Qemal Stafa: Nënshtypje kaltërsie

Mbi valët kryeneçe që lëkundin si fëmijë barka rrëshqet ledhatuese. Zhurma monotone e makinave të fuqishme shënon ritmin e shpejtë të kohës që kalon. Dielli i korrikut, i egër, i zjarrtë, i jep shkëlqime kristalime shkumës bardhoshe që shfren deri në zemrim.Mbështetun mbi parmakët e pastër, nji detar i nximë më buzëqesh, miqësisht.

I afrohem. E përshëndes.

Dora e tij e gjanë dhe e mësueme me tërhjekë pesha të randa, shtrëngon timen që ka humbë gjurmët e fuqisë.

E pyes. Mbi fatin e pasigurt të jetës së tij të mundishme.

M’u përgjegj. Me za t’ulët, por energjik. Me fjalë të thjeshta, por që mbyllin. nji botë.

E do detin e madh. E dashunon si fëmija nanën në vjetët e para. Si fshatari tokën jetëdhanëse. E njeh detin. Më tregon vargje të pambarim që trondisin. Më përshkruen episode të shumta mundi dhe djerse.. .

Nganjiherë fytyra e tij masive errësohet për nji çast. Asht kujtimi i ndonji shoku të vjetër, humbun në dallgat pa fund të detit të pangopun. Por prapë sqarohet. Buzëqeshja klasike ndrit përsëri fytyrën e tij të çelun. Dhe vazhdon gjithnji të tregojë vuejtjet e gjata që e kanë shtypë dhe e shtypin; mundjet e panumërta që i tregojnë fatin e jetës.

Dhe vazhdon gjithnji të tregojë vuejtjet e gjata që e kanë shtypë dhe e shtypin; mundjet e panumërta që i tregojnë fatin e jetës. Mustaqet e thime varen qetësisht dhe dridhen nganjiherë.

Avullorja rrëshqet e qetë dhe madhështore. Detari plak flet… Duhet të largohem nga ai. Buzëqeshja e tij më thëthit. – E dëgjoj me kureshtje, me dashuni. Por jo me mëshirë. Ai nuk kërkon mëshirë. Porsa dallon nji gjurmë të lehtë keqardhjeje mbi fytyrën time, qesh dhe këndon me za. Përmes gojës së tij më flasin mijëra burra, që bajnë të njajtën jetë. Nëpër buzët e tij më qeshin dhe më këndojnë mijëra fytyra, që errësohen nga të njajtat kujtime.

Qenie të përvuejta, që punoni pa pushue në nji fushë që bota e kujton të gëzueshme. Burra të fuqishëm që keni trajtue me mund musklat e ngrehuna. Nuk keni nevojë për mëshirët e plagët e njerëzve gjumashë.

Nuk njiheni. Punoni në heshtje, kur të tjerët pushojnë. Vetëm ngandonjëherë nota e gëzuejshme e nji fizarmonike të motshme bie një tingull hareje në jetën tuej të zymtë. Bashkë me kujtimin vegimtar të dy syve të zes, që ndritte si deti i gjanë nën qiellin e korrikut, si ai deti mbi të cilin ju pushoni natë e ditë.

 

Shkëputur nga: Qortimet e vjeshtës. Libri Shkollor, Tiranë 1975.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s