë në gjendje dy njerëz të trajtojnë dallimet e tyre, ndryshe nga politika që merret me një numër njerëzish që mund të krijojnë barazi. Qëllimet politike ndryshojnë nga ato të dashurisë që janë përjetimi i botës nga të ndryshmit, nga dy jo të njëjtë në shumëçka, ndërsa zbulimi se për çka është i aftë kolektivi e bën diferencën. Badiou-ja na tregon se politika ka probleme me kontrollin e urrejtjes, jo me dashurinë, me ç’rast shtrohet çështja e armikut. Në politikë është e domosdoshme përballja me armikun, dramat e brendshme në dashuri janë ato që duhet të merremi, por që nuk përcaktojnë ndonjë armik. Badiou-ja përgjigjet edhe rreth pyetjeve mbi besnikërinë dhe ndërlidhjen e saj me besnikërinë politike, si dhe a do të mund të rizbulonte dashurinë riaktivizimi i hipotezave komuniste.

Lavd i dashurisë

Kapitulli I – Dashuria nën kërcënim

Në “Kuptimin e Sarkozisë”, libër që më vonë u bë i famshëm, ju argumentoni se ne “duhet të rizbulojmë dashurinë, por edhe thjesht ta mbrojmë atë pasi përballet me kërcënime nga të gjitha anët”. Ne çfarë mënyre është e kërcënuar? Sipas jush, si janë ripaketuar martesat e djeshme të organizuara në rrobat të reja të sotme? Besoj që publiciteti i një uebfaqeje për takime së fundmi të ka goditur.

E vërtetë. Parisi është suvatuar nga posterat e “Meetic”-ut, faqes së takimeve në internet, reklamat e të cilëve i shoh si shumë shqetësuese. Mund të përmend një numër të parullave që ata përdorin. Së pari, është shpërdorimi i titullit të shfaqjes së Marivaux-së, Loja e Dashurisë dhe Shansi, “Merr dashurinë pa shanse!”. Tjetra: “Dashuro pa rënë në dashuri”. Pa ngazëllime, apo jo? Pastaj: “Gjej dashurinë e përsosur pa vuajtur!”. Të gjitha këto falë faqes së takimeve “Meetic”… që ofron mundësi. Nocioni që më le pa frymë është: “Trajnimi në dashuri”. Pra ata ju pajisin me trajner që ju përgatit të përballeni me testin.

Besoj që këta reflektojnë konceptin e sigurisë në lidhje, si paraprijëse për “dashurinë”. A është dashuria në mënyrë gjithëpërfshirëse e siguruar nga të gjitha kërcënimet? Do të kesh dashuri, por në tërësi e vlerësojmë lidhjen e ardhshme, do të zgjedhim partnerin me kujdes duke hulumtuar online – pastaj e sigurojmë një fotografi, detaje nga shijet e tyre, datën e lindjes, shenjën e horoskopit e tjera. Kështu duke i vendosur në një lëmsh saqë i thua vetes: “Kjo është zgjedhje pa rrezik”. Kjo është fusha e tyre dhe është magjepsëse se si fushata e tyre reklamuese i miraton ato. Dukshëm, për aq sa dashuria është kënaqësi pothuajse secili është në kërkim të saj, gjëja që i jep kuptim dhe intensitet jetës së secilit. Jam i bindur se dashuria nuk mund të jetë dhuratë e dhënë bazuar në mungesë të rrezikut të plotë. Qasja e “Meetic”-ut më kujton propagandën e ushtrisë amerikane kur nxisnin idenë e luftës: bomba “inteligjente” dhe “zero të vdekur”.

Pra ju mendoni se ka një ndërlidhje në mes luftërave “zero të vdekur” dhe dashurisë me “zero rrezik”, në të njëjtën mënyrë që sociologët, Richard Sennett-i dhe Zygmunt Bauman-i, e shohin analogjinë në mes “Asnjë angazhim për ju” që kapitalisti financiar i thotë punëtorit të rastit dhe “Asnjë angazhim nga ana ime” që “i/e dashuri/a” i thotë partnerit derisa notojnë në një botë ku lidhjet behën e zhbëhen në emër të komoditetit e tolerimit konsumerist?

I njëjti skenar është. Lufta me “zero të vdekur” dhe dashuria me “zero rrezik”, asgjë e rastit, asnjë e papritur. (…) E shoh si kërcënimin e parë të dashurisë atë që do ta quaja kërcënimi i sigurisë. Në fund të fundit, nuk është më ndryshe sesa një martesë e organizuar. E bërë jo në emër të rendit familjar dhe hierarkisë së prindërve despotë, por në emër të sigurisë së individëve të përfshirë, përmes marrëveshjes paraprake që shmang rastësitë, të papriturat, dhe në fund çdo poezi ekzistenciale, në saje të mungesës së rrezikut kategorik.

