Herbert Marcuse: Njeriu Njëdimensional

marcuse-wayfarers

Në fakt shoqëria patjetër duhet të krijojë së pari kushtet paraprake materiale të lirisë për të gjithë anëtarët e saj, para se ajo të mund të jetë një shoqëri e lirë; ajo së pari duhet patjetër që ta krijojë begatinë, para se të jetë e aftë që ta shpërndajë atë sipas nevojave që zhvillohen lirisht të individit; ajo së pari duhet patjetër t´iu mundësojë skllevërve të saj që të mësojnë, që të shikojnë dhe që të mendojnë para se ata të dinë se çfarë po ndodh dhe se çfarë mund të bëjnë ata vetë për ta ndryshuar atë. Dhe në atë shkallë me të cilën skllevërit janë parakushtëzuar që të ekzistojnë si skllevër dhe që të jenë të lumtur në atë rol, duket se çlirimi i tyre domosdoshmërisht do të vijë nga jashtë dhe nga sipër. Ata duhet t´i “shtrëngojmë që të jenë të lirë për t´i parë objektet siç janë dhe ndonjëherë ashtu siç duhet të shfaqen ato”; atyre detyrimisht iu duhet treguar “rruga e mirë”, të cilën po e kërkojnë.

Por megjithë vërtetësinë e tij argumenti nuk mund t´i përgjigjet pyetjes së moçme : kush i edukon edukatorët dhe ku është vërtetimi se ata janë në zotërim të së “mirës” ? Pyetja nuk mund të shfuqizohet duke argumentuar se ajo është njëlloj e zbatueshme për disa forma demokratike të qeverisjes, ku vendimet fatale për atë se çfarë është e mirë për kombin merren nga përfaqësuesit e zgjedhur (apo më shumë miratohen nga ata) – të zgjedhur në kushtet e indokrinimit efektiv dhe të pranuar lirisht. Dhe prapëseprapë shfajësimi i vetëm i mundshëm (ai është mjaft i dobët !) për “diktaturën edukuese” është se rreziku i tmerrshëm që ajo mban me vete, nuk mund të jetë më i tmerrshëm se rreziku që po ndërmarrin tani shoqëritë e mëdha liberale si edhe ato autoritare dhe se as kostot nuk mund të jenë shumë më të larta.

Megjithatë logjika dialektike këmbëngul, kundër gjuhës së fakteve brutale dhe të ideologjisë, se skllevërit patjetër duhet të jenë të lirë për çlirimin e tyre, para se ata të bëhen të lirë dhe se synimi duhet të veprojë nëpërmjet mjeteve për arritjen e tij. Teza e Marksit se çlirimi i klasës punëtore duhet të jetë patjetër vepër e vetë klasës punëtore e shpreh këtë apriori. Socializmi duhet të bëhet realitet me aktin e parë të revolucionit, sepse ai duhet të jetë tashmë në ndërgjegjen dhe në veprimet e atyre, që e kryen revolucionin.

Vërtet ka një “fazë të parë” të ndërtimit socialist gjatë së cilës shoqëria e re “është ende e prekur nga nishanet e shoqërisë së vjetër, prej prehrit të së cilës ajo del”, por ndryshimi cilësor nga shoqëria e vjetër në të renë ndodhi kur filloi kjo fazë. Sipas Marksit “faza e dytë” mbështetet fjalë për fjalë në të parën. Mënyra cilësisht e re e jetesës e shkaktuar nga mënyra e re e prodhimit shfaqet në revolucionin socialist, i cili është fundi i sistemit kapitalist dhe në fund të tij. Ndërtimi socialist fillon me fazën e parë të revolucionit.

Për të njëjtën arsye kalimi nga principi “secilit sipas punës së tij” në “secilit sipas nevojave të tij” diktohet nga faza e parë – jo vetëm nëpërmjet krijimit të bazës teknologjike dhe materiale, por gjithashtu (dhe kjo është vendimtare !) nëpërmjet mënyrës, me të cilën ajo krijohet. Besohet se kontrolli i procesit të prodhimit nga “prodhuesit e drejtpërdrejtë” do të nisë një zhvillim, i cili e ndan historinë e njerëzve të lirë nga parahistoria e njeriut. Kjo është një Shoqëri në të cilën objektet e mëparshme të produktivitetit kthehen për herë të parë në individë njerëzorë, të cilët i planëzojnë dhe i shfrytëzojnë instrumentet e punës së tyre për realizimin e nevojave të tyre vetjake njerëzore dhe të dhuntive. Për herë të parë në histori njerëzit do të vepronin lirisht dhe kolektivisht në kushtet e domosdoshmërisë dhe kundër saj, e cila e kufizon lirinë e tyre dhe natyrën e tyre njerëzore. Prandaj çdo shtypje e imponuar nga domosdoshmëria do të ishte vërtet domosdoshmëri e paimponuar.

Herbert Marcuse: Njëriu Njëdimensional. Fq.38-39.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s