Slavoj Žižek: Nëse do ta sundoja botën

Në trillerin e Martin Kruz Smithit Gjiri i Havanës, një vizitor amrikan kapet në një komplot kundër Fidel Kastros. Më pas ai zbulon se komploti ishte organizuar nga vetë Kastroja. Kastroja është i vetëdijshëm për rritjen e pakënaqësive ndaj tij, madje edhe nga vetë rrethi i ngushtë i funksionarëve, kështu që prej vitesh urdhëronte agjentët e tij të fshehtë për të organizuar një komplot për ta rrëzuar atë, me qëllim të vetëm çrrënjosjen e funksionarëve të pabesë. Vetëm para miratimit të komplotit, tufa e rebelëve arrestohet dhe likuidohet. Dhe kjo është gjëja e parë që do ta bëja për ta siguruar mbretërimin nëse do ta sundoja botën. Zoti bën të njëjtën gjë te Njeriu që ishte Enjti i GK Çestertonit, kështu unë do të isha i mirëshoqëruar.

Masa ime e ardhshme do të ishte ulja e standardit të jetesës së nënshtetasit tim. Përse? Këtu do të ndjek mësimin e romanit të Ismail Kadaresë Piramida, në të cilën faraoni egjiptian Keops njofton se nuk dëshiron të ndërtojë një piramidë të njëjtë me të paraardhësve të tij. Të alarmuar nga ky sugjerim, këshilltarët e tij theksojnë se ndërtimi i piramidës është vendimtar për ruajtjen e autoritetit të tij; është një nga mënyrat që i mban njerëzit e tij të varfër, e kësisoj edhe të bindur. Keopsi e njeh të vërtetën e kësaj, kësisoj bashkë me këshilltarët shqyrton mundësitë e ndryshme të përkeqësimit të gjendjes së qytetarëve: për shembull duke futur Egjiptin në luftë me fqinjët, ose duke sjellë ndonjë katastrofë natyrore (duke prishur rrjedhën e rregullt të Nilit, e për pasojë dëmtuar bujqësinë). Këto opsione u hodhën poshtë si shumë të rrezikshme (Egjipti mund ta humbiste luftën, katastrofat natyrore mund të çonin në kaos të pakontrollueshëm). Pra ata kthehen tek ideja e ndërtimit të një piramide aq të madhe, saqë ndërtimi i saj do të mobilizonte gjithë burimet e vendit dhe do të dobësonte energjitë e popullsisë së saj duke i vënë të gjithë në rresht. Projekti e futi vendin në gjendje emergjente për dy dekada, me polici të fshehtë e të zënë në zbulimin e sabotazheve, duke organizuar arrestime të stilit stalinist, rrëfime publike dhe ekzekutime. Do të përpiqesha të gjeja një mision të përshtatshëm e të ngjashëm për kohërat tona, siç është investimi, që të le pa frymë, i parave në ekspedita të njeriut në Mars dhe planetë të tjerë.

Për të financuar këto projekte publike ekstravagante, do të nxirrja ligje që propagandonin pirjen e duhanit. Duhanpirësit kronikë vdesin më herët, paramendojeni sa më pak do kishte për të shpenzuar shteti në pensione e në kujdesin shëndetësor. Nën sundimin tim, të stilit sovjetik, çdo duhanpirës i cili konsumon së paku dy paketa në ditë do të paguante taksa më të ulëta dhe do të merrte medalje të veçantë si hero publik, me kontribut në konsolidimin financiar.

Për më tepër, për ta ruajtur moralin publik e për ta zvogëluar korruptimin seksual, do të shtoja si të detyrueshme në programin mësimor të shkollave fillore edukatën seksuale. Këto mësime do të mund të përvetësonin metodën e përvijuar në skenën e famshme të Monti Pitonit Kuptimi i Jetës, në të cilën një mësues u mëson nxënësve se si eksitohet një grua. Të kapur në injorancën e tyre, nxënësit e turpëruar shmangin shikimet dhe belbëzojnë të përgjigjen, ndërsa mësuesi i qorton për mospraktikim të kësaj teme në shtëpi. Me ndihmën e gruas së tij, ai demonstron penetrimin e penisit në vagjinë. Njëri nga djelmoshat e shkollës dinakërisht hedh vështrimin nga dritarja, dhe mësuesi e pyet me sarkazëm: “A do të bëhesh i sjellshëm e të na tregosh se çfarë ka aq tërheqëse atje në oborr?!” Edukimi i tillë padyshim që do të shkatërronte kënaqësinë e seksit për breza e breza.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, për t’u siguruar që njerëzit do ta trajtojnë njëri-tjetrin dashamirësisht e mirësjellje, do të bëja rregull para çdo bisede një seancë të ritualizuar fyerjesh vulgare. Përse? A nuk është kjo e kundërta e gjuhës së përbashkët e cila tregon se ne shpërthejmë në sharje të egra atëherë kur, në mes të bisedës së qetë, inatosemi dhe nuk mund ta mbajmë frustrimin tonë. Gjuha e përbashkët qëndron gabueshëm këtu (siç ndodh kryesisht). Kemi një ritual me disa miq: kur takohemi, në pesë minutat e para i futemi në një seance formuleske sharjesh të vrazhda e pashije, duke ofenduar njëri-tjetrin. Më pas kur lodhemi, pranojmë përmes ndonjë tundjeje koke se ky ritual hyrës, edhe pse i mërzitshëm gjithsesi i pashmangshëm, ka mbaruar, dhe me ndjenjën e lehtësimit të një detyre të kryer, relaksohemi dhe fillojmë të flasim në mënyrë normale të qetë, siç jemi me të vërtetë, njerëz të dashur e të kujdesshëm. Imponimi i një rituali të tillë te gjithë njerëzia do të garantonte paqe dhe respekt të ndërsjellë.

Mendoni se këto janë thjesht shaka të tepruara? Mendojeni sërish: a nuk jetojmë tashmë në një botë të ngjashme?!

Botuar në: Organizata Politike

V.M.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s