Bahri Fazliu: Dhembja mund dhembjen

Na thonë se po e shkatërrojmë familjen,
Se dhembjet asaj po ia shtojmë,
Shtëpisë po ia heqim gurët,
Këngën në vaj po e shndërrojmë.

Na thonë, dhe kanë të drejtë.
Nënat tona vyshken nga meraku ynë,
Shtëpia mbetet pa burrë,
Dhembja shtohet gjithmonë.

Harruan se edhe ne na qan zemra,
Edhe ne na merr malli për shtëpinë,
Për t’u shtruar njëherë mes më të dashurve,
Për të kënduar këngë për dashurinë.

Harruan se dhembja është e madhe,
Aq sa edhe malet,
Harruan se me dhembje luftojmë
Shpresat e gëzuara djaloshare.

Harruan se rreziqeve të përhershme,
Secili nga ne mban një fotografi në zemër,
Në sfond mospërfillja e tmerrshme
Në thellësi deti dhembje, dhembje.

Ah! ç’dhembje ndiejmë për bablokun e gjorë,
Për nënën që e ka kërrusur dhembja,
Për motrën dhe vëllan e vogël,
Oh, ç’dhembje për jetën pa brenga!

Thamë:
Le të zhuriten zemrat prej pikëllimit,
Le të qajë toka për këmbët tona,
Le t’i ndryshkën telat çiftelisë,
Le të mbetën bagëtia pa bari,
Le të mbetet dhe gruaja pa burrë,
Dhe motra pa vëlla,
Dhe vëllai pa motër…
Ne do ndezim zjarre pishtarë,
Do të shndrisim fushë, mal e kodër.

Ne me dheun do të flasim,
Prej tij Havë e Adem të rinj do të krijojmë,
Qiellit do t’ia ndryshojmë ngjyrën,
Njeriun tokës do t’ia dhurojmë.

Na thonë: po sulmoni qiellin,
Po luftoni me male e kodër,
Ne veshin s’ua vëmë,
Në gji shtrëngojmë të madhin popull.

Ecim si hije natën,
Ditën na ka rrëmbyer vdekja,
Flasim me rrugicat e qytetit,
Të kuqen ua heqim udhëkryqeve të zbehta.
Harrojnë se mbyllemi, sepse urrejmë kuvlinë,
Se sulmojmë qiellin për njerëzinë,
Se fluturojmë në qiell për të kapur një copë diell,
Se lëmë të dashurit për dashurinë.

Harrojnë se vetëmohimi është jetë,
Se përleshja me flakën bëhet për dritën,
E shkelja e interesit për interesin,
E dhënia e jetës për jetën e rritës.

Harrojnë se duam natën për ditën,
Se duam dhembjen për gëzimin
Se duam luftën për paqen,
Se duam plakun për të riun.

Harrojnë, me qëllim s’kujtohen,
Se jetën japim për jetën, se gjakun japim për gjakun,
Se lëmë këngën për të përjetshmen.

Na akuzojnë, s’lënë gjë pa na thënë,
Por anija dot s’përmbytet,
Mes shkëmbit të forte dhe valëve plot zhurmë,
Noton ajo për rreze drite.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s