Sandinistat: Karlos Fonseka dhe Revolucioni Nikaraguan II

Hyrje

Si vazhdim i studimit mbi Revolucionin Nikaraguan, e njohjes së jetës e iniciativës së panjohur të udhëheqësit rebel sa ishte nxënës e student, Karlos Fonsekës, përktheva kapitullin e dytë të librit të Matlide Zimerman-it, “Sandinistët: Karlos Fonseka dhe Revolucioni Nikaraguan”. Nikaragua e vitit 1950-58 përjetonte kulmin e mjerimit shoqëror, me institucione arsimore të kontrolluara nga dora e diktatorit Anastasio Somoza e Garda Kombëtare. Varfëria ishte e pakalueshme, bashkë me varfërinë arsimore. Ëndrrat e guximi ishin utopi, ose të gatuara nga i gjithëpushtetshmi. Heronj nuk kishte e nuk njiheshin, por filluan të duken. Karlos Fonseka Amador ishte njëri syresh.  

Meqë shkollimi ishte luks në rrethana kur ngopja e barkut ishte e zorshme, Karlos Fonseka ishte i vetmi nga familja që kishte vazhduar shkollimin e mesëm në institutin e vetëm arsimor pa pagesë në kryeqytetin e Nikaraguas, Matagalpa. Konformizmin që nga ditët e para të shkollës nuk e dëshironte. Dëshironte diçka më shumë përtej ëndrrës së gatuar. Dëshironte të ëndërronte rrezikshëm. Si 14-vjeçar themeloi revistën studentore Segovia, e cila gjatë ekzistencës së saj kishte qëllim arsimimin e të paarsimuarve, të cilin Fonseka e konsideronte si detyrë patriotike. Vëmendje i kushtoi edhe çështjes së votimit të gruas, ku me një replikë ndaj një shkrimi në revistën studentore, e cila kundërshtonte votimin e gruas për arsye se vota është e parëndësishme për aq sa sistemi i ka shndërruar në punëtore të thjeshta, Fonseka kishte kundërargumentuar duke thënë se çdokush që preket nga jeta politike ka të drejtë të marrë pjesë në jetën politike. Për shkak të rrethanave, emri i diktatorit nuk ishte thumbuar në asnjë nga numrat e revistës. Jetësimi i revistësSegovia kishte plotësuar hendekun e asaj kohe, duke gjetur mesin e dy kaheve të turbullta të liberalëve e konservatorëve.

Aktivizmi i tij kishte filluar me mbulimin me të zezë të një ure mbi të cilën parashikohej të kalonte Anastasio Somoza. Ndjekja e së vërtetës e kishte drejtuar tek marksizmi, ani pse literatura ishte e vështirë e gjendur, ai kishte mësuar frëngjishten për ta lexuar Manifestin Komunist. Pjekjen ideologjike Fonseka do të arrinte pas Revolucionit Kuban, sepse sa ishte nxënës përkrahte idenë e industrializimit dhe modernizimit të shtetit nëpërmjet kapitalizmit. Afërsinë me Partinë Komuniste (PSN) do ta krijonte si nxënës, do ta vazhdonte si student, e më pas do ta shkëpuste për shkak se konsideronte se nuk ishin as marksistë, e as revolucionarë.

Idealizmi i tij kishte vazhduar edhe pas përfundimit të shkollës së mesme. Punësimin si bibliotekist në një nga shkollat e Leonit do ta shfrytëzonte për rekrutim të të shtypurve, të rebelëve. Student juridiku në një vend tradicionalisht liberal, nuk do të paraqiste ndonjë problem për të organizuar diskutime mbi marksizmin klasik, por nuk mundi t’iu shmangej edhe problemeve nga këto aktivitete. Pas vrasjes së diktatorit Anastasio Somoza Garsia, Karlos Fonseka ishte burgosur për 50 ditë duke iu konfiskuar të gjitha librat e fletushkat marksiste, ani pse ky nuk kishte asnjë ndërlidhje me këtë komplot. Edhe pse i tejlodhur nga aktivizmi studentor, ai kishte shkuar në Moskë, ku gjatë kësaj vizite kishte shkruar librin “Un Nicaraguense en Moscu”, në të cilin thurte elozhe ndaj Stalinit e Bashkimit Sovjetik. Për aq sa ishte pjesë e Universitetit Kombëtar çdo iniciativë vinte nga ai e shokët e tij, përfshirë grevën e parë në histori të këtij institucioni, dhe kërkesën triumfuese për autonomi.

Nikaragua kishte gati Çenë e saj që jetonte paralelisht me të. Ai quhej Karlos Fonseka Amador. Aktivist e revolucionar, frymëzuesi kryesor i përmbysjes së mjerimit e shtypjes. Edhe pse ai vetë nuk i gëzoi këto, populli i Nikaraguas do t’i jetë përherë mirënjohës.   –

Valton Marku

 

Matlide Zimerman

Studenti rebel1950-1958: Karlos Fonseka Amador, Nxënës

Ishte viti 1950 kur 14-vjeçari Karlos Fonseka hyri në shkollën e vetme të mesme në Matagalpa, të quajtur Instituti Kombëtar i Veriut (INN). Asnjëri nga vëllezërit e tij amënor nuk kishte shkollim të mesëm. Rauli kishte kryer një ose dy vite nga shkolla fillore, ndërsa Reneja dhe Huan Albertoja mezi e kishin përfunduar klasën e katërt. Karlosi ishte diplomuar si një nga më të dalluarit e klasës, në të vetmen shkollë fillore pa pagesë të qytetit, “Escuela Superior de Varones”, që gjendej disa blloqe larg shtëpisë së tij. Trupi i nxënësve të shkollës INN përbëhej kryesisht nga meshkuj, ndonëse shkolla kishte filluar të pranonte nxënëse vajza në fillim të vite ‘50. Kishte edhe disa bursa në dispozicion për të mbuluar paksa shkollimin dhe akomodimi në konvikte për studentët në nevojë ishte njëfarë lehtësie modeste nga ana e qeverisë. Një nxënës në gjysmën e dytë të viteve ‘50 thoshte se shkolla INN ishte “më shumë shkollë korrektuese sesa institucion arsimor, ndërsa studentëve të konvikteve, për të mbijetuar, u është dashur shumë shpejt të mësojnë të vjedhin, për bukë sigurisht”. Në anën tjetër, një artikull i vitit 1955 i botuar në gazetën e studentëve të shkollës INN Segovia theksonte karakterin e trupit të nxënësve të ngjashëm si të klasës punëtore:

“Kjo fabrikë e vogël e jona që ne e quajmë Institut do të jetë përherë e gatshme të prodhojë të rinj të kualifikuar për ne, të varfrit, bijtë e bijat e njerëzve të përulur. Studentët e diplomuar nga kjo shkollë janë vjelë nga masat, bijtë e mekanikëve, muratorëve, këpucarëve, rrobaqepësve, dyqanxhinjve etj. Bijtë e të pasurve dhe gati të pasurve kanë me bollëk para për të shkuar në SHBA e në qendra të mëdha edukimi”.

