Jean Baudrillard: Amerika

Kapitulli – New York

Numri i sirenave rritet, ditën dhe natën. Veturat janë më të shpejta, reklamat më të dhunshme. Prostitucioni është total, drita elektrike po ashtu. Dhe loja, të gjitha lojrat intensifikohen. Ngjet gjithsesi kësisoj kur i qasesh qendrës së botës. Por njerëzit buzëqeshin, buzëqeshin gjithnjë e më shumë, asnjëherë me njëri-tjetrin, gjithmonë vetëm për veten.

 

Larmi e frikshme e fytyrave, tjetërfarësi e tyre, që të gjitha të shtrira drejt një shprehjeje të cuditshme. Ato maska të japin idenë e pleqërisë dhe të vdekjes në kulturat arkaike, këtu e kanë të rinjtë njëzet apo dymbëdhjetë vjeç. Por është çok si qytet. Atë bukuri në qytetet tjera e marrin gjatë rrjedhës së shekujve, ky e ka marrë në pesëdhjetë vjet.

***

Është i pabesueshem numri i njerëzve që mendojnë vetëm, që këndojnë vetëm, që hanë dhe flasin vetëm në rrugë. Ndërkaq nuk grupohen. Përkundrazi, i bishtojnë njëri-tjetrit dhe ngjashmëria tyre është e papërcaktueshme.

Por një lloj vetmie nuk shëmbëllen me asnjë tjetër. Ështe ajo e njeriut që përgatit publikisht ushqimin, mbi një mur, mbi mbulesen e një veture, përgjatë një grile, i vetëm. Kjo shihet kudo këtu dhe është skena më e trishtë në botë, më e trishtë se mjerimi, sepse më i trishtë nga ai që lyp është njeriu që ha vetëm në publik. S’ka asgjë më kontradiktore me ligjet njerëzore, ose shtazore sesa kjo, sepse kafshët bëhen gjithmonë të nderuara kur e ndajnë ushqimin, ose kur grinden për të. Ai që ha vetëm është i vdekur (por jo ai që pi, përse vallë?).

Përse njerëzit jetojnë në New York? Ata s’kanë asnjë marrëdhënie mes tyre. Por ka një elektricitet të brendshëm që vjen nga aftësia e tyre e qashtër. Një ndjeshmëri magjike prej afrisë dhe joshje prej një qendërsie artificiale. Kjo e bën atë një univers vetëtërheqës, prej te cilit nuk ka asnjë arsye pse të dalësh. Të qenurit aty nuk ka asnjë arsye njerëzore, përveç ekstazes së afrisë.

***

Thonë: Në Europë rruga është e gjallë, në Amerikë e vdekur. Gabim. S’ka asgjë më të dendur,më elektrizuese, më vitale dhe më levrashë, sesa rrugët e New York-ut. Kallaballëku, trafiku, publiciteti i zotërojnë ato herë me përdhunë, e herë me shkujdesje. Miliona njerëz, bredharakë, të plogësht, të dhunshëm, i pushtojnë ato, sikur të mos kishin gjë tjetër për të bërë, dhe, pa dyshim, në të vërtetë, ata s’kanë gjë tjetër për të bërë, përveçse të riprodhojnë spektaklin e vazhdueshëm të qytetit. Muzika është kudo, trafiku i dendur, relativisht i shpejtë dhe i heshtur (nuk është si trafiku nervoz dhe teatrial italian). Rrugët, avenytë, nuk zbrazen kurrë, por gjeometria e llagartë dhe plot ajër e shtëmëng afrinë arteriale të rrugëve europiane.

Në Europë rruga nuj jeton veçse përmes aksesit në çastet historike, gjatë revolucionit, barrikadave. Përndryshe njerëzit nxitojnë, askush nuk vërdalliset me të vërtetë (nuk endet më). Është njëlloj si veturat europiane: në to nuk jetohet më, nuk kanë shumë hapësirë. Edhe qytetet nuk kanë mjaft hapësirë – apo më mirë e tera ajo shpallet si publike, është e tejmbushur me të gjitha shenjat e skenës publike, ajo të ndalon të përshkosh, apo t’i ngjitesh si një shkretetire, ose hapësire indiferente.