Kërcënimi i dytë me të cilin përballet dashuria është mohimi se nuk është aspak e rëndësishme. Kundërvështrimi i kërcënimit të sigurisë është ideja që dashuria është vetëm një variant i hedonizmit të shfrenuar dhe gamës së gjerë të kënaqësisë së mundshme. (…) Sidoqoftë, ne duhet të shtojmë se rreziku nuk mund të eliminohet plotësisht. Publikimet e “Meetic”-ut, njëjtë si propaganda e ushtrive imperiale, thonë se rreziku do të jetë i tjerëve! Nëse jeni trajnuar mirë për dashuri, duke ndjekur kanunet e sigurisë moderne, nuk do ta keni vështirë të merreni me dikë që nuk iu përshtatet. Nëse ai/ajo vuan, është punë e tyre. Apo jo?! Ai/ajo nuk është pjesë e modernizmit. Në të njëjtën mënyrë “zero të vdekur” zbatohet për ushtritë perëndimore. Bombat që lëshohen vrasin shumë njerëz që duhet fajësuar se pse jetojnë nën to. Por këto viktima janë afganë, palestinezë… As këta nuk i përkasin modernizmit.

Dashuria e llojit “siguria si paraprijëse”, si çdo gjë tjetër e qeverisur nga normat e sigurisë, nënkupton mungesën e rrezikut për njerëzit që kanë policë të mirë sigurie, ushtri e polici të mirë, psikologji të mirë mbi hedonizmin personal, dhe rrezikun ua lënë të tjerëve në anën tjetër. E keni vënë re se si përherë na kanë thënë se gjërat janë trajtuar “për rehatinë dhe sigurinë tuaj”, që nga gropat e trotuareve, deri te patrullat e policisë në metro. Dashuria përballet me dy armiq: siguria e garantuar nga një policë e sigurimit dhe zona e rehatshme e kufizuar nga kënaqësitë e rregulluara.

Kapitulli III – Ndërtimi i dashurisë

Le të kthehemi tash tek koncepti juaj mbi dashurinë. E kemi përmendur që Rembrant-i dëshiroi të rizbulonte dashurinë. Por, nga cila ide mbi dashurinë fillon rizbulimi?

Mendoj se pyetjen mbi dashurinë duhet ta trajtojmë prej dy pikave që përputhen me përvojat e të gjithëve. Së pari, dashuria përfshin një ndarje ose shkëputje të bazuar në dallimin e thjeshtë mes dy njerëzve dhe subjektivitetin e pakufishëm të tyre. Kjo shkëputje, në shumicën e rasteve është dallimi seksual. Kur nuk ndodh kështu, dashuria ende siguron që dy figurat, dy interpretuesit e ndryshëm të qëndrimeve, të jenë të vendosur në anën tjetër. Me fjalë të tjera, dashuria përmban një element fillestar që e ndan, e zhvendos dhe e dallon. Kemi Dy. Dashuria përfshinë Dy.

Pika e dytë përfshin pikërisht një ndarje në momentin që këta të Dy shfaqen në skenë si të tillë dhe e përjetojnë botën në një mënyrë të re, që mund ta supozojmë si formë të rrezikshme apo të kushtëzuar. Kjo është ajo çka e njohim si “e papritur”. Dashuria përherë fillon me një të papritur. Dhe unë do ia jap kësaj të papriture një status kuazimetafizik të një ngjarjeje, pra diçka që nuk hyn në rendin e menjëhershëm të gjërave. (…) Dashuria nuk ka të bëjë vetëm thjesht me takimin e dy njerëzve dhe lidhjen e tyre të vetme: ajo është ndërtim, një jetë që është duke u bërë, jo më nga perspektiva e Njërit, por nga perspektiva e të Dyve. Dhe kjo është ajo çka unë e quaj “Dy skena”.

Sipas jush, dashuria nuk mund të kufizohet vetëm me takimin dhe merr formë me kalimin e kohës. Pse e refuzoni interpretimin e shkrirjes së dashurisë?

Mendoj që shumë njerëz kacavirren në konceptin romantik të dashurisë që në një mënyrë përthith dashurinë në të papritur. Dashuria njëkohësisht është e ndezur, e dëshiruar dhe e konsumuar që në takim, në një moment magjik jashtë botës, ashtu siç është. Diçka ndodh që është në natyrën e mrekullisë, një intensitet ekzistencial, një e papritur që prinë drejt shkrirjes. Por kur gjërat ndodhin në atë mënyrë, ne nuk shohim “Dy skena”, por vetëm “Një skenë”. Është koncepti i dashurisë mbi shkrirjen: dy njerëz takohen dhe diçka si një akt heroik për Një-në del kundër botës. Në mitologjinë romantike, mund ta shohim se si kjo pikë e shkrirjes shumë shpesh shpie deri tek vdekja. Ka një lidhje të thellë e të afërt në mes dashurisë dhe vdekjes, e padyshim pika më e lartë është vepra e Richard Wagner-it, “Tristani dhe Izolda”. Meqenëse dashuria është konsumuar pa u shprehur, moment i papritur, është e pamundur pas kësaj të kthehet prapa te bota që është e jashtme për lidhjen.