Si institucion publik, shkolla INN kishte lidhje me shtetin e Somozës, e për shkak të kësaj lidhjeje përparësi kishin fëmijët e burokratëve, të oficerëve të Gardës Kombëtare, si dhe të mbështetësve të partisë Nacional-Liberale të Somozës. Lidhjet e Karlosit me familjen Amador (familja e babait të tij milioner – v.p.) patën rëndësi po aq të madhe sa arritjet e tij akademike në vendimin që kishte marrë shkolla për ta shpërblyer me bursë të plotë. Meqë më vonë kishte preferuar të përdorë vetëm mbiemrin e tij amnor Fonseka, për shkollën INN ai mbeti përherë Karlos Fonseka Amador.

Pavarësisht statusit të saj gjysmëzyrtar, shkolla INN kishte traditë të aktiviteteve opozitare nga studentët. Jetëshkurtra Vanguardia Juvenil (Pararoja rinore)e vitit 1946 ishte botuar nga nxënësit e kësaj shkolle, por ishte jetëshkurtër aq sa Espartaco (Spartaku) e viteve 1947-48. Tomas Borge, nxënës i shkollës INN që më vonë kishte ndihmuar krijimin e FSLN-së, shkruante artikuj të ashpër ndaj Somozës në gazetën e atëhershme Vanguardia Juvenil. Ai përshkruante bllokun që përkrahte kandidaturën e Somozës në zgjedhjet e 1947-s si: “front… i përbërë nga reaksionarë, lajkatarë dhe frikacakë, që qëllim kanë përjetësimin e fuqisë së Fyhrerit e Gestapos së Nikaraguas, në mënyrë që të vazhdojë gjakderdhja e rebelëve të rinj, të vazhdojnë persekutimet, burgosjet dhe rrahjet e tyre”. Gjatë periudhës paraelektorale, Borge, Ramon Gutierrez dhe të tjerë disidentë të rinj mbuluan në të zezë një urë që Somoza e kishte në itinerar për ta kaluar.

Nxënësit radikalë të shkollës INN u burgosën disa ditë për shkak të aktivitetit të tyre. Gutierrezi tregonte kur njëherë “i detyruan t’i pastrojnë me duart e tyre rrugët karshi Parkut Qendror, saqë edhe copëza fekalesh mblodhën me duar. Disa të rinj të tjerë, nën shoqërimin e rojeve i dërguan të hedhin mbeturina të zorrëve në Rio Grande (lumi në qendër të Matagalpës që derdhet në Detin e Karaibeve v.p), buzë qytetit. Nuk kishte nevojtore në burgun e qytetit, dhe mbeturinat e zorrëve dhe urinën e kishin mbledhur e futur në bidonë pesëmbëdhjetëlitërshe, e më pas e kishin hedhur në lumë”. Në vitin 1952, INN-i ishte shkolla e vetme e mesme në vend që iu bashkua grevës së studentëve universitarë që kërkonin heqjen e pllakëzës për nder të Somozës, të vendosur në hapësirat e Universitetit Kombëtar.

Në fillim të viteve ‘50, Fonseka mori pjesë në disa takime të grupit të të rinjve konservatorë dhe për pak kohë punoi me Unionin Kombëtar të Aksionit Popullor (Union Nacional De Accion Popular, UNAP), lëvizje e udhëhequr nga intelektualë që ishin pjesëmarrës të demonstratave kundër Somozës në mesin e viteve ‘40. Gjatë të njëjtës kohë, ai krijoi lidhje me një organizatë që do të kishte më shumë ndikim politik në të; ajo ishte Partia Komuniste e Nikaraguas (PSN). Në gjyqin e vitit 1957, Fonseka shpjegonte kështu: “Kur shkova të shoh UNAP-in dhe liderët e tyre, ata ishin në gjendje të mirë ekonomike, ishin të tejborgjezuar, të parfumosur dhe kjo më ndau nga ta”. Zhgënjimi i tij ndaj UNAP-it ia shtoi interesimin rreth marksizmit:

“Përderisa shqetësimet e mia nuk gjetën mbështetje nga UNAP-i, përgjigjet fillova t’i kërkoja në marksizëm. Në çdo librari kërkoja libra mbi Marksin, çfarëdo ndërlidhje që kishin ato, filozofike, politike, romane a poezi. Kureshtja ime e gjallë më drejtoi tek gazetat, në shkrimet mbi vendet komuniste e lëvizjet komuniste anembanë botës. Simpatia ime për marksizmin më bëri që të dyshoj se lajmet mbi komunizmin ishin të fabrikuara nga agjencitë e tyre.”

Në vitin 1953 ose 1954 ai i kishte thënë liderit të UNAP-it se nuk mundet ta mbështeste më tutje, pasi ishte bërë marksist.

Edhe pse nuk kishte mundur të gjente mjaft libra mbi marksizmin nëpër libraritë e Matagalpës, Fonseka kishte një mësues në shkollën INN që quhej Rafael Antonio Diaz, i cili nga biblioteka e tij personale iu huazonte fshehurazi libra radikalë nxënësve të interesuar. Kur udhëtoi në Managua për të vizituar familjen e tij, Karlosi gjeti një librari që kishte ndërlidhje me Partinë Komuniste.

