Alexander Solzhenitsyn: Të jetosh pa Gënjeshtër

solzhenitsynoffice

Dhuna “plaket” po kaq shpejt, dhe pa kaluar shumë vite, nuk është më kaq e sigurtë në vetvete për t’u shfaqur, e për t’u bërë më e paraqitshme kërkon papushim një aleate, dhe kjo është Gënjeshtra. Në fakt, dhuna nuk ka mënyrë tjetër për t’u maskuar, përveç gënjeshtrës, dhe gënjeshtra nuk mund të ketë jetëgjatësi, përveçse përmes dhunës. Dhe dhuna nuk ka nevojë që të bëjë të ndihet çdo ditë, në çdo sup, peshën e putrës së saj: ajo kërkon vetëm që ne t’i nënshtrohemi gënjeshtrës, që të bëhemi përditë pjesëmarrës në gënjeshtër.

Një kohë s’guxuam as të pëshpërisnim. Tash shkruajmë dhe e lexojmë smizdat-in, dhe ndonjëherë mblidhemi në dhomën plot tym të Institutit Shkencor ku sinqerisht i ankohemi njëri-tjetrit: Ç’lloj trukesh janë duke na kurdisur, a thua nga po na shpiejnë? Vërshojnë mburrjet e panevojshme të arritjeve kozmike gjersa varfërinë e shkatërrimin e kemi në shtëpi. Mbështesim nga larg, regjimet e pacivilizuara. Nxisim luftëra civile. Mbi kurrizin tonë e me pakujdesi inkurajuam Mao Cedun-in – dhe do të jemi ne të cilët do të cilët do të dërgohen në luftë kundër tij, dhe duhet të shkojmë. A ka ndonjë rrugëdalje? Ndërsa ata u bëjnë gjyq çdokujt që dëshirojnë, ndërsa ata fusin njerëz normal në psikiatri – përherë ata, ndërsa ne jemi të pafuqishëm

Gjerat pothuajse e kanë arritur pikën më të ulët. Një vdekje shpirtërore me karakter universal na ka prekur pothuajse të gjithëve dhe vdekja fizike së shpejti do të shpërthejë e do të na përpijë pa na kursyer as femijët – por, sikurse më parë ne vazhdojmë të buzëqeshim në mënyrë qyqare dhe murmurisim me gjuhë të lidhur. Por ç’mund të bëjmë ta ndalojmë? Nuk e kemi fuqinë.

Kemi humbur kaq në mënyrë të pakthyeshme njerëzillëkun, saqë për kafshatën modeste të ditëve të sotme, jemi gati të heqim dorë nga të gjitha parimet tona, nga shpirti, nga të gjitha përpjekjet e paraardhësve tanë dhe nga mundësitë tona – nga gjithçka, vetëm e vetëm për të mos trazuar ekzistencën tonë të brishtë. Nuk e dimë më se ç’është krenaria, qëndrueshmëria, madje as një zemër e përvëluar. Nuk na tremb as vdekja bërthamore e lëre më lufta e tretë botërore. Nën strehim tashmë i kemi marrë të çarat. Vetëm një gjëje ia kemi frikën: bërjen e atyre pak hapave që na ndajnë prej kurajos civile!

Vetëm e vetëm që të mos largohemi nga tufa, të shkojmë për hesapin tonë – sepse, po sikur, më pas të gjendemi pa bukën e bardhë, pa ujëngrohtësin me gaz, pa lejen e qëndrimit në Moskë?

Jemi indoktrinuar në kurse politike, në të njëjtën mënyrë siç është nxitur ideja për të jetuar i konformuar, dhe çdo gjë do të shkojë mirë për aq sa jemi gjallë: s’mund të arratisemi nga mjedisi dhe kushtet shoqërore. Qënia e përcakton ndërgjegjën. Ç’ka të bëjë kjo me ne? S’mund të bëjmë asgjë.

Përkundrazi ne mund të bëjmë gjithçka dhe preferojmë të gënjejmë vetën sa për të qenë të qetë. Nuk janë aspak “ata” fajtorët për gjithçka, jemi vetë ne, vetëm ne! Do të na kundërshtojnë: por në fakt çfarë mund të bëhët konkretisht? Na kanë mbyllur gojën, nuk na dëgjojnë? Sido që të jetë, nuk ka asnjë mënyrë që t’i detyrojmë të ndërrojnë mendje. Gjëja më e natyrshme do të ishte që të mos i rizgjidhnin – po tamam, sikur në vendin tonë të kishte zgjedhje. Pra, është një qark i mbyllur? Vërtetë nuk ka rrugëdalje dhe duhet të presim pasivisht që, nga hiçi, diçka të bëhet vetë? Por ajo gjëja që kemi përsipër nuk do të largohet kurrë vetë, nese ne të gjithë do të vazhdojmë ta pranojmë, ta nderojmë dhe ta përforcojmë çdo ditë, nëse nuk vendosim t’i kundërvihemi, duke filluar aty ku është më e dobët. Nga gënjeshtra.