Ky është interpretim radikal i romantikëve që mendojnë se ne duhet vazhdimisht të sfidojmë. Artistikisht kjo tingëllon bukur, por për mendimin tim, ekzistencialisht, në mënyre serioze ka mungesa. Mendoj që duhet ta pranojmë si mit të fuqishëm artistik. Në fund të fundit, dashuria zë pjesë në botë. Është ngjarje që nuk mund të parashikohet ose kalkulohet në terma të ligjeve të botës. Asgjë nuk na ndalon të parapërgatitemi nga të papriturat, as faqja “Meetic” me bisedat e tyre parandaluese. Në fund, në momentin kur e shihni njëri-tjetrin në lëmsh, shikoni njëri-tjetrin, dhe u bë, është jashtë kontrollit! Sidoqoftë, dashuria nuk mund të zvogëlohet nga e papritura e parë sepse është ndërtim. (…) Të heqësh dorë që në pengesën e parë, mosmarrëveshjen e parë, grindjen e parë, është vetëm shtrembërim i dashurisë. Dashuria e vërtetë është ajo që triumfon deri në fund, nganjëherë me dhimbje, mbi pengesat e ngritura nga koha, hapësira dhe bota.

Në librin tuaj, “Kushtet”, ju kundërshtoni një numër të qëndrueshëm të ideve mbi dashurinë, sidomos idenë se ndjenja e dashurisë është një iluzion. Koncept qendror ky i traditës së francezëve moralistë, për të cilët dashuria është “fasadë dekorative nëpërmjet së cilës realiteti i seksit theksohet vetvetiu”, e cila konsideron se “dashuria është dëshirë thelbësore dhe xhelozi seksuale.” Pse e kritikoni këtë koncept?

Koncepti i moralistëve i takon traditës së skeptikëve. Filozofia pretendon se dashuria nuk ekziston me të vërtetë dhe është thjesht dëshirë e maskuar. Dëshira është e vetmja gjë që ekziston. Sipas këtij vizioni, dashuria është thjesht diçka që imagjinata e ndërton për t’i dhënë mbulesë dëshirës seksuale. Kjo ide, që ka histori të gjatë, inkurajon që të gjithë të jenë dyshues rreth dashurisë. Po ashtu kjo i përket gjuhës së “sigurisë si paraprijëse” sepse në parim na thotë: “Dëgjo, nëse ju keni dëshira seksuale, përmbushini ato. Por nuk keni nevojë t’i përkuleni idesë që duhet të dashurosh ndokënd. Harroje atë dhe vetëm bëje!” Sidoqoftë, në këtë rast, mund të them se dashuria është duke u dëmtuar – ose prishur – në emër të realitetit të seksit.

Në këtë çështje, dëshiroj t’i referohem eksperiencës time. E di, unë mendoj si kushdo për insistimin e dëshirës seksuale. Mosha nuk më lejon ta harroj. Po ashtu e di që dashuria skalit përmbushjen e kësaj dëshire, në rrjedhën e zhvillimit të vet. Dhe kjo është e rëndësishme sepse, siç na thotë literatura që nga kohërat e lashta, përmbushja e dëshirave seksuale funksionon si ato provat e rralla materiale, lidhur krejtësisht për trupi, se dashuria është më shumë se thjesht një deklarim fjalësh. Deklarimi i fjalës “të dua!”, në njëfarë mënyre, vulos aktin e të papriturës, është thelbësore dhe paraqet përkushtim. Duke dorëzuar trupin tuaj, duke i hequr rrobat, duke qenë zhveshur për tjetrin, duke provuar ato gjestet e shenjta, duke hequr dorë nga sikleti, duke bërtitur, e gjithë kjo përfshirje është provë e dorëzimit në dashuri. Thelbësisht dallon nga miqësia. Miqësia nuk përfshin kontakt trupor, a ndonjë rezonancë kënaqësie për trupin. Ja pse është më shumë bashkëngjitje intelektuale, që shumë filozofë skeptikë të pasionit e preferojnë.

