Giorgio Agamben: Emri Biopolitik i Popullit

curse

Çdo shqyrtim i kuptimit politik të fjalës “popull” duhet të niset nga fakti simptomatik se, në gjuhët moderne europiane, ajo shënon po ashtu edhe të varfrit, fukarenjtë dhe të përjashtuarit. I njëjti emër mbulon kështu si subjektin politik më konstitutiv ashtu edhe klasën, e cila, de facto në mos  de jure është e përjashtuar nga politika.

Fjala franceze peuple, ajo italiane popolo, ajo spanjolle pueblo (si dhe mbiemrat përkatës populaire, popolare; popular dhe termat e latinishtes së vonë populus e popularis nga ku rrjedhin të gjithë), edhe në gjuhën e përditshme edhe në atë politike, nga njëra anë emërtojnë tërësinë e qytetarëve si përbërës të një trupi politik unik (si në shprehjet “populli italian” ose “gjykatës popullor”) dhe nga ana tjetër klasat e varfëra (si në shprehjet “njeri i dalë nga populli”, “lagje popullore”, “fronti popullor”). Bile edhe fjala angleze people, që ka gjithsesi një kuptim më të padiferencuar, përfshin mëgjithatë kuptimin e ordinary people, në dallim nga të pasurit dhe fisnikëria.

1. Kështu për shembull në Kushtetutën amerikane shkruhet, pa asnjë dallim, “We people of the United States”; por, kur Lincoln-i flet për një “Government of the people by the pople for the people”, përsëritja nënkupton kundërvënien e popullit të dytë ndaj të parit. Kjo dykuptimësi qe thelbësore edhe gjatë Revolucionit francez (d.m.th. pikërisht në momentin kur shpallej më me forcë parimi i sovranitetit popullor), gjë që tregohet nga roli vendimtar që luajti në të keqardhja për popullin si klasë e përjashtuar. H. Arendt ka nënvizuar se <se vetë përkufizimi i termit pat lindur nga keqardhja dhe se fjala “popull” u shfaq menjëherë si sinonim i vuajtjes dhe fatit të keq – populli, fatkeqët më brohorasini, e kishte për zakon të thoshte Robespierre-i; populli, përherë fatkeq, shprehej po ashtu Sieyes, një nga personazhet më pak sentimentalë dhe më qartpamës të Revolucionit>. Por qysh tek Bodin (shek. XVI – O.A.), edhe pse në kah të kundërt, në kapitullin e Republique ku jepet përkufizimi i Demokracisë ose Shtetit popullor, koncepti është i dyfishtë: kundruall popullit të mishëruar (peuple en corps) si titullar i sovranitetit qëndron populli i vegjëlisë (menu peuple), që urtësia këshillon të mbahet i përjashtuar sa më larg pushtetit.

2. Një pështjellim semantik kaq i përhapur dhe konstant nuk mund të jetë rastësi: ai duhet të pasqyrojë me deomos një amfibiologji të brendshme që lidhet me vetë natyrën dhe funksionin e konceptit popull në politikën perëndimore. Dukuria paraqitet në fakt mu sikur ajo çka ne e quajmë popull të ishte subjekt i njësuar por në luhatje dialektike mes dy poleve të kundërta: nga njëra anë bashkësia Popull si trup politik integral, nga ana tjetër nënbashkësia popull si shumësi e copëtuar trupash nevojtarë e të përjashtuar: tek e para një përfshirje paraqitet si mbetje, tek e dyta një përjashtim që paraqitet i pashpresë; në një cep, fusha e përmbushur e qytetarëve të integruar dhe sovranë, në tjetrin rezerva – vend i çudirave ose kamp – si vend natyror i të mjerëve, të shtypurve, humbësve. Nga kjo pikëpamje, një kuptim i vetëm dhe kompakt i fjalës “popull” nuk gjendet askund: si shumë koncepte të tjera themelore (të ngjajshëm këtu termat Urworte të Abel-it dhe Freud-it apo me marrëdhëniet hearkike sipas Louis Dumont), populli është një koncept polar që shënon një lëvizje të dyfishtë dhe një marrdhënie të pleksur mes dy ekstremesh. Por kjo do të thotë po ashtu se ndërtimi i llojit njerëzor si trup politik bëhet përmes një çarjeje thelbësore dhe se tek koncepti “popull” mund të gjurmojmë pa vështirësi pothuaj të gjitha çiftet e kategorive fillestare që përcaktojnë strukturën politike: jeta e zhveshur (popull) dhe ekzistenca politike (Popull), përjashtimi dhe përfshirja, zoe dhe bios. Në fakt, populli ngahera ka përcjellë në vete thyerjen themelore biopolitike. Ai është ajo pjesë që nuk mund të përfshihet në të gjithën pjesë e së cilës është dhe nuk mund t’i përkasë si pjesë bashkësisë në të cilën gjendet e përfshirë prej fillimit.