Ka një debat mbi atë se kur iu bashkua Fonseka PSN-së dhe sa seriozisht e mori anëtarësimin në të. Një kronologji e detajuar e përgatitur nga “Instituto de Estudio del Sandinismo” (IES) (“Instituti i Studimit të Sandinizmit”) thoshte se ai iu bashkua PSN-së në korrik të vitit 1955, pasi u largua nga Matagalpa për në Managua. Edhe punëdhënësi i Karlosit në Managua pohonte të njëjtën gjëNë vitin 1956 Fonseka ndihmoi në organizimin e celulës së parë të PSN-së në Leon, dhe kjo datë shpesh jepet si data e hyrjes së tij në parti. Një datë tjetër e mëvonshme mund të jetë treguese për faktin se Fonseka, pas kthimit nga Moska në vitin 1957, u tha hetuesve të Gardës Kombëtare se ai nuk ishte anëtar i Partisë Komuniste, ani pse simpatizonte idetë e tyre. Por provat tregojnë se Fonseka iu bashkua PSN-së në Matagalpa gjatë vitit 1954. Sipas Tomas Previos (Koloço), liderit kryesor të celulës së Matagalpës në vitet ‘50, Karlosi ndiqte çdo javë mbledhjet në cilësinë e anëtarit me të drejtë vote, paguante detyrimet e partisë, nga një kordoba (monedha e Nikaraguas – v.p) në javë. Në vitin 1955 ishte transferuar formalisht në zyrën e jurdiksionit të partisë në Managua, e më pas në Leon me t’u larguar nga Matagalpa. Koloçoja, bashkë me një tjetër punëtor komunist të quajtur Santos Sançez (El Kamarada) dhe një shok të Karlosit, Ramon Gutierrez, ranë dakord se lidhjet e Karlosit me celulën ishin të ndryshme nga ato të Ramonit, i cili merrte pjesë si vëzhgues dhe nuk votonte e propozonte rezoluta.

Hezus Blandon, nxënës i shkollës INN gjatë mesviteve ‘50, thoshte se dy nxënës të shkollës INN ishin anëtarë të PSN-së, Fonseka dhe Markos Altamirano.

“Ata merreshin kryesisht me shitjen e gazetës partiake Unitad (“Bashkimi”), të cilën celula e Matagalpës e pranonte në deng prej 300 copësh. Shitja zgjaste për dy ditë, aq sa ata mund të futeshin nëpër lagje e shtëpi, për aq sa mund t’ua lexonin blerësve të mundshëm artikujt nga gazeta. Po ashtu ata ftonin në diskutime mbi gazetën edhe familjarët e blerësve, në mënyrë që blerësit të bëheshin simpatizues të partisë”.

Sipas Koloços, Karlosi i ri ndonjëherë shiste gjer 100 kopje të një numri, duke bartur gazetën në çantën e tij të librave nëpër lagjet e punëtorëve dhe tek shitësit e tregut a vendet e punës. Pjekuria e shkrimeve politike të Fonsekës ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për PSN-në, të cilën e quajti si klasë kolaboracionistësh e burokratësh, të paaftë e të pa vullnet për të udhëhequr revolucionin në Nikaragua. PSN-në e quajti edhe si brouderiste, emërtim sipas sekretarit të përgjithshëm të PK të SHBA-sw, Ërll Brouderit, avokatit kryesor në Hemisferës Perëndimore për bashkimin e komunistëve e forcave borgjeze në “fronte popullore”. Pasi Fonseka vendosi që PSN-ja nuk ishte me të vërtetë marksiste, edhe durimi i tij ishte i pakët me punëtorët të cilët ishin tërhequr nga ajo. Të kuptuarit e joshjes së tij me PSN-në ndihmon për të kuptuar konkretisht kur dhe ku ai iu bashkua atyre. Rreth pesëmbëdhjetë punëtorë të rinj në Matagalpa përbënin celulën e PSN-së në fillimet e viteve ‘50. Koloçoja, që në vitin 1950 ishte 26 vjeçar, ishte më i vjetri në këtë organizim. Me përjashtim të Karlos Fonsekës dhe dy nxënësve të tjerë të shkollave të mesme, të gjithë anëtarët tjerë ishin punëtorë, kryesisht muratorë. Të përfshirë në aktivitete sindikale, ata gjithashtu kishin kontakte me punëtorët fshatarë që punonin në plantacione kafeje. Kjo binte në kontrast me udhëheqjen klasëmesme të Partisë në kryeqytet: shtatë komunistë nga Managua ishin akuzuar për prodhim të jashtëligjshëm të pamfleteve në fillim të viteve ‘50. Të përfshirë ishin dy mjekë, një shkrimtar dhe një biznesmen.

Fakti që PSN-ja nuk ishte organizatë e ligjshme në fillim të viteve ‘50 duhej t’i kishte rritur Karlosit besueshmërinë revolucionare të tyre. Takimet e përjavshme në Matagalpa ishin mbajtur në shtëpitë e anëtarëve të ndryshëm dhe gazeta duhej të shitej fshehurazi. “Ne duhet të shfrytëzonim rrugët më sekrete. Trokisnim në derë dhe prisnim për një kohë të gjatë aty. I ngrinim jakat lartë për të mbuluar faqet, ashtu siç kemi lexuar në një libër në lidhje me komplotet ndaj diktatorit Rozas të Argjentinës” – kujton kështu më vonë një nga shokët e Karlosit. PSN-ja ishte e ndaluar dhe disa nga udhëheqësit e saj ishin arrestuar në fund të viteve ‘40, kur Lufta e Ftohtë kishte filluar dhe Somoza ishte tërhequr prej fazës së tij populiste të viteve 1944-46 që ishte “pro punëtorëve”, e po ashtu kishte hequr dorë edhe nga qetësimi i punëve me opozitën elitare.

Fonseka mund të ketë pasur momente dyshimi mbi potencialin revolucionar të PSN-së qysh në fillim të viteve të tij në Matagalpa. Sipas Ramon Gutierezit, në fund të vitit 1954 apo në fillim të vitit 1955, Karlosi kishte bindur celulën e PSN-së në Matagalpa që ta kalonte rezolutën që bënte thirrje për revolucion të nisur nga fshatarët e armatosur e punëtorët e Nikaraguas. Meqë Karlosi nuk mund të shkonte, Ramoni shkoi vetëm në Managua për të paraqitur rezolutën para Byrosë Politike. Shefi i PSN-së, Manuel Perez Estrada e mori Gutierrezin në shtëpinë e tij dhe fillojë ta përqeshte rezolutën, duke e quajtur atë si “aventuriere”, dhe se kjo thirrje rrezikonte “disiplinën e partisë”, duke aluduar për prapambetjen e fshatarësisë. “Kjo uli nivelin e entuziazmit tonë” – thoshte Gutierrezi në një intervistë të vitit 1994. Udhëheqësi i celulës së Matagalpës, Koloço, kishte insistuar duke thënë se ky incident kurrë nuk kishte ndodhur dhe se Fonseka asnjëherë nuk i kishte shprehur këto mendime deri pas Revolucionit Kuban. Paraqitja e ideve kaq radikale në celulën e Partisë Komuniste në mesin e viteve ‘50, do të kishte qenë, sipas Koloços, “e papranueshme, dhe jo në interes të unitetit kombëtar”. Historia e Gutierrezit ka, megjithatë, diçka të vërtetë. Idetë e Karlosit ishin në gjendje fluksi. Në fund të fundit ai ishte vetëm 17-vjeçar. Nuk është aq vështirë të imagjinohet hovi i entuziazmit të tij për revolucion të armatosur, përkundër kontekstit të besnikërisë absolute ndaj qasjes së moderuar e të kujdesshme të PSN-së, si dhe gatishmërisë së tij për të mbajtur mbi vete celulën e punëtorëve të rinj të Matagalpës.

