Sandinistat: Karlos Fonseka dhe Revolucioni Nikaraguan III

Matlide Zimerman

Studenti Rebel (1950 – 1958): Karlos Fonseka Amador, student

Në mars të vitit 1956, kur po përfundonte viti shkollor në Nikaragua, Fonseka la Institutin Sandinist të Gojenës duke u zhvendosur në Leon, ku ishte regjistruar në Universitetin Kombëtar të Nikaraguas si student juridiku. Leoni ishte qytet kolonial gati njëqind kilometra në veriperëndim të kryeqytetit, e me fusha të nxehta bregdetare. Qyteti ishte bastion i fortë i krahut tradicional liberal të oligarkëve të Nikaraguas, dhe nga shekulli i XVIII ishte bërë rival Granadës konservatore. Leoni njihej më shumë për katedralet sesa për universitet e tij, dhe Kisha Katolike kishte luajtur rol të rëndësishëm publik në drejtimin e qytetit. Në pjesët e tjera të Amerikës Latine konservatorët njiheshin si parti kishtare, ndërsa liberalët si të lidhur me laicizmin, por linja ideologjike në Nikaragua ishte e turbullt.

Leoni, qyteti i dytë më i madh në vend, ishte bastion i mbështetësve elektoral të Partisë Nacional-Liberale të Somozas dhe kishte gazetat e tij liberale. Dy krahët e liberalizmit ishin të ngujuara në vend: Obrerismo liberal përfaqësonte shqetësimet e artizanëve e punëtorëve të tjerë urbanë, ndërsa Partia e Pavarur Liberale, ose PLI-ja, e formuar në Leon në vitin 1944, përfaqësonte kundërshtarët e klasës së mesme, e borgjezë të Somozas. Zonat tradicionalisht të njohura për kultivimin e grurit e prodhimit të sheqerit ishin transformuar pas Luftës së Dytë Botërore, bashkë me kuartin verior Çinandega, në zona ku kultivohej pambuku. Fibrat e pambukut kishin zëvendësuar kafenë si eksportin kryesor në vitin 1955. Akrat e pambukut ishin rritur pesëfish në vitet 1951-55, ndërsa prodhimi dhjetëfish. Dikur e njohur si “shporta e bukës” së Nikaraguas, tash kjo zonë përreth Leonit ishte shndërruar në zonë pluhuri, meqë pronarët e plantacioneve kishin prerë pyjet dhe kishin dëbuar nga tokat e tyre fermerët qiramarrës dhe komunitetin indian. Gjatë sezonit të thatë të pranverës, erërat e nxehta e çonin pluhurin në çdo skaj të qytetit. Ajri i Leonit qelbej nga pesticidet. Mbjellësit e pasur të pambukut nga Leoni jetonin prapa shtëpive me dukje modeste. Edhe sot, po të ecim pranë rrugëve të Leonit, mund të shohim tre apo katër shtëpi të vogla me rend, secila prej tyre me nga një derë e dy dritare, pranë rrugëve të zhveshura e pa pemë. Nëse hapim derën apo dritaren e ndonjërës prej këtyre shtëpive shohim luksin që jeton brenda, dhoma të ndenjës e gjumi, të rrethuara nga një oborr me madhësinë e një parku të vogël, të mbushur me pemë e lule, i kufizuar nga katër anët me mure, e mbi to shtylla harkore.