Dashuria, me kalimin e kohës, përqafon të gjitha aspektet pozitive të miqësisë, dhe dashuria lidhet me totalitetin e qenies së tjetrit, ndërsa dorëzimi i trupit bëhet simbol material i këtij totaliteti. Njerëzit mund të thonë: “Kjo nuk është e vërtetë! Është dëshira dhe dëshira që vet funksionon aty”. Unë mund ta ruaj atë brenda kuadrit të dashurisë që shfaq veten. Kjo deklaratë, edhe pse mbetet e fshehur, është ajo çka prodhon efektin e dëshirës, dhe jo dëshirën në vetvete. Dashuria dëshmon veten duke përshkuar dëshirën. Rituali i trupave është pasqyrimi i botës materiale që komunikon idenë se premtimi për të rizbuluar jetën do të përmbushet, fillimisht në kushtet e trupit. Por edhe në kllapinë e tyre më të egër, të dashuruarit e dinë që dashuria është aty, si një gardian engjëll i trupave të tyre, saqë kur zgjohen në mëngjes, paqja zbret mbi dëshminë se trupat e tyre e kanë kuptuar që dashuria është deklaruar.

Kjo është arsyeja se pse besoj që dashuria nuk është, e nuk mund të jetë për asnjërin (përjashto ideologët e prirë për ta zhdukur atë), një pelerinë e thjeshtë për kënaqësi seksuale, apo dredhi kapriçoze që garanton mbijetesën e specieve.

Kapitulli IV – E vërteta mbi dashurinë

Na kujtuat më herët që Platoni e ka identifikuar lidhjen e veçantë që ekziston në mes dashurisë dhe të vërtetës. Në çfarë mënyre mendoni se dashuria është “procedurë e vërtete”?

Besoj me të vërtetë se dashuria, siç e quaj në zhargonin tim filozofik, është “procedurë e vërtete”, që është një përvojë ku një lloj e vërtete është e ndërtuar. E vërteta është thjesht e vërteta për Dyshin. Dhe mendoj se dashuria – që e quaj “Dy skena” – është përvoja. Në këtë kuptim, çdo dashuri që pranon sfidat, zotohet thjesht sepse ne i duam të vërtetat. Kjo është ajo që i jep filozofisë kuptim: njerëzit e pëlqejnë të vërtetën, edhe atëherë kur nuk e dinë se e pëlqejnë atë.

Siç shihet kjo e vërtetë duhet të thuhet, dhe ju folët më herët për dashurinë që është “deklaruar”. Sipas jush, nga nevoja, ka një fazë në dashuri kur dashuria deklarohet. Pse është jetike që dashuria të flasë?

Sepse deklarata është e gdhendur në strukturën e ngjarjes në vete. Fillimisht, ne kemi një të papritur. E vura në dukje se si dashuria fillon me një kontingjencë të tërë, me karakter të rastësishëm të të papriturës. Këto janë në të vërtetë lojërat e dashurisë dhe shansit. Dhe janë të paevitueshme. Ato përherë ekzistojnë, pavarësisht nga publikimet që më herët i përmenda. Por shansi, në çdo moment duhet të frenohet. Duhet të kthehet në një proces që mund të zgjasë. Kjo është e vështirë, pothuajse problem metafizik: si mundet shansi i pastër i fillimit të bëhët boshti për ndërtimin e së vërtetës? Si mundet diçka që ishte e paparashikuar e që dukej e lidhur me tekat e paparashikuara të ekzistencës, të bëhet kuptimi i përgjithshëm i dy jetëve që nuk janë takuar më herët, e cila do të angazhohet në përvojën e zgjatur të rilindjes së vazhdueshme të botës nëpërmjet ndërmjetësimit të dallimit në vështrimet e tyre? (…) Njerëzit mund të thonë: pse të flasim për të vërtetën e madhe në lidhje me faktin banal që shumë e shumë nga ne takojmë kolegët e koleget tona në punë? Kjo është ajo çka duhet të nënvizojmë: një akt dukshëm i parëndësishëm, por në të zhvillohet një ngjarje radikale në një mikronivel të jetës që mbart kuptimin universal në mënyrën që vazhdon e zgjatë.

(…) Deklarimi i dashurisë shënon tranzicionin nga shansi tek fati, dhe ja pse është e rrezikshme dhe e ngarkuar me një lloj emocioni të tmerrshëm. Për më tepër, deklarimi i dashurisë nuk është medoemos diçka që thuhet vetëm një herë: ajo mund të zgjasë, të përhapet, të ngatërrohet, të hutohet, të deklarohet dhe rideklarohet, dhe mandej mund te rideklarohet përsëri. (…) Nëse “të dua!” nuk është thjesht një dredhi sa për të fjetur me dikë, atëherë cila është çështja? Nëse nuk është dredhi, ç’është? Çfarë po thuhet? Nuk është aq e lehtë të thuhet “të dua!”. Kjo fjali e vogël zakonisht mendohet të jetë krejtësisht e pakuptimtë dhe banale. Përveç kësaj, njerëzit ndonjëherë preferojnë të përdorin diçka tjetër poetike, fjalë të tjera jo të zakonshme, si “të dua!”. Çka në të vërtetë ata thonë është: duam të nxjerrim diçka tjetër nga shansi i thjeshtë. Duam të nxjerrim diçka të qëndrueshme, diçka që do të zgjasë, një angazhim, një besnikëri. Dhe këtu po e përdor fjalën “besnikëri” në zhargonin tim filozofik, të zhveshur nga konotacionet e zakonshme