Një përshkrim që i bëhet Fonsekës gjatë takimeve në shtëpinë e intelektualit marksist Manolo Kaudra në mes të viteve ‘50 është ai i të riut të palodhshëm, kërkues, totalisht të mangët në nuret shoqërore. I intervistuar në vitin 1986, një nga mysafirët e Kaudrës kujton një riosh të dobët, të rezervuar e serioz që flet vetëm me mikpritësin e tij dhe përgjithësisht nuk ulet askund, por “zë vend në një cep të dhomës duke u mbështetur në mur, dhe nga aty vëren pjesëmarrësit e ndryshëm e diskutimet e tyre”. Herë pas here Karlosi do të ndërhynte kur biseda përgjumej, duke bërë pyetje të llojit: “Manolo, a mendoni se borgjezia do ta udhëheqë këtë vend përgjithmonë?”, ose “Manolo a mendoni se një aleancë e punëtorëve, intelektualëve dhe kampesinëve (fshatarëve – v.p) është e mundshme?”, dhe pastaj do të kthehej ne cepin e tij për të pritur përgjigje nga mikpritësi i tij i zënë ngushtë.

Gjatë vitit të pestë dhe të fundit të shkollës së mesme, Karlos Fonseka filloi të bashkëpunonte me dy shokë të rinj, idetë e të cilëve mbi botën dhe dëshirën lulëzuese për ndryshim i kishte të ngjashme. Ramon Gutierrezi, babai i të cilit ishte pronar i një fabrike të vogël këpucësh, kishte qenë i përfshirë gati për gjysmë dekade në aktivitete opozitare. Kur Ramoni ishte 16 vjeçar, ai ishte përjashtuar nga Kisha Katolike dhe ishte detyruar të lëshonte qytetin pasi kishte publikuar një skeç që shprehte një konkurs masturbimi, ku ishin të përfshirë një grup kryeëngjëjsh. Duke jetuar në Guatemalë përgjatë presidencës së Xhakobo Arbenzit, Ramoni siguroi një kopje të Manifestit Komunist në gjuhën frënge dhe disa shkrime të Mao Ce Dunit në atë spanjolle, të cilat i solli në Matagalpa në vitin 1954. Ramoni që ndonjëherë quhej “Monqo”, me të filluar mësimet në shkollën INN, filloi diskutimet rreth pamfleteve që kishte sjellë me shokun tij të ri, Karlos Fonsekën. Ramoni dhe Karlosi dukeshin shumë të ngjashëm në një fotografi të shkrepur për Krishtlindjet e vitit 1955. Që të dy ishin të hollë, të gjatë e lëkurëzbehur. Dukeshin të zellshëm dhe seriozë prapa syzeve identike të errëta. Shoku i dytë i Karlosit dukej mjaft ndryshe. Më i shkurtër e më zeshkan, si dhe më i ri. Fransisko “Çiko” Buitrago kishte ardhur nga fshati verior i Terrabones në Matagalpa për të përfunduar shkollën e mesme. Për shkak se ishte student seminarik dhe përherë vishej me të bardha, shokët e tij të shkollës INN ndonjëherë e quanin “kura” (prifti), por Buitrago, si dy shokët e tij, hoqi dorë nga mësimet kishtare. Në fillim të vitit 1954, Fonseka ishte 17 vjeç, Buitrago 15 dhe Gutierezi 20.

Të tre shokët organizuan një grup nxënësish në shkollën INN që e quajtën Qendra Kulturore (Centro Cultural), me Karlosin kryetar, ndërsa Ramoni mbante profil të ulët për t’iu shmangur zemërimit të kishës. Në gusht të vitit 1954, Qendra filloi të publikonte revistën kulturore të quajturSegovia, e cila çdo muaj do të trajtonte në numra të ndryshëm lloj-lloj çështjesh, deri në prill të vitit 1955 kur redaktori i saj Fonseka do të diplomohej e largohej nga Matagala. Buitrago publikoi edhe katër numra të revistës para se ta ndiqte Karlosin në Managua në fillim të vitit 1956, kur Segovia-s iu ndalua botimi. Nxënësit e financuan projektin e tyre nëpërmjet shitjes së revistave dhe nga reklamat e bizneseve lokale.  Ndonjëherë ata merrnin hua nga Matilde Moralesi, mësuesja simpatike në shtëpinë e së cilës mblidheshin për të planifikuar numrat e revistës.

Segovia nuk është marrë direkt me qeverinë e Somozës; emri i diktatorit vështirë se shfaqej në revistë, një artikull madje falënderonte qeverinë rreth sponsorizimit të programit mbi strehimin publik. Shkruesit kishin shmangur haptazi temat politike, ishin të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e një publikimi të tillë, duke marrë parasysh që ishin nxënës të një institucioni publik. Pas vetëm disa numrave të revistës, e përditshmja opozitare me ndikim, La Prensa, kishte publikuar një artikull të titulluar “Farat e kuqe të Matagalpës”, që njëkohësisht mbronte e denonconte të rinjtë e Segovia-s. Në një takim urgjent, grupi i redaksisë kishte diskutuar këtë vëmendje të padëshirueshme nacionale dhe u shqetësuan se si do të reagonin prindërit dhe mësuesit, dhe nëse ata do të humbnin bursat. Por Segovia e tejkaloi këtë stuhi. Deri në fund të ekzistimit të saj më 1956, nxënësve që shkruanin, ose kishin mbaruar shkollimin, iu kishte humbur interesimi, por në asnjë mënyrë nuk iu nënshtruan shtypjes qeveritare.