Nikaragua e vitit 1950 kishte rreth njëmijë studentë universitarë dhe vetëm një institucion të arsimit të lartë, Universitetin Kombëtar të Leonit (që fillimisht u quajt “Universitad Nacional de Nicaragua” deri në vitin 1958, pastaj “Universidad Nacional Autonoma de Nicaragua” – UNAN). Njësoj si shkollat e mesme laike ku Karlos Fonseka kishte mësuar e punuar, Universiteti Kombëtar kishte lidhje të ngushta me aparatin shtetëror somozist. Studentët e atyshëm ishin pasardhës ose të propozuar nga Partia Liberale, e nuk mungonte as listimi i lartë në “Librin e Kuq”, as trajtimi preferencial në ndihma financiare dhe nota për ta. Megjithatë një lëvizje për autonomi të Universitetit kishte filluar të fuqizohej në mes të viteve ‘50. Në këtë fazë, aktivistët e autonomisë qëllim kishin një: “universitet të depolitizuar: një manifest i fillimviteve ‘50 insistonte se një Universiteti tolerant ndaj studentëve që organizohen kundër Somozës do të ishte po aq i keq sa ai që është i lidhur me regjimin. Autonomia u dha më në fund në mars të vitit 1958, me kërkesë të rektorit të fakultetit, Mariano Fiallos Gil, sipas modelit e ligjit të autonomive universitare të Kordobës në Argjentinë, e cila e kishte fituar në vitin 1918, katër dekada më herët.

Studentët e Universitetit të Nikaraguas ishin të privilegjuar dhe shumica nga ata kishin hyrë aty për të arritur karrierë profesionale ose për t’u punësuar në burokracinë shtetërore. Por jo të gjithë studentët e UNAN-it vinin nga familje të pasura. Disa nga bursat shkuan për bijtë e mbështetësve të varfër të Somozës, ndërsa familjet e pasura të Nikaraguas i dërgonin bijtë e bijat e tyre në kolegjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Europës, ose së paku në Meksikë.

Në pranverën e vitit 1956, Karlos Fonseka me të arritur në Leon u vendos në një dhomë të subvencionuar afër universitetit dhe çdo muaj paguante të hante në gjellëtoren më të lirë të vendit. Qendra Studentore (njëherë CUN, më vonë CUUN) e emëroi atë si kryeredaktorin e gazetës së tyre, El Universitario. Oktavio Robleto, shoku i Karlosit nga Instituti Gojena, kujtonte se përsëri ai kishte më shumë libra se rroba, dhe kishte gjetur një profesor dashamirës që i gjente libra rreth marksizmit, të cilat gjendeshin me vështirësi në Nikuaraguan e Somozës. Kur Karlosi vizitonte Oktavion, do të kalonte gjysmën e natës me të duke diskutuar politikë dhe letërsi, për Servantesin, Nerudën, Ruben Darion, Manolo Kadran, etj.

Fonseka e përshkruan me krenari aktivitetin intensiv politik në vitin e tij të parë aty, vitin 1957: “E futa veten në (aktivizëm studentor) më tërë energjinë që kisha. Për shkak se besoja se gazetat, takimet, fletushkat, përbënin fushatën civile e paqësore që ishte vendimtare në luftën kundër diktatorit antipopullor. Kjo tezë e saktë është ruajtur edhe nga një grup kureshtar i liberalëve të pavarur, po ashtu edhe nga masat popullore”. Kur ky pasazh është shkruar, Fonseka ende besonte se ndryshimi mund të arrihej nëpërmjet “fushatës civile e paqësore”, ide të cilën do ta kundërargumentonte fuqishëm disa dekada më vonë.

Në Leon, Fonseka do të bashkonte tërë celulën e PSN-së në Nikaragua. Anëtarët e saj përfshinin Tomas Borgen, shokun e tij nga Matagalpa dhe shkruesin në gazetën opozitare La Prensa, Silvjo Majorga, studentin e juridikut në vitin e katërt që vinte nga një familje pronarë tokash nga provinca e Nagarotes. Borge kishte eksperiencë më të gjerë politike. Ai ishte i përfshirë në rininë Konservatore të Matagalpas në fund të viteve ‘40 dhe ishte pjesëmarrës i konferencës latinoamerikane të studentëve në Bogota, Kolumbi. Sa ishte pjesë e kësaj konference, në vitin 1948, ai kishte takuar udhëheqësin e studentëve kubanë, Fidel Kastron, dhe iu dha shansi ta vëzhgonte kryengritjen urbane të njohur si “Bogotazo”.