Në këtë kontekst do të dëshiroja të citoja Andre Gorz-in, veprën e tij “Letrat për D-në“, ku deklarimi i dashurisë e çon filozofin deri tek gruaja e tij, Dorine, dhe tregimi i dashurisë së tij, nëse mund të shprehëm kështu, gjithmonë ka rezistuar. “Shumë shpejt do të bëhesh 82-vjeçare. Je tkurrur për gjashtë centimetra dhe peshon 45 kilogram, por ende je e bukur, e këndshme dhe e dëshirueshme si kurrë më parë. Jemi duke jetuar për 58 vjet, dhe unë të dua më shumë se kurrë. Në zbrazëtinë e gjoksit tim ende mund të ndiej boshllëkun si gërmadhë që mund të plotësohet vetëm me ngrohtësinë kur trupi yt bashkohet me timin.” Çfarë kuptimi i jep besnikërisë?

A nuk është kuptimi i besnikërisë më i gjerë se një premtim i thjeshtë saqë të mos flesh me dikë tjetër? A nuk tregon “të dua!” fillestare angazhimin që nuk kërkon përkushtim të veçantë, apo angazhim për të ndërtuar diçka të qëndrueshme në mënyrë për t’u liruar nga të papriturat e saj? Mallarame-je e pa një poezi diçka si “shansi i mundur fjalë për fjalë”. Në dashuri, besnikëria nënkupton fitore të zgjatur: rastësia e një të papriture mposhtet ditë pas dite pasi që të zbulohet ajo që e zgjatë atë, deri në lindjen e botës së re. Pse njerëzit shpesh thonë: Unë përherë do të dua? E dhënë që sigurisht që nuk është dredhi. Moralistët natyrshëm e kanë fyer atë, duke thënë se kjo në fakt nuk është e vërtetë. Fillimisht, nuk është e vërtetë se ajo nuk është e vërtetë. Ka njerëz që gjithmonë e duan njëri-tjetrin, më shumë nga ç’mund të mendojmë ne.

Të gjithë e dinë se duke vendosur për të përfunduar një dashuri të tillë, veçanërisht në mënyrë të njëanshme është gjithmonë fatkeqësi, çfarëdo qofshin arsyet e shkëlqyera që çuan në një veprim të tillë. Njëherë në jetën time jam shkëputur nga një dashuri. Ishte dashuria ime e parë. Pastaj gradualisht u bëra aq i vetëdijshëm se ky hap ishte gabim, saqë u përpoqa ta rimarr dashurinë fillestare. Vonë ishte, shumë vonë – vdekja e një dashurie ishte afruar – me një intensitet të veçantë dhe me ndjenjën e nevojës. Por kurrë nuk hoqa dorë nga dashuria. Kam përjetuar drama dhe ndrydhje të zemrës e dyshime, por kurrë nuk e braktisa një dashuri. Ndjehem i sigurt nga fakti që gratë që i kam dashuruar, i kam dashuruar përgjithmonë. Pra, kam arsye personale për të ditur që skeptikët janë larg nga e vërteta. Dhe së dyti, nëse “të dua!” është gjithmonë në shumë aspekte paralajmërues i “Përherë do të të dua”, kjo shënjohet si efekt i shansit të mbyllur në kuadrin e përjetësisë. Ne nuk duhet të frikësohemi nga fjalët. Mbyllja në një shans është parashikim i përjetësisë. Dhe në një masë, çdo dashuri thotë se është e përjetshme: kështu supozohet brenda deklarimit të saj…

Problemi më pas qëndron në skalitjen e kësaj përjetësie brenda kohës sepse në thelb ajo është dashuria: një deklaratë e përjetësisë për t’u përmbushur ose shpalosur me kohë në mënyrën më të mirë të mundshme; përjetësia që zbret në kohë. (…) Dashuria qëndron e fuqishme, subjektivisht e fuqishme: një nga ato përvojat e rralla ku në baza të një rastësie skalitet një moment, që ne përpiqemi që të jetë deklarata e përjetësisë. “Përherë” është fjala që përdoret për të deklaruar përjetësinë sepse ne nuk mund ta dimë se sa “përhera” mund të zgjasë ose ç’kuptim ka ajo. “Përherë” do të thotë “përjetësisht”. (…) Dashuria, thelb i së cilës është besnikëria në kuptimin që unë ia jap në këtë botë, tregon se si përjetësia mund të ekzistojë brenda kohëzgjatjes së jetës. Po, lumturia në dashuri është prova se koha mund të strehojë përjetësinë. Mund të gjeni prova edhe kur ndjeni entuziazëm politik me pjesëmarrjen në një akt revolucionar, kënaqësi që merren nga veprat e artit, apo kur përjetojmë gëzim mbinatyror kur e kuptojmë në thellësi një teori shkencore.