Kur dhuna thyen konsorciumin paqësor njerëzor, fytyra e saj digjet prej sigurisë arrogante që shfaq, madje ulëret, sipas mësimeve të saj: “Unë jam dhuna! Largohuni, hapni rrugë ose do ju vë poshtë!” Por, dhuna plaket po kaq shpejt, dhe pa kaluar shumë vite nuk është më kaq e sigurtë në vetvete për t’u shfaqur, e për t’u bërë më e paraqitshme kërkon papushim një aleate, dhe kjo është Gënjeshtra. Në fakt, dhuna nuk ka mënyrë tjetër për t’u maskuar, përveç gënjeshtrës, dhe gënjeshtra nuk mund të ketë jetëgjatësi, përveçse përmes dhunës. Dhe dhuna nuk ka nevojë që të bëjë të ndihet çdo ditë, në çdo sup, peshën e putrës së saj: ajo kërkon vetëm që ne t’i nënshtrohemi gënjeshtrës, që të bëhemi përditë pjesëmarrës në gënjeshtër – dhe me kaq mjafton për të qenë të nënshtruar besnikë.

Pikërisht këtu gjejmë çelësin, që deri sot ne e kemi fshehur, por aq ka qenë i thjeshtë për t’u gjetur, për çlirimin tonë: mospjesëmarrjen personale në gënjeshtër. Nëse gjithnjë e më shumë njerëz nuk do të duan të kenë të bëjnë me gënjeshtrën, ajo fillon të zhduket. Si një sëmundje ngjitëse, e cila ekziston sa kohë që ka njerëz për t’u infektuar. Nuk na kërkohet të zbresim në shesh, nuk jemi pjekur sa duhet për të shpallur publikisht të vërtetën, për të shprehur me zë të lartë atë që mendojmë – nuk është për ne, ka shumë rrezik. Por të paktën të refuzojmë të themi atë që nuk mendojmë. Te vetëdijësohemi për kufirin përtej të cilit fillon gënjeshtra – të tërhiqemi nga ky kufi i gangrenizuar.

Atëherë, secili prej nesh duhet të gjejë kurajën dhe të zgjedhë: ose të qëndrojë shërbëtor i vetëdijshëm për gënjeshtrën, ose të vendosë që ka ardhur momenti të shkëputet, të bëhët një njeri i ndershëm, që meriton respektin e fëmijëve dhe bashkekohësve…

Po, në fillim nuk do të jetë lehtë. Dikush do të humbasë përkohësisht vendin e punës. Të rinjve që duan të jetojnë sipas të vërtetës, kjo do ua ndërlikojë shumë, që në fillim, ekzistencën e tyre rinore: në fakt, edhe verifikimet me pyetje-përgjigje janë të mbushura me gënjeshtra, dhe duhet zgjedhur.

Nuk ka ditë, kur gjithësecilit prej nesh nuk na duhet të zgjedhim në cilin drejtim të shkojmë: drejt të vërtetës, apo drejt gënjeshtrës, drejt pavarësisë së shpirtit, apo drejt servilizmit shpirtëror. Dhe kush nuk do të ketë kurajën e mjaftueshme për të mbrojtur shpirtin e tij, të paktën të shmangë mburrjen për idetë e veta progresiste, të mos lëvdohet me titujt e tij akademikë, artist i popullit, i merituar për këtë apo për atë, dua vetëm të rri ngrohtë dhe me barkun plot.

Për njerëz si ne, të mpirë prej mosveprimit, edhe kjo rrugë – më e moderuara e formave të ndryshme të rezistencës – nuk do të rezultojë aspak e lehtë. Sidoqoftë, më e lehtë se sa të luajmë me zjarrin, apo edhe se një grevë urie: flakët nuk do të përfshijnë gjymtyrët, sytë nuk do të bëjnë grevë, dhe pakëz bukë e zezë e një gotë ujë i pijshëm do të gjenden gjithmonë për familjën tënde. Ai popull i madh i Evropës, që e kemi mashtruar dhe tradhëtuar – populli çekosllovak – a nuk na ka treguar ne, se një gjoks i dobët, mund t’u rezistojë edhe tankeve, nëse brenda tij rreh një zemër e denjë? Do të jetë një rrugë e mbushur me pengesa – megjithatë, do të jetë më pak e dëmshmja nga e gjitha. Një zgjidhje jo e lehtë për trupin – por e vetmja për shpirtin. Një rrugë jo e lehtë – megjithatë, edhe tek ne ka njerëz, dhjetëra njerëz, që prej vitesh u përmbahen këtyre kritereve, jetojnë sipas të vërtetës. Pra, nuk jemi të parët që i hyjmë kësaj rruge, por u bashkohemi atyre që e kanë bërë tashmë! Sa më të shumtë dhe të bashkërenduar të jemi në interpretimin e saj, aq më e kalueshme dhe e shkurtër do të na duket! Dhe jemi mijëra, nuk do të na ulin kokën, as nuk do të provojnë. Nëse bëhemi dhjetra-mijëra, vendi ynë do të ndryshojë aq shumë, saqë nuk do ta njohim më.

Nëse na pushton frika, të paktën të pushojmë së ankuari për ata që do të na e heqin edhe ajrin për të marrë frymë – jemi ne vetë që e bëjmë! Të përkulemi edhe më shumë, të presim si do të shkojë, dhe miqtë tanë biologjik do të kontribuojnë që të afrohet dita kur do të mund të na lexojnë edhe mendimet dhe të riprogramojnë gjenet tona. Nëse edhe këtë herë do të lejojmë të fitojë frika, do të thotë se jemi hiçë, se për ne nuk ka asnjë shpresë.

Pjesë nga shënimet e Solzhenicinit: “Të jetosh pa Gënjeshtër”, të cilat autori i ka shkruar me 12 shkurt 1974, në Moskë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s