Kampusi strehoi grupin e PSN-së në Leon ku u organizuan studime mbi marksizmin klasik, ndërsa në vitin 1956 Silvio Majorgan u dërgua në konferencën e Federatës Botërore të Rinisë Demokratike të mbajtur në Cejlon. Iniciativat për tërë celulën e studentëve erdhën më shumë nga Fonseka sesa nga udhëheqësia kombëtare e PSN-së. Fonseka ankohej më vonë se partia e tij nuk i kushtonte vëmendje organizimeve që bëheshin në kampus. “Celula tentonte të krijonte lidhje me Partinë Komuniste të Nikaraguas, me idenë për t’u drejtuar e udhëzuar nga ta. Por në fakt, PSN-ja nuk kishte lidhje me lëvizjen studentore”. Kjo vërtetohet me punën e mëhershme të Fonsekës me nxënësit e Matagalpas e Managuas. Ramon Gutierrezi e quante “tarallake” celulën komuniste të Matagalpës sepse, kur ai dhe Karlosi “kishin njëzetë studentë që i ndiqnin, socialistët nuk u jepnin as edhe një udhëzim”. Celula e studentëve të Leonit në anën tjetër do të zgjaste vetëm për disa muaj.

Presidenti i Nikaraguas, Anastasio Somoza Garsia u vra në Leon në shtator të vitit 1956. Themelues e shef i parë i Gardës Nacionale, aleat diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore e atë të Ftohtë, Somoza Garsia ishte presidenti i parë i Nikaraguas pothuajse për dy dekada pa ndërprerë. Kur ai u vra, i biri i tij Luiz Somoza Debaile u emërua president. Djali tij i dytë, ish-i diplomuar i Uest Pointit, Anastasio Somoza Debaile, tashmë komandonte Gardën Nacionale (që njihej si “Taçito” sa për t’u dalluar nga i ati, që njihej si “Taço”).

Vrasësi i Somoza-së, Rigoberto Lopez Perez, ishte vrarë në vend nga truprojat presidenciale. Poeti 27 vjeçar Lopez Perez kishte lidhje me PLI-në disidente dhe ishte trajnuar nga një ish-anëtar i Gadrës Kombëtare që jetonte në ekzil, në El Salvador. 16 vite më vonë, në shkrimin e tij me titull “Shënime mbi Letrën Rekomanduese të Rigoberto Lopez Perez”, Fonseka e kishte përshkruar atë si “Fëmijë legjitim të Sandinos”, duke e quajtur aksionin e tij si “jo vetëm të kuptueshëm, por edhe të arsyeshëm”, sepse “në gjithë vendin nuk kishte as organizatë, as lidership, e as vetëdije revolucionare”. Fonseka nuk lavdëronte Lopez Perezin në vitin 1956, megjithatë kjo ndodhi për shkak se ai nuk preferonte mënyra të dhunshme dhe besonte se PSN-ja kishte gati udhëheqjen e nevojshme për Nikaraguan.

Presidenti i ri Luis Somoza kishte deklaruar shtetrrethimin pas vrasjes së babait të tij, dhe kishte filluar arrestimin e komplotistëve të dyshuar, që ishin të shumtë në Leon. Zona përreth universitetit ishte shndërruar në kamp të armatosur, rrugët ishin bllokuar me tela gjemborë, dhe Garda Kombëtare vazhdimisht patrullonte. U arrestuan qindra studentë e disidentë tjerë, përfshirë Karlos Fonsekën, i cili kurrë s’e kishte takuar Lopez Perezin e nuk dinte asgjë për komplotin e vrasjes. I mbajtur në burg nga 27 shtatori deri me 14 nëntor, Karlosi përfundimisht u lirua pa akuza, ndoshta edhe si pasojë e intervenimit të babait të tij. Tomas Borgeja mbeti në burg për më shumë se dy vjet, u lirua më pas, pas protestave këmbëngulëse të studentëve.

