Valton Marku: Bu-volli

photo (1)

Buzhala & Devolli

Sa për të sfiduar amnezinë kolektive duhet të kujtojmë – pa iu nënshtruar ndonjë terapie psikologjike të shëndetit mental – se Berat Buzhala ishte deputet nga PDK-ja gjersa korporata Devolli vazhdoi të zhvillonte e të shtrinte monopolin ekonomik në tërë Kosovën. Sot Berati është viktimë momentale e Devollëve ndërsa populli i Kosovës është viktima permanente  e këtyre dyve. Meqë, siç do të thoshte Antonio Gramshi , “i urrej indiferentët”, pozicionimi i vetëm që u mbetet qytetarëve është ai kundër të dyve.

Nuk ka fjalë se sa mirë u bë që afera e krundeve për kafshë, që përpunohej më pas si miell për njerëz u zbulua nga politikano-gazetari Berat Buzhala, e nuk ka fjalë se sa keq që denigrohet në afishe më pas në formën e gomarit nga korporata Devolli. Ky nuk është akt e as aksion politik, por shpërfaqje e fuqisë politike të korporatës së majmur nga pushtetet e pas luftës, e për këtë, meritë ka edhe Berati si deputet. Sa për të treguar që janë mbi shtet e vetë shteti, tregon edhe një afish i korporatës më 17 shkurt të këtij viti: “7 vjet mbi shtet. Urime!”. Madje edhe kryetari i Komunës së Pejës, aty ku janë vendosur fillimisht afishet, i vetëdijshëm për symbylljen e tij thotë se nuk është polic që t’i heqë ato, pavetëdijshëm shënon autogol duke shpërfaqur për të shumtën herë se Peja, sikurse e gjithë Kosova është e kapur nga oligarkë (kryesisht pejanë) me stërndikim politik. Me individë që përdorin politikën si instrument për tu pasuruar  e me politika ekonomike që krijojnë e i favorizojnë ata, qytetarit të Kosovës i mbetet alternative vetëm refuzimi i tyre.

Me politika me karrem neoliberal, Devollët dalin të palagur me monopolin e tyre, pasiqë dora e padukshme, që teorikisht mendohet të rregullojë ekonominë ua mundëson monopolizimin e tregut. Anipse shkaktojnë pabarazi e varfëri, Berati nuk është dëgjuar ndonjëherë t’i sulmojë këto politika ekonomike, përkundrazi i mbështeti ato me dorëngritje në parlament sa herë që mundej. Përkrahja e këtyre politikave që thellojnë pabarazinë dhe e dënojnë të varfrin si të varfër përjetë, është njësoj sikur ta vendosësh gjithë popullin çdo ditë në afishe qyteteve të Kosovës , në formë të deleve. Për ta ridefinuar e duke mos e reduktuar ofendimin vetëm në rastin e fundit, politikanët e korporatave e korporatat e politikanëve janë ofenduesit më të mëdhenj të qytetarëve.

Nga partia që i takonte Berati dhe nga vetë ai, s’u shtrua si çështje asnjëherë edhe ndërhyrja e shtetit në ekonomi – meqë mollë sherri është gruri, së fundmi – le të pyesim përse nuk u rregullua me kujdes çështja e grurit meqë buka hyn në kategorinë e nevojave themelore të njeriut? Apo përse doganat duhet t’i lihen në dorë një korporate private? Prapa Beratit si deputet fshihet shkaku, ndërsa te ai i papushtet shpërfaqet tentativa për të kapur një vegzë dallavereje nga shumë vegëzat që i krijoi ai, bashkë me PDK-në, pra pasojën e shkakut të vet. Ndërsa Devolli, është personifikimi i pushtetit, mbishteti. Berati pa pushtet është objekt shakaje i tyre. I papushtetshëm mbetet populli.

KEDS-i , siç e dimë, u privatizua për vetëm 26.3 milionë euro. Javën e kaluar plasi skandali me njehësorët e ri elektirkë ku u zbulua se gati 25.000 qytetarë vidhen për shkak të konfigurimit joreal të tyre. Përveç KEDS-it, është futur edhe KESCO prapa të cilës në popull flitet se qëndron korporata Devolli. Ky është privatizimi në më të mirën e vet. Vijnë disa korporata miliardere si Çalik-u & Limak-u që kanë zhvatur asete publike në shtetet në zhvillim dhe privatizojnë gjithçka, ose, në emër të luftës kinse ideologjike, krijohen kapitalistë vendor që njëjtësohen me ‘çalikolimakët’ e që, po ashtu, privatizojnë gjithçka. Në qendër të këtyre ngjarjeve janë politikat dhe politikanët, Berat Buzhala është figura tragjike si politikan i pashkëputur nga këto politika ekonomike.

Përpara se të zhvishet nga petku i ish-pushtetarit,  Berat Buzhala duhet t’i përgjigjet popullit për privatizimet, negociatat me Serbinë, e shumëçka tjetër. Ai mund të jetë edhe gazetar, por jo i popullit. E vetmja mundësi shpëlarjeje është ajo e vetndëshkimit politik, kërkimfalja dhe kundershtimi aktiv i bëmave të tij dhe ish shokëve të partisë. Ndërsa ne e dënojmë aktin jopolitik të korporatës Devolli, pa e amnistuar Buzhalën, të dënojmë edhe kushtet e pagat e punëtorëve të korporatave private; politikat lakmitatre neoliberale të politikanëve.

Valton Marku

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s