Prej këtej vijnë të gjithë kontradiktat dhe aporitë që ai zgjon sa herë që përdoret dhe përfshihet në lojën e skenës politike. Ai është ajo që ekziston qysh prej fillimit dhe që, megjithkëtë, duhet sendërtuar në çdo çast: ai është burim i kulluar i çdo identiteti dhe ndërkohë duhet ripërkufizuar e spastruar pa rreshtur nëpërmjet përjashtimeve, gjuhës, gjakkut, territorit. Ose, në të kundërt, ai është gjithmonë qënia që i mungon vetvetës dhe për të cilin realizimi kalon nëpërmjet vetshkatërrimit; është qënia e cila, për të qenë, duhet të mohojë vetvetën bashkë me të kundërtën e saj (nga ku p.sh edhe aporitë e lëvizjës punëtore, e kthyer nga populli gjithë duke synuar kapercimin e tij). Herë emblemë e përgjakur e reaksionit e herë flamur i zorshëm i fronteve popullore, populli ngërthen, gjithsesi, një përçarje, akoma më thelbësore e fillestare se ajo mik-armik[1], një luftë civile e pashuar që e përçan më thellësisht se çdo konflikt dhe njëherazi i siguron unitetin duke e përforcuar më shumë se çdo identitet tjetër. Bile, po ta shohësh mirë, ajo që Marksi e quan luftë klasash dhe që, edhe pse thelbësisht e vagullt, zë një vend aq qëndror në mendimin e tij, s’është gjë tjetër veçse kjo luftë e brendshme që përçan çdo popull dhe që do të marrë fund vetëm kur, në shoqërinë pa klasa ose mbretërinë mesianike, Populli dhe populli të përputhen dhe kur pikërisht pra, të mos ketë më asnjë popull.

3. Nëse ështe e vërtetë se populli përmban domosdoshmërisht në vete thyerjen biopolitike themelore, atëherë është ndoshta e mundur t’i lexojmë me një sy të ri disa nga faqët e dendura të historisë së shekullit XX. Në faktu duhet thënë se, në qoftë se lufta mes dy “popujve” ka qenë përhera e ndezur, në kohën tonë ajo ka marrë një nxitim të paparë. Në Romën e vjetër, ndarja e brendshme e popullit ishte juridikisht e sanksionuar nëpërmjet dallimit tepër të qartë mes populus dhe plebs që kishin secili nga institucionet dhe gjykatësit e tyre. Po ashtu, në Mesjetë, dallimi mes “popolo minuti” dhe ”popolo grasso”[2] i përgjigjej një artikulimi të saktë të arteve dhe zejeve. Mirëpo, kur, gjatë Revolucionit francez, populli bëhet burimi i vetëm i sovranitetit, populli shfaqet si një prani e sikletshme dhe, për herë të parë mjerimi dhe të harruarit e shoqërise shihen si skandale absolutisht të padurueshme. Në epokën moderne, mjerimi dhe harrimi nuk janë thjesht koncepte ekonomike dhe shoqërore por kategori thellësisht politike (gjithë ekonomizmi dhe “socializmi” që duket se mbizotërojnë politikën modernë kanë në fakt kuptim politik, ose më saktë biopolitik). Parë me këtë sy, epoka jonë s’është gjë tjetër, politikisht, veçse përpjekja – metodike dhe e pamposhtur – për të mbushur hendekun që përçan popullin duke eliminuar rrënjësisht popullin e mjeranëve dhe të harruarve. Kjo përpjekje, sipas mënyrash e horizontesh të ndryshme, i bën të afrohen e të përngjajnë, të majtën e të djathtën, vendet kapitaliste e ato socialiste, të gjithe të bashkuar pas projektit – të kotë nga pikëpamja definitive, por që ia ka dalë të realizohet pjesërisht në vendet e industrializuara – për të prodhuar një popull të njësuar e pa ndarje. Obsesioni i zhvillimit, aq efikas e i përhapur në ditët e stome vjen pikërisht nga përputhja e tij me projektin biopolitik të prodhimit të një populli pa thyerje.