Kur Garda kishte arrestuar Fonsekën, ata i konfiskuan 80 libra, fletushka e gazeta, përfshirë shkrime të Marksit e Engelsit, poezi të Pablo Nerudës, romane të Folknerit, Balzakut e Dostojevskit, ese mbi religjionin e politikën. Pas lirimit të tij, Fonseka, i cili e identifikonte veten si i ” biri i Fausto F. Amadorit”, i shkroi shefit të Gardës Kombëtare Anastasio Somoza Debajle Taços, duke i kërkuar materialin e konfiskuar, sepse “asnjëra nga to nuk janë të dobishme për Gardën Kombëtare, ndërsa për mua paraqesin frytin e dhjetë viteve të shqetësimit”. Fonseka besonte se Kolonel Somoza do t’ia kthente “librat e vlefshme e fotografitë e dashura”, kështu koloneli “do të shmangte rritjen e panevojshme të pakënaqësisë sime ndaj tij”.

Kjo kërkesë shtyu një oficer sigurie të Gardës Kombëtare t’i dërgojë letër “Drejtorit Ekzekutiv”, Somozas. Shkruar mbi letrën me stemë të Oficerit të Gardës Kombëtare (OSN), letra ishte dokument magjepsës e i shkruar tërësisht në gjuhën angleze. Nënshkrimi nuk vërehet mirë, por anglishtja e rrjedhshme dhe e saktë le përshtypje se ai ishte amerikan. Somoza siç duket preferonte të komunikonte me policinë e tij sekrete në gjuhën angleze, siç kishte shkarravitur në letrën kthyese në të njëjtën gjuhë: “Ktheja ato gjëra që nuk kanë ndërlidhje komuniste. ASD”. Oficeri i sigurisë kishte dalë në përfundimin se Fonseka ishte shumë radikal e i hapur ndaj politikave të tij për të qenë anëtar i Partisë Komuniste, ishte i mprehtë e madje profetik. Ky përfundim në fakt ishte i pasaktë në atë kohë.

1. Të bashkëngjitur gjeni listën e pasurisë personale që i është marrë Fonseka Amadorit kur u arrestua. Shumica e literaturës është komuniste. Subjekti është mbështetës i dukshëm i doktrinës Komuniste, edhe pse mohon të jetë anëtar i Partisë Komuniste. Besohet se ai nuk është anëtar i Partisë Komuniste, ngase është shumë i hapur ndaj çështjeve që shqetësojnë komunizmin në një vend ku komunizmi është i paligjshëm, ndoshta do të shmangej nga anëtarët e fshehtë të Partisë.

2. Babai i subjektit, Fausto F. Amador, ka deklaruar se djali i tij është bërë eksponenti komunist më i përfolur pas arrestimit të tij. Fonseka deklaroi gjatë marrjes në pyetje se ai dhe Tomas Borgeja kishin planifikuar t’i vazhdonin aktivitetet e tyre në Matagalpa dhe Leon pas lirimit.

Përkundër shtatë javëve të mbajtura në burg, Fonseka e përfundoi vitin e parë si ndër më të dalluarit të UNAN-it. Raportin me provime që e pranoi pas afatit të shkurtit të vitit 1957, përmbanin nota që shkonin nga 8 deri në 10, asnjë më të ulët. Megjithatë, ky ishte i fundit raport i dalluar i tij. Fonseka ishte jashtë vendit në vitin akademik 1957-58, e viti i dytë i studimeve nuk kishte filluar deri në qershor të vitit 1958. Pas provimeve përfundimtare të shkurtit në vitin 1959, raporti i provimeve të Fonsekës i notuar sipas subjekteve shkruante kështu: “No se presento” (Nuk ishte prezent).