Dymbëdhjetë artikuj ishin shkruar nga Karlos Fonseka, përfshirë dhe poezi, komente mbi jetën e nxënësve, analiza mbi votën e gruas dhe luftërat për pavarësi të shekullit XIX. Koleksionet eSegovia-s nuk janë botuar kurrë e as kanë marrë vëmendje nga studiuesit. Këto shkrime rinore ofrojnë ende informacione të vlefshme mbi idetë politike e shoqërore të Karlos Fonsekës. Botimi i kësaj reviste përfaqëson eksperiencën e parë të aktivitetit të tij kolektiv politik. Ai ishte në qendër të një grupi prej katër ose pesë adoleshentësh të cilët drejtuan përpjekjet politike dhe organizuan njëzetë e më shumë nxënës. I nxitën shumë vajza e djem të shkruanin artikuj e të shisnin revistën. Përveç Karlosit, Çikos dhe Ramonit, kishte edhe organizatorë tjerë, përfshirë edhe Raul Leklerin, babai i të cilit ishte profesor dhe Cipriano Oruen, i cili vinte nga një familje intelektualësh konservatorë. Rrethi i gjerë përfshinte nxënës nga lagjja e Karlosit siç ishte Berta Pradoja, vajza e një koloneli të Gardës Kombëtare. Përveç shitjes së Segovia-s, Berta huazonte nga Karlosi libra politikë dhe ndoqi disa kurse të rrobaqepësisë, ashtu që një ditë ajo do të mund të jepte trajnime profesionale për gratë punëtore. Roli i Fonsekës në grupin e Segovia-s paralajmëronte në mënyra të ndryshme përfshirjen e tij në politikat universitare dhe në FSLN. Edhe pse projekti i tij përfaqësonte një përpjekje kolektive, Karlosi p ishte a diskutim organizatori kryesor, dhe Segoviangecte kur ai nuk ishte prezent. Aktivistët e tjerë ishin jashtëzakonisht besnikë dhe të impresionuar prej nivelit të angazhimit politik e akademik të Fonsekës, edhe pse nuk e shfaqnin edhe aq.

“Rinia e Matagalpës është e zjarrtë”, kështu filloi artikullin e parë Fonseka në numrin e parë tëSegovia-s. “A nuk është i nxehtë plumbi kur shkrepet? Ne jemi plumbat e shkrepur nga dëshira për t’i shërbyer kombit tonë.” Ky paragraf i shkurtër paraqiste dy tema kryesore që ndërlidheshin meSegovia-n: rolin kryesor të të rinjve dhe marrëdhëniet e ngushta mes arsimit dhe kombit, apo partisë. Temat mbi dhunën po ashtu ishin të pranishme në Segovia, por jo aq shumë krahasuar me shkrimet e mëvonshme të Karlosit.

Karlosi e dallonte gjeneratën e tij nga ajo e kaluara, duke thënë se “aktivitetet e akullta të politikanëve të Nikaraguas do të shkrihen nga të rinjtë”. Ai iu kthye kësaj teme në artikujt e më vonshëm. Nuk mjafton të jesh i ri dhe energjik; nxënësit duhet të bashkohen, të lexojnë, e të vetëdijesohen për rolin e tyre në shoqëri. “Jemi të sigurt se Matagalpa ka të rinj të talentuar, por në periudha tjera Matagalpa kishte të rinj po kaq të talentuar, të cilët për shkak të mungesës së orientimit kulturor, prodhuan rezultate të dobëta”.

Sipas Fonsekës, atë çka më së miri mund ta bëjnë nxënësit dhe të rinjtë tjerë jashtë Segovia-s është gatishmëria për t’iu mësuar shkrim e lexim fshatarëve dhe punëtorëve të varfër. Në atë kohë, 80 për qind të fshatarëve të Nikaraguas ishin të paarsimuar dhe këta nxënës e konsideruan si detyrim patriotik përhapjen e mësimit në fshat. Artikujt e Fransisko Buitragos në veçanti zhvilluan marrëdhënien mes arsimit, qytetërimit, industrializimit dhe ekzistencës kombëtare. Ai e titulloi thirrjen e tij të fushatës së arsimimit “Le ta bëjmë kombin” (Hagamos Patria). “Mendimet e një studenti segovian (mendimet e një studenti që i kontribuon revistës – v.p.) “që në numrin e parë bënte thirrje që nxënësit të merrnin pozitën e ushtarit të gatshëm për thirrjen e partisë, dhe me ankth të kapnin armët e intelektit. Buitrago iu kthye kësaj teme shpesh herë. Në njërin nga numrat e fundit, ai shkruante: “Ne duhet të bëjmë çdo gjë që t’i mësojmë kampesinot (fshatarët – v.p), pronarët e tokave të vogla dhe bujqit që të shkruajnë e të lexojnë. Nëse e arrijmë këtë, nuk do të thotë që kemi më pak të paarsimuar, por do të thotë që kemi një komb më të avancuar”. Buitrago kishte fjalë të ashpra për nxënësit apatikë “të cilëve nuk ua ndjen për Vampirin që pikë për pikë thith gjakun e bashkëqytetarëve të tyre, të cilët për shkak të skamjes hidhen në ndonjë vend pune, duke u bërë mish i freskët për shfrytëzim”. Nxënësit nuk ishin të vetmit që bënë thirrje për t’iu mësuar shkrim e lexim të paarsimuarve. Të shpërndara në njëmbëdhjetë numrat e revistës gjendeshin këshillat për pronarët e punëdhënësit, të tilla si “nëse zotëroni ndonjë hacienda (çiflig, pronë të madhe – v.p), gjeni se sa prej punëtorëve tuaj janë të paarsimuar dhe mësojini ata të lexojnë e shkruajnë”, dhe “mësoni shërbëtorin tuaj të lexojë dhe do të bëni veprën më të mirë të jetës suaj”. Numri i fundit i Segovia-s i fillimvitit 1956 kishte ribotuar një letër të Karlos Fonsekës drejtuar Ministrit të Arsimit Publik, në të cilën Fonseka kishte propozuar krijimin e bibliotekave nëpër rrojtore gjithandej vendit, sepse “të varfrit hynë në këto rrojtore, dhe teksa presin, ata shfletojnë gazeta e revista të ndryshme, e këta janë klasa punëtore”.

Gjatë ekzistencës së Segovia-s, vëmendje e madhe u është kushtuar çështjeve sociale, veçanërisht kushteve të jetesës së klasës punëtore. Modelet koloniale ende mbizotëronin, më të theksuara në zona rurale, që e bënë Nikaraguan sipas Fonsekës, “të papërshtatshme për të jetuar si qenie njerëzore”. Artikujt theksuan problemet e urisë, banesat e mbipopulluara e të shkatërruara, si dhe mungesën e mbulimit të sigurimit social e mbrojtjen sindikale. Segovia u përshëndet në vitin 1956 me një artikull që thoshte: “Për të varfrit, Viti i Ri është ai i lotëve, i mërzisë, e po ashtu i ëndrrave për ata që kanë një ideologji shëlbuese, ata që e kuptojnë se masat popullore kanë fuqinë e shumicës”.

