Adem Demaçi: Fërkime


Adem Demaçi: Fërkime

 

II

 

Oh, a jam verbuar? Çka po shoh! Në sytë e tu, në ato dete kaltëruar mija barka, sandolina, me Sirena majë velash, duke kënduar…

Jo!

Jo!

Jo!

Mos shko, se pa ty s’po nxëka bota!…

Kush qe ai? Kush është ai që ty të përzuri, të përcolli për në skëterrë dhe për në zall?

Kush qe ai, he atij në mes të korrikut iu ngriftë goja!

O, mos moj Mirushë, në mua le të mos qajë zemra!

O, mos, se edhe ty dyshimi po ta rrëzon ndonjë dhëmb, e droj se të prishet bukuria!

Mos, se sytë prapë po më terratisen dhe në sytë e tu: në ato dete kaltëruar prapë po shoh duke u endur mija barka, sandolina me Sirena majë velash duke kënduar…

 

III

 

Të thashë, të thashë, të thashë:

Mos!

Mos!

Mos!

se krahërori po më zukat, prandaj nuk po më dëgjojnë veshët se çka po flas!

Të thashë… e tash po të them:

Ti po shkon, se nuk i mutove veshët, nuk i palove kapakët e syve, prandaj Sirenat t’i nxorrën zorrët e plëndësin e barkut!…

Ti po shkon atje,

ku guralecat përpiqen t’i hipin në shpinë njëri-tjetrit;

ku valët ngrenë njëra-tjetrën për bishti;

ku të gjithë janë të vëngër;

ku qielli i buzëqesh tokës, jo pse e do, por pse frikësohet mos ajo me draprin e saj po ia nxjerr syrin nga balli;

ku dreqi vetë i bën pa gëzhoja, duke drojtur që, pasi t’i ketë çelur zogjtë, mos po i hyjnë kujt në punë…

Po shkon atje,

sepse Sirenat t’i nxorën zorrët dhe plëndësin nga barku, e të lanë untë.

E ti tash don të ngopesh, don të mbushësh barkun, prandaj dëshiron t’i hash ata dy gjarpinj të trashë, ata gjarpinj të zez çeliku, qindra kilometra të gjatë.

Ani, shko, hajt!

Por një ditë,

po, do të vijë ai çast! –

do të duash t’i vjellësh ata dy gjarpinj të zez;

do t’i frysh kosit;

do t’i frysh kungullit në lozë,

Por luspat e gjarprit nuk rrëshqasin prapa!
Qumështi t’u ka derdhur!

Ti aspak nuk po më dëgjon?!

Oh! Prapë po më zukat krahërori!…

Humb! Hiqmu sysh! Qërohu! Thyej qafën!
Avullohu!

Avullohu!…
IV
Hej!… Hej! Prit!

Ndal!

Ma jep zemrën time të dashur, se s’kam zemër t’i fal plehut!

Ma jep zemrën!

që të pushojë një herë kjo zukatje blozhduese e krahrorit!
Kjo zukatje blozhduese e krahrorit!

Çka, çka?!

Unë? Edhe unë të përpij gjarpinj çeliku?!

– Kurrë për këtë jetë!…

As për ty, as për kurrkënd! Unë as nuk dua të përpij, as nuk dua të vjell, se – unë i kam zorrët e mia, plëndësin tim në barkun tim.
Në barkun tim!

Prandaj jam i ngopur, jam i nginjur!

Për kurrkënd, të thashë, nuk mund të bëj një gjë të tillë.

Po pra, as për zemrën time!
Çka?!…

Nxirre zemrën time! Kapsamune! Leftericë! Kapsamune!
Nuk po pret?!…

Shko! Me dyqind e pesëdhjetë mijë pas vetës!

Shko se – tek e fundit, oh! tek e fundit…
As zemrën nuk do të ma kthesh?!

Me një mijë e shtatqind! Merre edhe zemrën time! Merre edhe zemrën!…
A mendove se ky krahror vetëm për zemër jeton?…

Mendon ti se do të gërryej gjunjët e mi nga dëshpërimi për ty?

Ke menduar se do të këndoj këngë vajtimi për ty?

Ani se po! Qenke mashtruat fort!
Jo, jo, moj hanedane! Ky krahror, edhe nëse gërhet, edhe nëse fishkëllen, edhe nëse zukat, ky do të qëndrojë, se të forta janë brinjët e tij!..

Por – o zemër imja e dashur! – pasi që me zor po të merr, plotësoma këtë dëshirë të fundit:

Hape gojën ku të mundesh dhe – pështyje krahrorin e asaj thadre mali,

e asaj hidre uji,

e asaj horongopeje,

se ajo nuk është strofull për ty,

s’është mojtera jote!
Pështyj!

Pështyj!

Pështyj!
Shkëputur nga: Adem Demaçi, “Kur Zoti harron”. Fërkime, fq. 94-97.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s