PSN-ja e kishte dërguar Fonsekën në vitin 1957 në Bashkimin Sovjetik si delegat në Kongresin e Gjashtë Botëror të Studentëve dhe Rinisë për Paqe dhe Miqësi. Rreth 35.000 të rinj morën pjesë në këtë ngjarje, dhe rreth 700 në konferencën pasuese në Kiev. Në librin e tij, Fonseka kishte shkruar rreth kësaj vizite, ku thotë se kishte vendosur të shkonte papritmas. Ai vuante në mënyrë akute (lodhje mendore), – thoshte ai, si rezultat i aktivizmit studentor përcjellë nga 50 ditët në burg dhe dy muajt e provimeve përfundimtare. 1.82 centimetra i gjatë, në qershor të vitit 1957 ai peshonte vetëm 62 kilogram. Një mjek e kishte udhëzuar të pushonte gjatë dhe ai kishte vendosur të pushonte e të shërohej në Kosta Rika. Aty u takua me Manolo Kuadran, i cili i kishte treguar rreth konferencës dhe i kishte rregulluar fluturimin e tij në Bashkimin Sovjetik. Është e mundur që udhëtimi i Fonsekës të jetë organizuar në të njëjtën mënyrën si ai i delegacioneve të tjera latinoamerikane nga Partitë Komuniste. Fonseka ishte anëtar i PSN-së dhe udhëheqësi më i shquar studentor. Ai ishte personi më logjik që mund të dërgohej nga një parti e vogël që kishte mundësi të dërgonte vetëm një anëtar delegacioni në një ngjarje aq të madhe. Ishte renditur në konferencë (nën pseudonimin Pablo Kaseres) si përfaqësues i “Jeunesse Parti Socialiste” të Nikaraguas. Revolucionari nga Salvadori Roke Dalton, i cili e kishte takuar atë në Moskë, thoshte se ai ishte anëtar i Partisë Komuniste në atë kohë.

Un Nicaraguense en Moscu,e shkruar në fillim të vitit 1958 nga Fonseka, paraqiste në mënyrë jokritike e gazetareske udhëtimin e tij në Bashkimin Sovjetik e në Gjermaninë Lindore. Ai e përshkruante Bashkimin Sovjetik si parajsë të punëtorëve, planet pesëvjeçare të përfunduara, sëmundjet sociale si prostitucioni të ndaluara plotësisht, dhe papunësinë e diskriminimin të eliminuar tërësisht. “Qëllimi i broshurës sime”, shpjegonte ai, “është t’i shtojë një farë Nikaraguas për të ndërtuar paqe në botë…. Shpresoj të kontribuoj në bashkëjetesën ndërmjet fuqive të mëdha që kanë sisteme sociale të ndryshme”. E vetmja kritikë ndaj SHBA në libër është ajo ndaj refuzimit për të njohur qëllimet paqësore të Bashkimit Sovjetik. Fonseka lavdëronte stilin “përulës” të jetës së zyrtarëve të lartë sovjetikë duke shtuar se “gazetat ishin mjetet kryesore të kritikës”. Ai insistonte se “në të kundërtën e asaj që mendojnë njerëzit, rusët nuk tentojnë të fshehin gabimet e defektet që kanë”. Fonseka la mënjanë argumentet e Hrushovit, e në mënyrë të përsëritshme lavdëronte Stalinin si lider të madh. “Pashë përmendore të Stalinit gjithandej në Bashkimin Sovjetik. Por nuk pashë një të Nikitës”. Fonseka pohonte se kishte mësuar të vërtetën e kryengritjes hungareze të vitit 1956, duke cituar një të ri hungarez që i kishte thënë se “falënderoj sovjetikët që me ndihmën e tyre parandaluan kriminelët fashistë të merrnin Hungarinë”.