E parë kështu, shfarosja e çifutëve në Gjermaninë naziste mund të marrë një kuptim rrënjësisht tjetër. Duke qenë popull që nuk pranojnë të shkrihen në trupin politik kombëtar (me të vërtetë nazistët mendonin se çdo asimilim i tyre ishte në fakt i shtirë), çifutët shfaqen kështu si përfaqësuesi par excellence dhe pothuaj simboli i gjallë i popullit, i asaj jete të zhveshur që moderniteti prodhon domosdoshmërisht brenda vetes por prania e së cilës është absolutisht e padurueshme. Kështu, tek tërbimi symprehtë me të cilin Volk-u gjerman, përfaqësues i përkryer i popullit si trup politik integral, përpiqet të shfarosë një herë e mirë çifutët, na duhet të shohim fazën ekstreme të luftës së brendshme që përçan Popullin dhe popullin. Me anën e zgjidhjes përfundimtare (që përfshinte me vete, dhe jo rastësisht, ciganët dhe grupe të tjerë të paintegrueshëm), nazizmi synonte, më kot dhe verbërisht, ta çlironte gjithë skenës politike të Perëndimit nga kjo hije e padurueshme, për të mundur të prodhonte më së fundi Volk-un gjerman si popullin që e ka mbushur hendekun biopolitik fillestar (prandaj dhe krerët nazistë përsërisnin me aq këmbëngulje se, duke shfarosur çifutët dhe ciganët, po punonin në fakt për popujt e tjerë europianë). Duke parafrazuar postulatin freudian mbi marrëdhëniet mes Es– it dhe Ich-it do të mund të thoshim se biopolitika moderne i bindet parimit sipas cilit “atje ku ka jetë të zhveshur, duhet të vijë të vendoset një Popull”, por ama me kusht që të shtohet menjëherë se parimi vlen edhe në formulimin e anasjelltë dhe se “atje ku ka një Popull, duhet të këtë jetë të zhveshur”. Hendeku që mendohej i mbushur duke shfarosur popullin (çifutët që shërbejnë si simbol i tij) gërmohet kështu sërish, duke e shndërruar të gjithë popullin në jetë të shenjtë (lat. sacer) të kushtuar vdekjes dhe në trup biologjik që duhet sterilizuar pafundësisht (duke shfarosur të sëmurët mendorë dhe pacientet me sëmundje të trashëguara). Ndërsa sot, projekti demokratiko-kapitalist i eliminimit të klasave të varfëra me anë të zhvillimit, sipas një mënyre tjetër por analoge, jo vetëm riprodhon vetë popullin e të harruarve, por shndërron në rezervë jetë të zhveshur gjithë popullsitë e botës së tretë. Vetëm një politikë që do të ketë ditur të marrë parasysh përçarjen biopolitike themelore të Perëndimit do të mund të ndalë këtë luhatje të zymtë dhe t’i jap fund luftës civile që po copëton qytetet dhe popujt e dheut.

[1] Dy konceptet që përcaktojnë çiftin thelbësor konceptual të politikës si konflikt, sipas teoricienit gjerman të gjysmës së parë të shekullit XX, Carl Sçmitt.

[2] Në Firencë, në shekullin XIII, me popolo minuto kuptoheshin zejtarët dyqanxhinj dhe me popolo grasso borgjezia tregtare (shën. i aut.)

Përktheu nga italishtja: Orgest Azizi.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s