Fernando Pessoa: Libri i shqetësisë

Pa mejtë shiu

pessoa

Qetësia e shkoqun prej zhumhurit të shiut përhapet, me nji kreshendo monotonie të hintë, nëpër rrugën që vështroj. Po flej i zgjuem, ndalë ndanë dritares, në të cilën pështetem si gjithkund. I kërkoj në mue ndijet që kam para kësaj ramjeje të shpalueme t’ujit errët të zdritshëm që shquhet qartas para fasadave të zhlyeme e, edhe ma fort, para dritareve të hapuna. Dhe nuk di çka ndijoj, nuk di ç’due me ndijue, nuk di çka mendoj as çka jam.

E tanë athtësia e ndiçme e jetës sime zdesh, para syve të mi pa ndjesi, teshën e gëzimit natyror që përdor në rastet e zgjatueme të përditshmënisë. Kuptoj se, shum herë i gazmuem, shum herë i gëzuem, jam gjithë i pikëlluem. Ai që në mue e kupton këtë asht mbrapa meje, as me u pasë kërrusë përmbi mue të pështetun për dritare, dhe, mbi supet e mia, ose madje mbi kryet tim, sodit, me sy ma të thelluem se të mitë, shiun e lehtë, nji fije të valëvitun tashma, që qëndis lëvizjen e ajrit të murrmë e të keq.

Me i braktisë tana detyrat, madje edhe ato që s’na kërkohen, me u leçitë tana votrash, madje edhe tynesh që s’qenë tonat, me jetue nga pasaktësi e gërdhoja, midis vjollceve madhështore të çmendjes, dhe lidhëzave të stisuna madhnish t’andrrueme… Me qenë ndoj sendegja që nuk ndjen trysninë e shiut të jashtëm, as krusmën e boshsisë së mbrendshme… Me bredhë pa shpirt as mendim, pos ndjenjë e pastër, ravës së përdredhun malore, lugjeve zhdukë prej shpatesh të rrëpita, i largët, i tretun, i kobshëm… Me u përhupë ndër visoret porsi piktura. Mos me pasë njisi as ngjyrë…

Nji puhim i lehtë i erës, që përmbas dritares nuk e ndjej, shqyen tërthoras ramjen pingule të shiut. Kthjellet nji pjesë qielli që nuk e shoh. E vërej këtë ngase, përtej xhamave gjysëm të pastër të dritares përkundruell, po mundem tashma m’e shque kalendarin në mur, atje mbrendë, që deri tashti s’e shihja.

Harroj. Nuk shoh, pa mendue.
Shiu men, e prej tij mbetet, nji trohë herë, kith diamantash t’imtë, sikur, në naltësi, ndonji gja porsi rubë e madhe t’ishte shkundë kaltërisht prej këtyne grimcash. Ndjehet se nji pjesë qielli a’ tashma e kaltër. Shihet, nga dritarja përkundruell ma qartas kalendari. Ka nji fytyrë femne, kurse mbetja asht e lehtë sepse e njoh, e pasta e dhambëve asht ma e njohuna e tanave.

Po ç’mendoja ma para se u treta në të kundruem? Nuk di. Dishrim? Rrekje? Jetë? Me nji përhapje të madhe të dritës ndjehet se qielli a’ tashma thueja krejt i kaltër. Po, por qetësim nuk ka – ah, s’ka për të pasë kurrë – në fund të zemrës sime, pus i vjetër në skajin e plangut të shitun, mbamendje e vogjlisë mbytë në pluhun në tavanin e shtëpisë së huej. Nuk ka qetësim – dhe, medet! – s’ka madje as dëshirë me pasë.

Shkëputur nga: Fernando Pessoa – Libri i shqetësisë (The Book of Disquiet)

Përktheu: Gazmend Bërlajolli

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s