Fonseka gjatë jetës së tij ishte jashtëzakonisht i ndershëm dhe shpesh fjalosej me sandinistët e tjerë që ekzagjeronin fuqinë apo fshihnin defektet e lëvizjes së tyre. Pse atëherë kishte pikturuar një fotografi rozë e të njëanshme të Bashkimit Sovjetik në vitin 1957? Mikpritësit e tij padyshim që i rregulluan turne e intervista që paraqisnin shoqërinë sovjetike në dritën më të mirë të mundshme, por kjo e arsyeton pjesërisht dështimin e Fonsekës për të zbuluar ndonjë veçori negative. Shpjegimi më i mirë që i përshtatet karakterit të tij është se ai ishte joshur nga arritjet teknologjike e sociale të Bashkimit Sovjetik, e vetë fakti se ishte bërë forca kryesore në botë që nga Revolucioni Rus. Ai, si shumë studentë e punëtorë tjerë që e vinin nga vendet e pazhvilluara, e shihnin socializmin e praktikuar në Bashkimin Sovjetik si rrugëdalje nga prapambetja e pabarazia e shoqërive të tyre. Përveç titullit të saj, Un Nicaraguense en Moscu, pjesa tjetër ka mundur të shkruhet shumë lehtë nga ndonjë anëtar i ri i Partisë Komuniste në Indonezi, a Bolivi, apo dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E shkruar në stilin folklorik e direkt të Fonsekës, libri nuk përmbante shkrime revolucionare të njëjta si ato që kishte shkruar pas Revolucionit Kuban. Në të gjendej entuziazmi i tij për aspektin e “kulturës rinore” të konferencës. “Konferenca bëri bashkë në Moskë rininë më të mirë të botës. Mendoj se gjëja më e mirë që ka Panamaja nuk është kanali, por rinia e saj. Dhe gjëja më e mirë që ka Kuba nuk është industria e sheqerit, por rinia e saj”.

Emri i Augusto Sezar Sandinos nuk u shfaq në Un Nicaraguense en Moscu. Në një pikë, Fonseka theksonte se shumë delegatë nga vende të ndryshme i dhanë atij butona me fotografi të heronjve të tyre kombëtar, dhe e pyetën se ku i ka të tijat. “Për shkak se udhëtimi im ishte i organizuar me nxitim” – shkruante Fonseka, “nuk munda t’i mbledh kujtimet e vendit tim, siç janë monedhat, pullat, kutitë e purove, etj.” Nuk ka shenja këtu se Nikaragua mund të kishte një hero kombëtar të sajin.

Un Nicaraguense en Moscu është habitshëm më e shkëputur nga shkrimet e mëvonshme të Fonsekës. Aty ai lëvdonte BRSS-në, nuk arriti të përmendte Sandinon dhe pa dyshim pranoi teorinë e PSN-së se Nikaragua nuk kishte nevojë për transformim revolucionar, por për një proces të gjatë reformues në të cilin punëtorët e organizuar do të luanin rol kyç. Fonseka kishte dhënë disa mendime mbi situatën në Nikaragua gjatë vizitës së tij në Bashkimin Sovjetik e në Gjermaninë Lindore. Tjetër çfarë ka mbijetuar është mesazhi i tij i dhënë në Kongresin e Katërt të Federatës Botërore të Sindikalistëve të mbajtur në Lajpcig në tetor të vitit 1957, ku kishte dhënë disa statistika mbi varfërinë dhe mungesën e arsimit të punëtorëve të Nikaraguas. Për më tepër, lavdëroi fuqinë e lëvizjes sindikale të viteve 1944-47 (kur, nën udhëheqjen e PSN-së, i dha përkrahje e çmuar Somozas). Fonseka s’kishte përmendur se ekzistonte shtetrrethimi në vendin e tij për afro një vjet, ndërsa në vend të kësaj theksonte hapjet për organizimin e punëtorëve dhe qarkullimin e gazetës propunëtore të PSN-së.

PSN-ja caktoi Rodolfo Ameron për ta redaktuar librin e Fonsekës “nga gabimet politike”. Vetëm disa vjet më i vjetër se Fonseka, Romero kishte qenë komunist për gati një dekadë dhe kishte punuar me PVP-në e Kosta Rikës dhe PGT-në e Guatemalës. Ai bëri disa sugjerime, duke i thënë Karlosit ta hiqte pasazhin ku një vajzë e shkollës fillore kishte mbajtur një fjalim që tingëllonte sikur të ishte i Leninit. Duke punuar mbi librin ata u bënë shokë. Rodolfo i kishte treguar Karlosit rreth eksperiencës së tij të vitit 1954 gjatë grushtit të shtetit kundër presidentit të Gutamalës, Xhakobo Arbenz. Edhe pse i paudhëzuar nga PSN-ja për të qëndruar, Romero mbeti në Guatemalë duke marrë pjesë edhe për një kohë në grushtin e shtetit të çorganizuar e jetëshkurtër. Aty kishte takuar një mjek të ri argjentinas i cili gjithashtu ishte i interesuar të luftonte marrjen e kontrollit ushtarak. Mjeku nuk kishte përvojë lufte dhe Rodolfo e mësoi atë si të pastrojë e të gjuajë me pushkë automatike. Romero njohu argjentinasin Ernesto Gevara, dhe i tha Fonsekës në vitin 1958 se ai u ishte bashkuar rebelëve të Fidel Kastros, ndërsa kubanët kishin filluar ta quanin “Çe”.