Ndofta rruga amerikane nuk i njeh çastet historike, por ajo është gjithmonë e zallamahishme, vitale, kinetike dhe kinematografike, në pajtim me imazhin e vetë vendit, ku skena thjesht historike dhe politike vihet pak në kandar, po ku rrezikshmëria e ndryshimit, të cilin e kanë mëkuar përmes teknologjisë, ndryshimit të racave, mediave, është i madh: është vetë dhuna e mënyrës së jetesës.

***

Të çmendurit në New York janë të lirë. Hazatë nëpër qytet, ata nuk dallohen nga punkët, heroinomanët, të alkoolizuarit, mjeranët, që atij nuk i shqiten. S’ka arsye përse një qytet, kaq i çmendur dhe vetë, t’i linte në hije të çmendurit e tij, përse t’i bishtnonte qarkullimit të specimenëve të një marrëzie, e cila, në fakt, në forma të ndryshme, ka kapluar gjithë qytetin.

***

Nuk do ta kisha besuar kurrë se maratona e New York-ut mund të shkaktonte lotë. Është një spektakël i fundit të botës. A mund të flitet për vuajtje vullnetare siç flasim për një skllavëri vullnetare? Nën shiun e rrebeshtë, nën helikopterët, nën duartrokitje, të veshur me një kapuç aluminiumi, duke gërdoqur sytë mbi kronometrin, apo trupin e lakuriqtë, të gjithë mëtojnë vdekjen përmes rraskapitjes, mu ashtu si maratonomaku para dy mijë viteve, i cili, të mos harrojmë, sillte në Athinë mesazhin e një fitoreje. Ata, gjithashtu, ëndërrojnë të jenë përcjellës të një mesazhi fitoreje, por janë të shumtë në numër dhe mesazhi i tyre nuk ka kuptim: është ai i vetë mbërritjes, pas kaq e kaq orvatjesh – mesazh zymtak i një mëtimi mbinjerëzor dhe të pafajde. Kolektivisht ata do të sillnin më mirë mesazhin e shkatërrimit të species njerëzore, sepse, gjatë mbërritjes së tyre, ajo shihet tek degradon nga njëra orë në tjetrën, qysh prej të parëve, të cilët janë ende të zhdërvjellët e luftarakë, duke arritur tek të leqendisurit, të cilët mbajnë nga krahët miqtë, dhe gjer tek finishi, ku handikapatët vrapojnë me karrige rrotulluese. Janë 17.000 vrapues dhe të vramendesh për betejën e vërtetë të Maratonës, ku nuk ishin 17.000 luftëtarë. Janë 17.000 dhe akëcili vrapon i vetëm, pa patur zatën as shpirtin e fitores, por thjesht për t’u ndjerë se ekziston. Fituam dihati Greku i Maratonës duke dhënë frymën e fundit. “I did it”, psherëtin maratonomaku i rraskapitur, duke u shembur mbi lëndinën e Central Park-ut.

***

Në Europë kemi artin e mendimit të gjërave, të analizimit, të reflektimit të tyre. Kërkush nuk mund të na e vërë në dyshim këtë sqimë historike dhe këtë imagjinatë konceptuale, zaten për të janë xheloze dhe mendjet e përtej Atlantikut. Por të vërtetat lëbyrëse, efektet e skajshme të sotme zhvillohen në kufijtë e Paqësorit dhe në sferën e Manhattan-it. Lypset thënë se New York, Los Angelos janë në qendër të botës – anipse në këtë pohim diçka edhe na ekzalton, edhe na zhgënjen njëherazi. Jemi dëshpërimisht të vonuar në raport me marrëzinë dhe karakterin mutacional të kësaj shoqërie, teprinë naïve dhe ekscentricitetin shoqëror, racial, moral, morfologjik, arkitekturor. Kërkush nuk është në gjendje të analizojë një gjë të tillë, aq më pak intelektualët amerikanë të qerthosur nëpër kampuset, dramatikisht të huaj ndaj kësaj mitologjië konkrete, fabuloze, e cila përpunohet rreth e qark tyre.

Ketë univers terësisht të kalbur të pasurisë, të fuqisë, të pleqërisë, të indiferencës, të puritanizmit dhe të higjienës mendore, të mjerimit dhe havardallëkut, të vanitetit teknologjik dhe të dhunës së padobishmë, diç të shtynë ta krahasoj me agimin e botës. Ka gjasa që të gjithë vazhdojnë të ëndërrojnë për të, teksa ai vetë shpërthen e lulëzon.

Shkëputur nga: Jean Baudrillard, Amerika. Fq. 20-28. Zenit Editions, 2009.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s