Mao! Mao!

jdd1janv12_Godard_La_ChinoiseComrade Zero

Recension i filmit “La Chinoise” të regjisorit Jean-Luc Godard

“Arti nuk është një pasqyrë përkundrejt realitetit, por një çekan që e formëson atë.” – Bertolt Breht

***

Fillimisht, kisha parë dy filma të Godardit më parë: “À bout de souffle” – 1960 (I pafrymë), i cili nuk më la kushedi çfarë përshtypjesh dhe “Le Petit Soldat” (Ushtari i ri) – po ashtu prodhim i 1960-s, i cili më la përshtypje. Kështu që s’isha i sigurt se çfarë të prisja nga “Kinezja” (“La Chinoise” – 1967), përpos një ideje të përgjithshme se kisha të bëja më njëfarëlloj filmi eksperimental rreth maoizmit. Vetë Godardi shihej si maoist dhe së bashku me Jean-Paul Sartre-in anonin kah “E Majta Proletare” (Gauche Prolétarienne– GP). Për më tepër, ky film pati një impakt të madh në maoizmin francez pas ngjarjeve të majit 1968. Është karakteristikë e ultramajtizmit, megjithatë, e në këtë është një dritë vezulluese mbi “Linjën e Masave” – “prej masave, për masat”.

Ndokujt i kujtohet një thënie prej Mao Ce Dunit te Biseda në forumin e Jenanit mbi letërsinë dhe artin:

“Ta studiosh marksizmin do të thotë të aplikosh pikëpamjen e materializmit dialektik dhe materializmit historik në vrojtimet tona mbi botën, shoqërinë dhe letërsinë e artin. Kjo nuk nënkupton të shkruarit e leksioneve filozofike në veprat tona mbi letërsinë dhe artin. Marksizmi përqafon por nuk mund ta zëvendësojë realizmin në krijimtarinë letrare e artistike, sikurse i përqafon por nuk mund t’i zëvendësojë teoritë atomike dhe elektronike në fizikë. Formulat e zbrazëta, të thata e dogmatike me të vërtetë e shkatërrojnë shpirtin krijues. Jo vetëm kaq, por para së gjithash e shkatërrojnë marksizmin. ‘Marksizmi’ dogmatik nuk është marksizëm, është antimarksizëm. Atëherë a nuk e shkatërron marksizmi shpirtin krijues? Po, e shkatërron. Definitivisht e shkatërron shpirtin krijues që është feudal, borgjez, mikroborgjez, liberalist, individualist, nihilist, aristokratik, dekadent, pesimist, sikurse edhe artin për hir të artit dhe çdo shpirt tjetër krijues që është i huaj për masat e popullit dhe proletariatin. Për aq kohë sa edhe shkrimtarët e artistët proletarë përfshihen këtu, a nuk do të duhej që edhe këta tipa shpirtrash krijues të shkatërroheshin? Mendoj se do të duhej. Do të duhej të shkatërroheshin plotësisht. Dhe ndërkohë që ata janë duke u shkatërruar, diçka e re mund të ndërtohet.”

Edhe pse është një film interesant dhe argëtues, mbase me shënjestër studentët majtistë dhe intelektualët e rinj që asokohe po bëheshin gjithnjë e më militantë, në të vërtetë duket të jetë “shkrimi leksionesh filozofike në veprat tona të letërsisë e artit”. Godardi përpiqet të përfshijë në kinema diçka nga teoria marksiste e Bertolt Brehtit mbi teatrin “epik” apo “dialektik”, i cili, nëpërmjet “efektit të tëhuajësimit” është i tëri rreth artit si përfaqësim i argumentit filozofik përmes dialogut, bashkë me një audiencë që duhet të jetë shumë e vetëdijshme për vetveten si audiencë (thelbësisht e kundërta e “pezullimit të mosbesimit”). Godardi e thekson këtë si në thënien e famshme: “S’mendoj që ju duhet të ndjeni për një film. Ju duhet të ndjeni për një grua, jo për një film. Një film s’mund ta puthësh.” “La Chinoise” madje përmban edhe pamje direkte të kamerave dhe mjeteve tjera ashtu që të mos e lejojë shikuesin të harrojë se është duke shikuar një film. Nuk është medoemos një film i mprehtë, por Godardi duket ta ketë parë këtë stil dukshëm brehtian si të domosdoshëm drejt destruktimit të të gjithë këtyre “shpirtrave krijues” reaksionarë që Maoja thotë së “duhen shkatërruar plotësisht” që diçka e re të mund të ndërtohet.

Po ashtu ia vlen të përmendet si pikë e dytë – posaçërisht për ata që nuk dinë shumë rreth lëvizjes marksiste-leniniste prokineze në Francë – që grupet maoiste në Francë e kritikuan filmin se paraqiti terrorizmin individual (në kontrast me aksionin e masave dhe luftën e klasave) si çështjen absolute e qendrore dhe se bëri të dukej sikur maoistët fetishizojnë dhunën. Kjo shpërfaq një qasje të rëndësishme të padurimit rinor që aktivistët e viteve ’60 e ndjenin karshi luftës gjenocidiale në Vietnam në një anë dhe ngjarjes frymëzuese të Revolucionit Kulturor Kinez në anën tjetër. Por kjo çështje e dhunës së masave apo asaj individuale në fakt është pasqyruar mjaft mirë te skena në tren kah fundi i filmit. Këtu, në një dialog ndërmjet protagonistes, Véronique-s, dhe profesorit militant të filozofisë, Franics Jeanson-it, çështja në fjalë shtjellohet shkoqur prej të dyve. Sidoqoftë, unë s’po ua them pa e parë ju vetë.

Mu sikurse “GP”-ja maoiste, me të cilën ndërlidhej Godardi, ky është një film goxha intelektual. Siç thoshte një recensent borgjez, “La Chinoise nuk është një film i kapshëm lehtësisht, ashtu sikundër Himalajet nuk janë të arritshme lehtësisht me një shëtitje qejfi një të enjte pasdite. Madje edhe përbrenda sferës së veprave të tjera të ndërlikuara të Godardit, ky film lyp cojones (toptha) seriozë arsimorë për të vlerësuar narrativën e tij të zhdrejtë e shumëfaqëshe, teorinë e ngjeshur sociale të deklamuar prej protagonistëve, sulmin e rrethakuar mbi ideologjinë goliste dhe kontekstin politik brenda lëvizjes së Të Majtës së Re në Francën e viteve ’60. Pres që t’iu duket vetja torollakë. Është një efekt normal anësor.”

lachinoise“Pres që t’iu duket vetja torollakë” mund të jetë pakëz e zmadhuar, por diskursi i filmit është i nivelit bajagi të lartë.

Unë do t’ua sugjeroja këtë film. Është rreth studentëve të frymëzuar dhe të ndezur prej Revolucionit të Madh Proletar Kulturor në Kinë dhe të gjitha ideve e përpjekjeve përreth tij. Njëkohësisht është një eksperiment në kreativitet e destruktivitet artistik prej një regjisori po aq të frymëzuar. Filmi i Jean-Luc Godardit, sipas fjalëve të tij, është përçapje për ta përmbysur “estetikën kapitaliste reaksionare” dhe për të krijuar diçka të re. Për të gjitha këto, për idetë që diskuton dhe ngrit dhe për kulturën proletare që rend ta krijojë, është një film i shkëlqyer.

E përktheu: Fitim Salihu

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s