Kur Karlos Fonseka shkroi Un Nicaraguense en Moscu, ai ishte anëtar besnik i PSN-së. Libri u botua pjesërisht në fillim të vitit 1958, me hyrje të shkruar nga Sekretari i Përgjithshëm Manuel Perez Estrada. Fonseka në mënyrë të vrullshme e kishte shitur librin çdokund, në takime, në stacione treni, në sheshe publike, dhe ua kishte dhënë nga një kopje shokëve dhe familjarëve. Ai madje ia kishte dërguar një kopje Anastasio Somozas bashkë me një letër duke kërkuar kthimin e librave dhe aparatit fotografik që ia kishin marrë gjatë kthimit të tij në Nikaragua.

Nuk ka ndonjë dëshmi që Fonseka të mos jetë pajtuar me politikat e PSN-së në vitin 1958. Një ndër projektet më të rëndësishme të partisë atë vit ishte organizimi për të mbështetur legjislacionin e ri të punëtorëve të propozuar nga Somoza, që përfshinte rritjen e sigurimit social nëpërmjet rritjes së taksave të punëtorëve. Fonseka më vonë e dënoi shefin e PSN-së, Perez Estradan për gjuhën e njëjtë si “të sindikalistëve të diskredituar somozistë” dhe e quajti sjelljen e PSN-së si dëshmi “të tendencave të saj kronike për të kapur për bishti grupet politike tradicionale të kontrolluara nga klasat shfrytëzuese”. Kjo kritikë erdhi pas vitit 1958.

Fonseka kishte nisur vitin e dytë në fakultetin juridik në UNAN në qershor të vitit 1958. Ai ishte zgjedhur në komunitetin ekzekutiv të CUUN-së, ku bashkëpunoi ngushtë me Fernando Gordilon, i cili qysh në moshën 17 vjeçare njihej si poet e orator. UNAN-i përfundimisht kishte fituar autonominë në mars të vitit 1958 dhe nuk ishte më e lidhur me shtetin somozist e Partinë Nacional-Liberale. Rektori i UNAN-it, Mariano Fiallos Gil dhe akademiku i ri Karlos Tunerman zgjodhën Karlos Fonsekën për të mbajtur fjalimin përshëndetëse për studentët e ri, brucoshët e vitit të parë të autonomisë në universitet.

Karlosi e përdori pozitën e tij si udhëheqës i kampusit për të përfshirë studentë në njohjen e politikave kombëtare e ndërkombëtare, për të ndihmuar të organizohen protestat e korrikut të 1958, si dhe për të parandaluar UNAN-in nga dhënia e titullit të nderit për vëllain e presidentit të SHBA-ve, Milton Ajzenhauerin. Disa nga detyrat e Fonsekës kishin të bënin me çështjet më të zakonshme të studentëve. Disa nga letrat e nënshkruara nga Karlos Fonseka Amadori të drejtuara policisë sekrete ishin kërkesa për dhoma të reja për mbledhjet e studentëve, thirrje drejtuar një kompanie ndërurbane për të zbritur çmimet e autobusëve për studentët dhe një orar njoftues për panairin e përvitshëm universitar në gusht të vitit 1958. Në tetor të 1958-s filloi greva e parë studentore në histori të Nikaraguas që kërkonte nga qeveria lirimin e Tomas Borgesit dhe studentëve tjerë të burgosur qysh nga vrasja e Somoza Garsias, para më shumë se dy vjetëve. Bashkë me udhëheqës tjerë të kampusit, Fonseka takoi presidentin Luis Somoza në Managua më 15 tetor për të paraqitur kërkesat e grevistëve. Aktivizmi studentor mund të ketë qenë arsyeja pse Karlosi u arrestua në fund të nëntorit, “pa ndonjë arsye të ditur”, thoshte ai më vonë. Kësaj radhe ai u lirua shpejt, ndoshta për shkak të ndërmjetësimit të babait të tij.