Kapitulli V – Dashuria dhe politika

Cila është marrëdhënia mes politikës dhe dashurisë? Mos politika gjithashtu përfshin ngjarje, deklarata dhe besnikëri?

Sipas pikëpamjeve të mija, politika përbën një procedurë të vërtete, në një nga shtyllat në kolektiv. Mendoj se veprimet politike testojnë të vërtetën e asaj çka kolektivi është i aftë të arrijë. Për shembull, a mund ta përqafojë barazinë? A mund të integrohet në atë që është heterogjene? A mund të pranojë se ka vetëm një botë? Thelbi i politikës mund të përmblidhet në pyetjen: për çka janë të aftë individët kur takohen, organizohen, mendojnë dhe marrin vendime? Dashuria ka të bëjë me dy njerëz që janë në gjendje të trajtojnë dallimet mes tyre duke i bërë më kreative. Politika ka të bëjë me gjetjen e një numri njerëzish, një mase sojesh në fakt, që mund të krijojnë barazi. Njësoj si familja që ekziston në nivelin e dashurisë me qëllim që të shoqërojë ndikimin e saj, në nivel të politikës, fuqia e shtetit ekziston për të shtypur entuziazmin e saj. E njëjta lidhje me gjemba ekziston ndërmjet politikës si mënyrë praktike, kolektive, e të menduarit përmes pushtetit bashkë me shtetin si instrument për menaxhim e rregullim, edhe çështja e dashurisë ka të bëjë me shpikjen e shfrenuar të të Dyve, me familjen si njësi themelore të pronësisë dhe egoizmit.

Në qoftë se luajmë me fjalën “shtet[1]“, familjen ta përkufizojmë si shtetin e dashurisë. Për shembull, kur marrim pjesë në një lëvizje masive politike ne përjetojmë tension kuptimplotë kur pyesim: “Për çka është i aftë ky kolektiv?”, apo pushteti e autoriteti i shtetit? Rezultati tregon se shteti ka të bëjë pothuajse gjithmonë me tradhtinë e shpresës politike. A duhet tash të pohojmë se familja gjithmonë ka të bëjë me tradhtinë e dashurisë? Është e qartë se pyetja duhet të shtrohet. Në mënyrën se si unë e shoh, ajo ndikon nga pika në pikë, nga vendimi në vendim. Ka disa çështje si ato të zbulimit të seksit, fëmijëve, punës, miqve, netëve jashtë, pushimeve e çkado. Duke kufizuar të gjitha këto për të arritur deklarimin e dashurisë, nuk është çështje e thjeshtë. Njësoj edhe në politikë, ka çështje të pushtetit shtetëror, kufijve, ligjeve dhe policisë, që po ashtu nuk është e lehtë t’i mbajmë brenda një kuadri të hapur barazimtar, revolucionar. (…) Politika ndoshta nuk mund të realizohet kurrë pa shtetin, por kjo nuk nënkupton se fuqia është qëllimi i saj. Qëllimi i saj është që të zbuloj se për çka është i aftë kolektivi, jo fuqia në vete. Ngjashëm në dashuri, qëllimi është të përjetohet bota nga pikëpamja e të ndryshmëve, pikë për pikë, dhe jo thjesht sa për të siguruar riprodhimin e specieve.

Pse atëherë nuk e parashikoni një “politikë të dashurisë”, njësoj si Jacques Derrida-ja parashtroi një “politikë të miqësisë”?

Pse atëherë nuk e parashikoni një “politikë të dashurisë”, njësoj si Jacques Derrida-ja parashtroi një “politikë të miqësisë”?

Nuk mendoj se mund të përziejmë dashurinë dhe politiken. Sipas mendimit tim, “politika e dashurisë” është shprehje e pakuptimtë. Mendoj se kur filloni të thoni “doni njëri-tjetrin”, kjo mund të shpjerë tek etika, por jo te politika. Kryesisht për shkak se ka njerëz në politikë që nuk dashurojnë…kjo është e pamohueshme. Askush nuk mund të pres nga ne që t’i duam.