Fonseka shpesh përdorte metaforat e nënës dhe fëmijës, me Nikaraguan ose kombin si nënë dhe tiparet e nxënësve si fëmijë të mirë. Ai nuk ishte i pari që e përdori traditën, por përdori vërtitjen e tij rinore në vizionin e tij gjinor nacionalist. Në një artikull të titulluar “E ardhmja”, Karlosi i quajti qytetet e Nikaraguas si “virgjëresha gjysmëlakuriqe”, pastaj vazhdoi me besim të plotë të thoshte se me ardhjen e industrializimit, këto qytete “do të martoheshin. Nuk do vazhdojnë të jenë akoma të virgjra. Nuk do të përdhunohen! Do të krijojnë familje. Do të rrisin fëmijë! Revolucioni do të jetë këtu. Dhe qytetarët e Nikaraguas do të jenë ata që do të gëzojnë frytet e këtyre burimeve”. Dallimi vështirë se mund të jetë më i zymtë: në njërën anë, virgjëreshat që janë gjysmë të zhveshura, të prapambetura, të rrezikshme, të shtrënguara të rrëmbehen e shfrytëzohen nga të huajt anonimë; e në anën tjetër paraqiten si gra të martuara e me fëmijë që jetojnë në gjirin familjar-qytetarët e Nikaraguas që shijojnë bagëtitë e vendit të tyre modern, e madje revolucionar.

Një artikull i titulluar “Votimi i gruas” u shfaq në numrin e dhjetorit të vitit 1955 nga Karlosi si “ish-redaktor i Segovia-s”. Ky kontribut i shkurtër të cilin Fonseka e dërgoi nga Managu, ishte qartazi përgjigje e esesë së Ramon Gutierrezit që ishte botuar qershorin e kaluar me titull, “Votimi i gruas dhe mungesa e produktivitetit të saj”. Gutierrezi që kishte marrë pozicion sektar, i strukur në terminologjinë marksiste, nënkuptonte se e drejta e votës ishte e “parakohshme” përderisa revolucioni industrial i ka shndërruar ato në punëtore me pagesë. “Gratë e Nikaraguas veriore” – shkruante Ramoni, “nuk mund ta dinë se për ç’ka nevojë kombi në qoftë se nuk dinë se çfarë të bëjnë për të mbijetuar. Ato janë gra joproduktive sepse puna e tyre nuk prodhon asgjë”. Ky numër i revistës nuk ishte akademik. Qeveria e Somozës veç kishte lejuar votimin e gruas, si pjesë e paketës së reformës kushtetuese që po ashtu lejoi rizgjedhjen e presidentit. PSN-ja ishte pasive rreth idesë së votimit të gruas. Fonseka kundërshtonte: “Në zgjedhjet e ardhshme, gratë e Nikaraguas do të kenë të drejtën e votës. Fatkeqësisht ka një grup të madh që është kundër këtij fakti dhe mendon se gratë e Nikaraguas nuk duhet të përfshihen në politikë. Ne jemi kundër kësaj ideje, sepse ne besojmë se të gjithë që janë të prekur nga politika duhet të kenë të drejtën e votimit”. Duke përshkruar se 2/3 e fëmijëve të Nikaraguas janë rritur nga vetë nënat, Fonseka bënte thirrje që gratë ta hedhin votën e tyre të parë në favor të asaj politike që u garanton të gjithë qytetarëve “fasule, rroba dhe liri”.

Në thellësi të shkrimeve të Fonsekës dhe Buitragos ishte koncepti i progresit dhe modernizimit si pashmangshmëri, e që si rezultat kishte përhapjen e arsimimit. Edhe pse shumë të vetëdijshëm për varfërinë dhe prapambetjen e Nikaraguas, veçanërisht jetën e vrazhdë të klasës punëtore, këta të rinj besuan se vendi i tyre do të ndiqte rrugën e Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara mbi shtetin modern, i cili do të arrihej nëpërmjet industrializimit dhe progresit ekonomik. Për aq kohë sa nxënësit dhe intelektualët përmbushin përgjegjësitë arsimore, avancimet kulturore dhe përmirësimi i kushteve sociale do të arrihej nëpërmjet zhvillimit kapitalist. Idetë e Iluminizmit, të interpretuara nga traditat liberale të vendit që nga shekulli XIX, ishin kuptimplota për të rinjtë e mesit të viteve ‘50. Një dekadë më vonë, nën ndikimin e Revolucionit Kuban, Fonseka do të hiqte dorë nga ideja e modernizimit nëpërmjet zhvillimit kapitalist, që përputhej mjaft me versionin marksist të mësuar nga PSN-ja në rininë e tij. Komunistët besonin se vendet si Nikaragua ishin të destinuara të kalonin nëpër një periudhë të gjatë zhvillimi ekonomik sipas vijave perëndimore, dhe se në këto vende të prapambetura socializmi, sikurse kapitalizmi, duhet të vinte nga jashtë.

Segovia kishte përfaqësuar diçka të re me kundërshtimin e kuadrit tradicional konservator dhe partive liberale. Ndryshe nga PSN-ja e opozita konservatore apo të rinjtë opozitarë të fundviteve ’40, të rinjtë e shkollës INN kishin pak interes mbi zgjedhjet. Të vetmet artikuj që përmendnin votimin ishin ato që kishin të bënin me të drejtën e votimit të gruas.

Dy aspekte tjera të Segovia-s që ia vlejnë të përmenden janë: entuziazmi i zjarrtë i të rinjve dhe karakteri i saj rajonal. Stili i të shkruarit, lënda dhe varësia ndaj orareve e detyrave qe jepnin redaktorët bënë që revista të reflektonte vazhdimisht origjinën e nxënësve me anë të poezisë, satirës, tregimeve të shkurtra, lajmeve të sportit, artikujve historikë dhe raporteve mbi kuvendet e shkollës dhe festat. Segovia paraqitej si revistë kulturore në kuptimin më të gjerë. Fonseka kishte parashtruar përkufizimin e tij agresiv mbi kulturën duke shkruar kështu: “Funksioni i mundësive tona kulturore është i ngjashëm me atë të një luftëtari të gjendur në një situatë të rrezikshme i cili i përhumbur vendos ta vizitojë ushtrinë kundërshtare me qëllim që të godasë ndonjë kundërshtar armik në hundë”. Ka diçka fëmijërore në këtë fjali, edhe pse nuk është tipike e Fonsekës krahasuar me shkrimet e fjalimet e tij gjatë jetës. Që të dy, Fonseka e Buitrago, shpesh përdornin metafora ushtarake në shkrimet e tyre.

