Bertolt Brecht: Atyre që vijnë pas nesh

I

 

Jetoj në kohë vërtet të vështirë.

Fjala e pasherr është e marrë. Balli pa brenga

Është shenjë e apatisë. Ai që ende qesh

Vetëm sa s’e ka mësuar

Lajmin e tmerrshëm.

Ç’kohë është kjo kur

Biseda për drurin quhet gati krim,

Sepse nënkupton heshtjen mbi sa e sa krime!

Atij që i qetë ecën rrugës

A do t’i qasen, vallë, miqtë tij

Kur të bie fatkeqësi?

 

Është e vërtet: ende fitoj sa për të jetuar.

Por më besoni: krejt rastësisht. Asgjë

Nga ato që bëj s’më jep të drejtë të jem i ngopur.

Rastësisht më kanë kursyer. (Kur të më braktisë fati,

Do të humbas i tëri).

 

Më thonë: ha e pi! Kënaqu me atë që ke!

Por si të ha e të pi, kur

Bukën që ha ia rrëmbej të uriturit,

Kurse uji që pi i mungon të eturit?

 

Do të doja të jem i urtë.

Në libra të vjetër shkruan ç’është urtësia:

Të mos përzihesh në punët e botës dhe jetën tënde të shkurtër

Ta jetosh pa frikë.

Të qëndrosh pa dhunë,

Të keqes t’i përgjigjesh me të mirë,

Dëshirat t’i harrosh, e jo t’i plotësosh.

 

Kjo quhet urtësi.

Por unë s’mund të jem i tillë.

Jetoj, vërtet, në kohë të vështirë.

 

II

 

Ne qytete erdha në kohë të keqe,

Kur në to bënte kërdi uria.

Midis njerëzve hyra në kohë trazirash

Dhe tok me ta ngrita krye.

Kështu më kaloi koha,

Mbi këtë tokë.

 

Kam ngrënë ndërmjet dy betejash,

Kam fjetur midis vrasësve.

Kam dashuruar pa kujdes,

Të sodis natyrën nuk kam pasur durim.

Kështu më kaloi koha,

Mbi këtë tokë.

 

Në kohën time rrugët të çonin në moçale.

Gjuha më tradhtonte tek xhelatët.

Pak kam bërë. Por sunduesit,

Shpresoj, më të qetë do të ishin pa praninë time.

Kështu më kaloi koha,

Mbi këtë tokë.

 

Fuqitë ishin të pakta. Por qëllimi

I lartë

Dhe i qartë, megjithëse për mua

Gati I paarritshëm.

Kështu më kaloi koha,

Mbi këtë tokë.

 

III

 

Ju që do të vini pas këtij tufani,

Në të cilin ramë,

Kur të flisni për dobësitë tona

Mos e harroni

Kohën e vështirë,

Të cilën s’e jetuat.

 

Sepse ne, më shpesh se këpucët, i ndërruam shtetet,

Nëpër luftëra klasash ne u përleshëm, të dëshpëruar

Kur nuk kishte  protestë, por vetëm padrejtësi.

Megjithëse e dimë:

Urrejtja, qoftë edhe ndaj poshtërsisë,

Fytyrën ta shëmton.

Zemërimi, qoftë edhe ndaj padrejtësisë,

Zërin ta shurdhon. Eh, ne,

Që trollin dëshironim ta mësojmë me ëmbëlsi,

Të tillë s’ishim vetë.

 

E ju, kur të vijë koha

Që njeriu për njeriun të jetë shok,

Mos na kujtoni

Me padurim.

 

Marrë prej: Bertolt Breht, “Baladë gjermane”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s