Dashuria mund të jetë po ashtu luftë…

Duhet të kemi parasysh se si çdo proces për të gjetur të vërtetën, edhe procesi i dashurisë nuk është çdoherë i qetë. Mund të sjellë argumente të dhunshme, ankthe të vërteta dhe ndarje që ne nuk mund t’i kapërcejmë. Ne duhet ta pranojmë si një nga përvojat më të dhimbshme në jetën subjektive të një individi! Kjo është arsyeja se pse disa njerëz promovojnë propagandën e tyre për “t’u siguruar plotësisht”. Kam përmendur më herët që shumë njerëz vdesin për shkak të dashurisë. Ka vrasje e vetëvrasje që shkak kanë dashurinë. Në fakt, në këtë nivel, dashuria jo medoemos është më paqësore nga politikat revolucionare. E vërteta nuk është diçka që ndërtohet në një kopsht trëndafilash. Kurrë! Dashuria ka agjendën e vet të kontradiktave dhe dhunës. Dallimi është se në politikë me të vërtetë duhet të merremi me armiqtë tanë, ndërsa në dashuri kemi të bëjmë me dramat, brendësinë, dramat e brendshme që në të vërtetë nuk përcaktojnë ndonjë armik, edhe pse ato ndonjëherë me ndryshim kërkojnë identitetin në konflikt. Dramat në dashuri janë përvoja të rrepta të konfliktit mes identitetit dhe dallimit.

A nuk është e mundur ta bëjmë bashkë dashurinë dhe politikën pa zbritur në moralizimet e një politike të dashurisë?

Kemi dy nocione politike, ose filozofiko-politike, që mund të krahasohen me një format të thjeshtë të dialektikës së pranishme në dashuri. Së pari, fjala “komunizëm” përmbledh idenë që kolektivi është i aftë për t’u integruar në të gjitha dallimet ekstrapolitike. Njerëzit nuk duhet të ndalohen nga pjesëmarrja në procese politike të llojit komunist veç se janë kështu apo ashtu, ose kanë lindur këtu apo kanë ardhur nga diku tjetër, apo flasin këtë apo tjetër gjuhë, ose i përkasin kësaj apo asaj kulture, në mënyrë të njëjtë që identiteti në vete nuk është pengesë në krijimin e dashurisë. Dallimi i vetëm politik me armikun është “papajtueshmëria”, siç thoshte Marksi. Dhe kjo nuk është e barazvlefshme në procesin e dashurisë.

Pastaj shfaqet fjala “Fraternity” (vëllazëri). “Fraternity” është më e errëta nga tri fjalët e motos Republikane. Ne mund të argumentojmë në lidhje me “lirinë” sepse e dimë se cila është lidhja e saj. Ne mund të sigurojmë një përkufizim mjaft të saktë të asaj çka përfshin “barazia”. Por çka është “fraternity”? Padyshim që ka të bëjë me çështjen e dallimeve, me bashkëpraninë e tyre shoqërore në kuadër të proceseve politike e kufirin thelbësor gjatë ballafaqimit me armikun. Ky është nocion që mund të mbulohet nga internacionalizmi, sepse, nëse kolektivi mund ta vërë barazinë në vend, kjo nënkupton se mund të integrohen edhe divergjencat më të gjëra, në masë të madhe duke kufizuar fuqinë e identitetit.

Dëshira për ta sjellë dashurinë me këmbë në tokë, për ta lëvizur nga transcendenca në imanencë, ishte qendrore për komunizmin historik. Në çfarë mënyre riaktivizimi i hipotezave Komuniste mund të përbëjë një mënyrë për të rizbuluar dashurinë?

Iu referova më herët asaj që unë e mendoj mbi përdorimin politikë të fjalës “dashuri”, dhe se si është devijuar nga përdorimet fetare. Megjithatë, këtu kemi të bëjmë më një forcë të jashtëzakonshme transcendentale që mbërthen fuqinë e dashurisë. Nuk është më Zoti, por partia, dhe përmes partisë është lideri i saj suprem. Shprehja “kulti i personalitetit” përmbledh këtë lloj transferimi kolektiv të dashurisë te figura e saj politike. Poetët shpreheshin: shikoni psalmet që Eluard-i i thur Stalinit, himnet e Aragonit mbi rikthimin e Maurice Thorez-it në Francë pas sëmundjes së tij… E shoh kultin e partisë si shumë interesant. Aragoni është më simptomatik: “Partia ime solli tek unë ngjyrat e Francës”, etj. Menjëherë ne shohim se si dashuria modulohet. Ndonëse e shkruar për partinë apo dashurinë e saj, fjalët e Elsa Triolet-së janë shumë të ngjashme. Është e dobishme të shihet se si partia që kemi menduar se është thjesht një instrument tranzitor për emancipimin e klasës punëtore dhe njerëzve të shndërrohet në një fetish. Nuk dua të bëj shaka me asnjë nga këto: ishte kjo epokë e pasionit politik që ne nuk mund ta vazhdojmë, që ne nuk mund ta shohim me syrin kritik sepse ishte intensive dhe besimi i tyre llogaritej në miliona njerëz. Ajo që mund të themi, pasi që dashuria është tema jonë, është se këto dyja nuk duhet të ngatërrohen, pra dashuria dhe pasioni politik.