Artikulli hapës i revistës premtonte se ky “organ kulturor i lindur në Segovia (Segovia është edhe emri i rajonit veriqendror të Nikaraguas – v.p.) do t’i tregojë gjithë Nikaraguas se rajoni veriqendror mund të prodhojë më shumë sesa ferma bujqësore e blegtorale”. Në një artikull të numrit të parë të revistës, Fransisko Buitragos shkruante: “Natyra e virgjër e këtyre maleve të ftohta ende nuk është shfrytëzuar nga lakmitarë e tregtarë të huaj… Ne jemi nga ky vend, i tejmbushur me pjellori të këtyre kodrave që na rrethojnë . Jemi të mbushur me ideale aq të mëdha sa këto pisha gjigante që na puthin me frymën e guximshme, e që i përkasin çdo segoviani”.

Një gjë që i mungonte Segovia-s (kur i referohet revistës, emri i shënohet me shkronja të lakuara – v.p.) është po ashtu e rëndësishme. Emri i Augusto Cezar Sandinos nuk u shfaq asnjëherë në njëmbëdhjetë numrat e revistës. Është e vërtetë se Segovia ishte qendra e mbështetjes së kryengritjes së Sandinos, kështu që në shikim të parë titulli mund të duket si rrugë e tërthortë (dhe e sigurt) për t’u identifikuar me betejën e Sandinos. Konservatorët e rinj si Tomas Borge kishin shkruar artikuj rreth Sandinos gati një dekadë më herët dhe Fonseka do të mund ta gjente shtegun për ta bërë Sandinon referencë. Edhe shkrimet e Fonsekës mbi luftën për ta çliruar Nikaraguan nga pushtimi spanjoll i ditëve të tij, shtrihej në dy numra të revistës, por nuk përmendej lufta e vitit 1926-1933 (lufta kundër marinsave pushtues amerikanë – v.p.). Emri i revistës ndoshta është zgjedhur për shkak se Segovia ishte rajoni ku jetonte ky grup rinor. Ata identifikoheshin me rajonin e tyre, me pamjet e maleve të harlisura, me historitë e rezistencës së indianëve dhe me traditën e tyre demokratike krahas kryeqendrave të vjetra aristokrate të Granadës dhe Leonit. Fonseka padyshim që në këtë kohë kishte dëgjuar për Sandinon. Por asokohe ai ishte veçse simpatizant ose anëtar i PSN-së që Sandinon e konsideronte si një aventurier borgjez. Shkrimet e Fonsekës s’e kishin asnjëherë përmendur deri në fund të viteve ‘50 Sandinon, kohë kur emri i tij u fut në kontekstin e Revolucionit Kuban.

Me të përfunduar shkollën në vitin 1955, Karlosi do të shpërblehej me yllin e artë si më i dalluari i klasës për pesë vjet. Ai kishte fituar po ashtu çmime tjera si ai i frëngjishtes, gjuhë të cilën e kishte mësuar për të lexuar “Manifestin Komunist”. Manifesti e kishte ndihmuar në provimet përfundimtare, pasi kishte shkruar një ese të titulluar “Kapitali dhe punëtori”. Fonseka kishte shkruar se “për komunistët nuk bëhet fjalë për pagën. Karl Marksi te Kapitali shpjegonte: Punëtori ka të drejtë mbi krejt produktin e punës së tij. Formula marksiste, me gjithë ekstremizmin e saj, shihet si zgjidhja e vetme e krizës së madhe politike që ka sjellë mjerimin dhe…(nuk lexohet mirë)…dhe injorancë mbi proletariatin.”

Madje edhe në provimin përfundimtar, Karlosi shfaqte pafytyrësinë dhe urrejtjen klasore. Kjo do të shënonte marrëdhëniet e tij me eprorët shoqërorë, çka do ta shoqëronte për tërë jetën:

“Pronarët e mjeteve të prodhimit duhet të jenë vetë punëtorët. Që kjo të ndodhë, a duhet t’iu hiqen pronat kapitalistëve? Po, duhet. Ku është dallimi nëse vuajnë disa njerëz që kanë jetuar gjatë gjithë jetës duke shfrytëzuar punëtorin proletar?… Populli ynë ka një thënie: ‘E vetmja mënyrë që të pasurohesh është të vjedhësh.’ Dhe këtë nuk e thonë se kanë dëgjuar ndonjë demagog komunist. Populli ynë flet në atë mënyre sepse e di që pronarët e haciendave (çifligjeve, tokave të mëdha – v.p) kanë frikë të ecin mbi tokat e tyre, kanë frikë se kampesinët (fshatarët – v.p), nga të cilët vodhën, mund t’i vrasin”.

Pas diplomimit, Karlosi u kthye në Managua ku përkohësisht banonte tek i ati. Ai kishte bindur drejtorin e shkollës “Instituto Ramirez Goyena”, Gilermo Rotsquh Tabaldën për ta punësuar si bibliotekist. “Papritur ai u shfaq në zyrën time në një mëngjes duke thënë se ‘jam poet’, thoshte Rotsquhi. “E kisha pyetur se çfarë kishte shkruar dhe ai më recitoi poemën e tij ‘Gjashtëmbëdhjetë vargjet e zogut Molendero’. Shkolla El Gojena e themeluar në vitin 1893 ishte ndër shkollat e mesme laike më të dalluara të Nikaraguas. Sikur INN-i në Matagalpa, shkolla kishte lidhje me Partinë Liberale të Somozës, ku përparësi në pranim e ndihma financiare u jepeshin bijve të politikanëve liberal e të oficerëve ushtarakë.