Greva e studentëve të tetorit çoi deri tek organizimi i shoqatës kombëtare të nxënësve të shkollave të mesme, që u mbajt në Leon në dhjetor të atij viti. Fonseka, i cili gjatë gjithë jetës theksonte rëndësinë e arritjes së nxënësve të shkollave të mesme të Nikaraguas, kishte luajtur rol kyç edhe në organizimin e kësaj konference. Ai u kishte shkruar nxënësve duke i inkurajuar të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre dhe kishte shtyrë rektorin e UNAN-it për t’i bindur drejtorët e shkollave të mesme të cilët hezitonin t’i lejonin nxënësit të merrnin pjesë. Sipas një delegati të një shkolle të mesme katolike të Çinandegas, disa studentë universitarë nuk mendonin se autonomia duhej shtrirë deri tek nxënësit e shkollave të mesme. Kur erdhi koha për të hartuar komunikatën përfundimtare tradicionale të arritjeve të konferencës, ky delegat kujton se “një grup studentësh universitarë erdhën tek ne me diçka që ata e kishin punuar, dhe të cilën ne duhej ta pranonim”. Konferenca gati ishte çarë kur nxënësit e shkollave të mesme protestuan ndaj këtij trajtimi të shtrënguar. Karlos Fonseka kishte ndërhyrë, sidoqoftë, duke thënë se “duhet të pranohet fakti se udhëheqësia e re e shkollave të mesme ka të drejtë ta formulojë vetë komunikatën e saj përfundimtare, pa ndërhyrje absolutisht nga askush”. CUUN-i vazhdonte të ndërhynte ndaj nxënësve të shkollave të mesme kur Fonseka la Leonin. Rene Nunjezi, që më vonë ishte udhëheqës i FSLN-së, përshkruante se si studentët universitarë kishin shkuar në shkollën e tij të mesme në fillim të viteve ‘60 duke mbajtur fjalime e takime, e duke krijuar mbështetje për demonstrata dhe mitingje.

Fonseka mbeti anëtar i PSN-së, por kishte pak vëmendje nga udhëheqja e partisë, përkundër përpjekjeve besnike për të përfshirë studentët në veprime e solidaritet ndaj vështirësive të punëtorëve. Fonseka shkroi një artikull për gazetën universitare El Universitario, duke mbështetur grevën e hamejve të portit e afërt të Korintos, e po ashtu kishte folur në emër të lëvizjes studentore në takimin me grevistët e Korintos, dhe kishte vazhduar njëkohësisht të shiste gazetën e PSN-së, Unidad. PSN-ja përballej me vështirësi ndaj çështjes së të drejtave pronësore të lagjes së indianëve të Subtavias, e cila kishte mobilizuar mijëra njerëz duke fituar mbështetje nga komuniteti i gjerë studentor më pas. Si udhëheqës kryesor i studentëve dhe anëtar i PSN-së, Fonseka sigurisht do të ketë marrë pjesë në këtë konflikt. Në vitin 1958 ishte banor i Leonit, ndërsa sheshi qendror i Subtavias ishte më afër se dy kilometra nga Universiteti.

Ngjarjet që rrodhën në vitin 1958 padyshim që e cytën Fonsekën të shkëputej nga PSN-ja. Si të gjithë studentët e tjerë radikalë të Nikaraguassë e Amerikës Latine, ai po ndiqte me ngazëllim të shtuar ngjarjet që po ndodhnin në ishullin karaibean të Kubës.

Përzgjedhja, përkthimi dhe shënimet sqaruese: Valton Marku

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s