Politika përballët me problemin e kontrollimit të urrejtjes, jo dashurisë. Dhe urrejtja është pasion që pashmangshëm shtron çështjen e armikut. Me fjalë tjera, në politikë ku edhe armiqtë ekzistojnë, roli i organizatës çfarëdo çoftë ajo, është që të kontrollojë, në fakt të shkatërrojë pasojat e urrejtjes. Kjo nuk do të thotë që “të predikojmë dashuri”, por duhet të përballemi me një sfidë të madhe intelektuale që të sigurojmë ndoshta definicionin më të kufizuar, atë të armikut politik, që ishte i mjegullt e i paarrirë, pothuajse gjatë gjithë shekullit të kaluar.

A do të ishte më mirë që të ndahet dashuria nga politika?

Shumë mendimtarë bashkëkohorë janë përpjekur të ndajnë atë që i bëri bashkë në mënyrë të gabuar. Në të njëjtën mënyrë si përkufizimi mbi armikun që duhet të kufizohet e kontrollohet, të reduktohet në minimum, edhe dashuria si aventurë e vetme në kërkim të së vërtetës mbi dallimin, duhet të ndahet në mënyrë rigoroze nga politika. Kur flas me hipoteza komuniste, thjesht dua të sugjeroj se format e ardhshme të politikës emancipuese duhet të gjenden për të ringjallë e riafirmuar idetë komuniste. Idetë që bota nuk është e dhënë pas koprracisë së pronës private, por pas shoqërisë së lirë dhe të barabartë. Për këtë qëllim, ne mund të përdorim mjete të reja filozofike dhe një numër të mirë për të lokalizuar përvojat politike që kanë sjellë të menduarin në mënyrë të re. Në një kuadër të tillë do të ishte më e lehtë të rizbulojmë dashurinë sesa të rrethohemi me furi kapitaliste. Dashuria, si çdo proces tjetër në kërkim të së vërtetës, është thelbësisht pa interes: vlera e saj banon e vetme në vetvete dhe shkon përtej interesave të dy individëve të përfshirë. Kuptimi i fjalës “komunizëm” nuk ndërlidhet menjëherë me dashurinë. Fjala në vete sjell mundësi të reja për dashuri.

Ka një tjetër dimension të mundshëm mes avatarëve të dashurisë brenda politikës komuniste. Ka histori dashurie që janë ndërtuar kundër disa sfondeve sulmuese dhe lëvizjeve të tjera shoqërore. Shpesh ju e theksoni këtë dimension pasi kjo e lejon shkeljen e dashurisë nga shkeljet politike të aleatëve. Cila është specifika e kësaj dashurie në luftë?

am goxha i ndjeshëm në këtë aspekt të gjërave sepse ia kam kushtuar subjektit një pjesë të konsiderueshme të shkrimeve si dramaturg e romancier. Në veprën time “Vecharpe Rouge”, tregimi ka të bëjë me dashurinë në distancë të një vëllai e motre me gjithë mëshirimin e një levizje të madhe politike që përfshin luftëra çlirimtare, sulme, dhe takime me bollëk. Në veprën tjetër “Calme bloc ici-bas”, e strukturuar njësoj si vepra e Hugos, “Les Miserables”, afresku revolucionar përfshin dashurinë e një punonjësi shiit, Ahmed Aazami, me terroristen Claude Ogasawara që pas vdekjes, Ahmedi birëson fëmijën e saj. Njësoj si tek “Les Miserables” kur birësohet Simoni, i biri i Elisabeth Cathely. Në këto raste, qëllimi im nuk është të nxjerr në pah ngjashmëritë mes dashurisë dhe përkushtimit revolucionar, por rezonancën e fshehtë që është krijuar në përvojën më intime individuale. Jeta intensive fitohet me angazhim të qind për qind rreth një ideje të veçantë, ndërsa cilësia e intensitetit të veçantë gjenerohet nga vështirësitë e dallimit në dashuri.

Është njësoj si dy instrumente muzikore që janë krejtësisht të ndryshme në ton dhe volum, por që në mënyrë misterioze konvergjojnë kur bashkohen nga një muzikant i madh. Kam skalitur në këto vepra bilancin e jetës sime gjatë “viteve të kuqe” mes majit të 68′ dhe 80′ave. Kjo është periudha kur kam zhvilluar bindjet e mija politike, dhe në mënyrë të paepur i kam qëndruar besnik “komunizmit”. Më pastaj strukturova të ardhmen rreth proceseve të dashurisë që ishin përgjithësisht definitive. (…) Siç e kam përmendur tashmë, nga bindjet e dashurisë dhe politikës, nuk duhet hequr dorë kurrë. Ky në të vërtetë ishte momenti kur, mes politikës dhe dashurisë, jeta ime gjeti akordin muzikor që e siguron harmoninë e vet.

[1] Në frëngjisht, emri état shënjon edhe gjendjen, edhe shtetin. (Shën. red.)

Botuar ne Organizata Politike; http://opolitike.org/studime/alain-badiou-lavd-i-dashurise/

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s