Gilerrmo Rotsquh Tabalda, drejtori i ri i shkollës Gojena kishte mjaft reputacion sa për të zgjuar mendimin kritik te nxënësit e tij. Nën ndikimin e tij, në mes të viteve ’50, një grup nxënësish kishin studiuar revolucionin meksikan dhe kishin ëndërruar se “në Nikaragua do të ketë ndryshime, se diktatura do të rrëzohej dhe njerëzit do të fitojnë njohuri, shëndet, strehim, dhe bukë”. Rotsquhi njëherë kishte shkaktuar stuhi kur kishte autorizuar që në shkollën “La Raza” të vendosej një mural dhe “La Prensa” e kishte quajtur atë si “element komunist”. Si punonjës i Ministrisë së Arsimit, Rotsquhi nuk e kishte kritikuar Somozën direkt. Ai ishte anëtar i të rinjve somozistë në qytetit të tij dhe njëherë kishte publikuar një poezi në lavd të gruas së Somozas. Rotsquhi mund ta kishte të vështirë shpjegimin mbi vendimin për ta pranuar Karlos Fonseka Amadorin, nëse çuni i ri radikal nuk do të ishte biri i një somozisti të shquar.

Një student që banonte në konvikt, e përshkruante kështu arritjen e bibliotekstit të ri, që kishte vetëm disa vjet më shumë se studentët e tjerë:

“Ai shpalosi vetëm disa nga rrobat e tij, një palë këpucë dhe shumë libra, bashkë me disa kopje tëSegovia-s…. ai ishte i gjatë e i dobët, me ballë të gjerë dhe me mollën e tejtheksuar të Adamit, kishte rroba të vjetra, por të pastra… Karlosi shpejt do të bëhej pjesëmarrës i diskutimeve që bëheshin në oborrin e shkollës. Në fillim vëzhgonte, por më vonë ai u bë udhëheqës i një grupi mjaft të madh. Grupi nuk ndalonte askënd, përfshinte artistë e poetë. Ata që më së shpeshti morën pjesë ishin (gazetari) Manuel Diaz Sotelo dhe Manolo Kuadra”.

Fonseka i inkurajonte nxënësit-lexues të bibliotekës që të studionin mbi historinë e Nikaraguas. Njëherë ai ua kishte paracaktuar të kërkonin çdo gjë që lidhej me një figurë të panjohur që quhej Kleto Ardonjez. “Duhet të kërkoni nëpër arkiva”, udhëzonte Karlosi, “deri sa të dilni me një biografi që do ta shpëtonte atë nga përbuzja dhe neglizhenca që i kanë veshur historianët e rremë”. Karlosi më vonë do të punonte në të njëjtën qasje për Augusto Cezar Sandinon.

Fonseka nuk ishte aktivist i thjeshtë. Ai ishte gjithashtu kontakti politik i studentëve. Në fund të ditës komentonte një i ri, “Karlosi mbyllte librarinë e Gojenas, sa për ta hapur tjetrën që mbante në dollapin e tij. Kishte pak libra, ama shumë cilësorë… Ishte dollap jo me shumë rroba e as nuk kishte gjë për të ngrënë, por nuk i mungonin librat, revistat e fletushkat. Ai nuk shkonte askund pa libër nën sqetull”. Drejtorit të shkollës nuk i kishte shpëtuar aktiviteti politik që Fonseka bënte jashtë planprogramit. “Ai në Gojena gjeti shkollën e tij të rekrutimit”, thoshte më vonë Rotsquhi. “Aty gjeti dishepujt e parë”

“Karlosin e kujtoj si djalosh që endej me libra nën sqetull, duke u endur poshtë e lart në lagjet e varfra të Managuas. U jepte punëtorëve të sindikatës libra shkolle dhe prej tyre i merrte e i çonte në ndonjë vend tjetër më të fshehtë… E kujtoj si shitës të revistës Segovia që e kishte themeluar vetë, si shitës nëpër autobusë të Managuas të gazetës së PSN-së, Orientacion Popular. Ishte frekuentues i rregullt i autobusëve çdo natë. Saktësisht në orën 10 ndalej në “Fray Bartolome de las Casas Park”, përballë barrios (lagje të klasës punëtore – v.p.) së peshkatarëve, ku mbante takimet me këpucarët, në orën 10 e 10 minuta.”

Fonseka me disiplinën e tij u kishte bërë shumë përshtypje nxënësve të shkollës Gojena. Ai nuk pinte duhan e alkool, aktivitet e tij seksuale nuk dukeshin. Të paktë ishin ata që ndoqën shembullin e tij. Në këtë aspekt ata ishin të ngjashëm me homologët e shkollës INN nga Matagalpa, ku shumë nxënës u larguan nga grupi i Segovia-s sepse nuk mund ta duronin saktësinë dhe tendencat e tij për kritikuar daljet, duke thënë se më e rëndësishme është të marrin pjesë në takime. Rekrutimi më i dobishëm i Karlosit ishte Horge Navarro, nxënës i dashur e punëtor që vinte nga veriu, i cili sipas një shokut të tij të klasës “ishte shumë serioz saqë nuk dilte asnjëherë, kohën e kalonte duke lexuar dhe luajtur basketboll”. Navarroja është anëtari i FSLN-së që më së shumti është krahasuar me Fonsekën në kuptimin e ndershmërisë morale. Navarroja ecte prej një cepi të Managuas në tjetrin vetëm për të mos paguar tarifën e autobusit që ishte 25 cent, edhe pse i kishte 50.000 dollarë që FSLN-ja i kishte “nxjerrë” duke grabitur një bankë. Dikur në vjeshtën e vitit 1955, Fransisko Buitrago ishte shpërngulur nga Matagalpa në Managua për t’iu bashkuar Fonsekës dhe Navarros.

Fonseka ende shpresonte në ndërtimin e një lëvizjeje kombëtare me nxënësit e shkollave të mesme. Ai e shtyu shkollën Gojena të pranojë nxënës të dëbuar nga shkollat tjera. Nën drejtimin e tij, nxënësit nxorën një buletin jetëshkurtër të quajtur Diriangen, emërtuar sipas shefit indian që kishte luftuar spanjollët. Me 14 shtator të vitit 1955, kur ishte festa kombëtare e Nikaraguas, Fonseka, Buitragoja dhe Rotsquhi organizuan një marsh ku morën pjesë nxënësit e tri shkollave të mesme, të cilët u takuan në haciendën e San Hasintos, vendin ku u zhvillua beteja e famshme e shekullit XIX kundër pushtuesit Uilliam Uakër. Edhe pse Fonseka ishte gati të takonte nxënësit e shkollave private katolike, megjithatë  kontaktet e tij të mesviteve ‘50 ishin vetëm me ato të institucioneve publike…

(Vijon)

Përzgjedhja, përkthimi, shënimet hyrëse dhe shënimet sqaruese: Valton Marku

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s