Charles Baudelaire: Dehuni pareshtur

baudelaire-double-chas

Dehuni pareshtur

Duhet të jeni gjithnjë të dehur. Kjo është e gjitha; e vetmja gjë e rëndësishme.
Për të mos e ndjerë barrën e tmerrshme të Kohës, që të dërrmon shpatullat e të përkul shpinën, duhet të deheni pareshtur.
Po me se?

Me verë, me poezi ose me virtyt, si t`jua dojë zemra. Por vetëm dehuni.

Dhe nëse ndonjëherë, në shkallët e një pallati, mbi barin e gjelbër të ndonjë hullie, apo në vetminë e zymtë të dhomës suaj, iu ndodh që të zgjoheni, pasi dehja ka rënë ose është zhdukur krejt, pyesni erën, valën, yllin, zogun, orën e murit, çdo gjë që fluturon, rënkon , rrukulliset, që këndon, që flet, pyetini sa është ora; dhe era, vala, ylli, zogu, ora e murit do t`ju përgjigjen: “Është ora, që të deheni! Për të mos qënë skllevërit e martirizuar të Kohës, dehuni, dehuni pareshtur!

Me verë, me poezi ose me virtyt, si t`jua dojë zemra!

Shkëputur nga: Charles Baudelaire, “Brenga e Parisit”.

Advertisements