Fatos Kongoli: Bolero në vilën e pleqve

bolero-ne-vilen-e-pleqve-fatos-kongoli

“Miku im, të kërkoj ndjesë që prej disa muajsh ti më shkruan rregullisht dhe unë nuk të jam përgjigjur. Kam vajtur me shpresë se do ta kuptoje vetë arsyen. Në të vërtetë ti e di arsyen, e dimë të dy, pra nuk po zgjatem. Nëse dëshiron jam e gatshme të rifillojmë. S’ka rëndësi se kush do të shkruajë i pari, ti mua apo unë ty. Por jo si deri tani. Do ta rifillojmë në rrethana të tjera, besoj e merr me mend ku e kam fjalën, pavarësisht se ku do të jemi të njohur apo të panjohur.

Ti kujton se unë kam shpëtuar nga qeni i tërbuar, që më shqyen prej vitesh dhe tani jam kthyer në një grumbull mishrash të zgërlaqur e kockash të kalbura, aq sa nuk mbahem në këmbë. Është e vërtetë, qeni i tërbuar nuk më kafshon. Edhe pse nuk më kafshon, unë nuk e besoj të ketë ngordhur, është brenda meje, i gatshëm të zgjohet, të m’i ngulë dhëmbët sapo t’i jepet rasti. Nuk i trembem qenit të tërbuar. Kafshimet e tij i kam duruar dhe do të mund t’i duroja. Ato që s’duroj janë kafshime tjera. Me sa shoh, nuk do të gjendet kurrë ndonjë ilaç për të më shpëtuar prej tyre. Ky është fataliteti. Dhe dënimi. Ti do të kundërshtosh. Unë besoj në Zot. Ti nuk beson. Por je aq i mençur sa të kuptosh se tani unë s’jam këtu. Nuk jam për askënd, as për ty. Kam nisur të komunikoj larg, shumë larg. Më kë dhe si, ruaj të drejtën të mos jap sqarime.

Nesër dua të drekojmë bashkë. Merru vesh me Parashqevinë që nesër, në vend të supër, të na përgatisë tarator, t’i shtjerë edhe hudhra, doemos, tarator pa hudhra s’ka, mëgjithëse mua më bëjnë dëm, ndërsa ty të pëlqejnë, janë të mira edhe për tensionin. Pjatën kryesore e lë në dorën tënde”.

Firdus

bolero-in-acrylic-valerie-vescovi

“U bëftë më e mira, Firdus! Në qoftë se më e mira për ty është t’i shtyejmë ditët e mbetura kështu si po i shtyjmë, s’kam kundërshtim, mjaft që ti të jesh e qetë. Nuk besoj të të mbetet hatri që po e ndjek shembullin tënd, po të dërgoj këtë letër, i bindur se Parashqevia do ta lexojë. Në rast se nuk e lexon, mundësi teorike kjo, unë do të zhgënjehesha, do të më vinte edhe keq. Unë dëshiroj që ajo ta lexojë për të njëjtat arsye që ke dëshiruar ti.

Si mund ta marrësh me mend, letrën tënde të fundit vazhdoj ta mbaj në sirtarin e komodinës, m’u duk e kotë ta klasifikoja si të tjerat. Është letra që e kam lexuar më shumë, jam në gjendje ta riprodhoj fjalë për fjalë, jo sepse është e veçantë dhe ka gjëra të jazhtëzakonshme. Përkundrazi, është nën nivelin e letrave të mëparshme, të cilat edhe pse nuk i riprodhoj fjalë për fjalë, i mbaj mend. Kanë qenë letra inteligjente, pasqyra ku unë kam vështruar vetveten me pamjen time prej Don Kishoti, si ma ke përsëritur shpesh këto vite, duke menduar se kështu po më tall, ndërsa unë, c’është e vërteta, jam kënaqur, ku ta gjej të kem pasur në jetë edhe një grimë prej Don Kishoti! Nga ana tjetër, s’më ka mbetur hatri kur në këtë muzg të ekzistencës tonë më ke cilësuar një Kazanovë province, por t’i lëmë këto, muhabete të vjetra. Edhe kur më ke sulmuar me epitete jo fort dinjitoze për sjelljet e mia, letrave të tua nuk u ka munguar ajo që thashë në krye, zgjuarsia, ajo që francezët e quajnë “largeur d’espirit”. Më vjen keq, por letra jote e fundit më ka mërzitur sepse nuk gjeta asnjë mendim të zgjuar.

Ti më thua se je e gatshme të rifillojmë nga e para. Po çfarë të rifillojmë? Mos u tall! Edhe sikur kjo të jetë e mundur, do të ndodhë në një botë tjetër, të cilën ti e beson, unë jo. Asgje s’mund të rifillojë nga e para, pavarësisht se në cilën botë, për një arsye të thjeshtë: do të duhen të përsëriten të gjitha rastësitë mbi të cilat u ngrit jeta jonë. Kjo është e pamundur, edhe ne vetë jemi rastësi  të papërsëritshme.

Ajo që më hidhëron më shumë është synimi yt për të më shmangur në këtë fund loje. Kemi vajtur në pikën e krizes disa herë, por lojën e kemi vazhduar, sipas asaj formulës për t’iu gjendur njëri-tjetrit në të mirë e në të keq, çka varet nga kuptimi për të mirën e të keqen, dhe shpesh unë e ti kemi pasur kuptime të ndryshme, e ndonjëherë kjo na ka armiqësuar.  Megjithatë është e paarsyeshme të mendojmë se gjendja ku jemi në këtë fund loje, është haraçi që na duhet të paguajmë. Ti nuk e përmend fjalën mëkat dhe unë të mirëkuptoj. Te ti ajo ka arritur të krijojë kompleksin e poshtër të fajësisë, ndërsa unë nuk kam vuajtur dhe nuk vuaj nga kjo sëmundje. Puna qëndron te prapësia e botës. Zoti që ti beson, e ka ndërtuar në mënyrën më të mbrapshtë, duke na dënuar me vdekje qysh se lindim, duke na pajisur me cilësi e duke na privuar prej tyre kur nisim të kuptojmë diçka. Nuk e kam fjalën për jetën, na e ke dhënë kur ka dashurm do të na e marrë kur të dojë. Në qoftë se Zoti që ti beson ekziston, unë e akuzoj për padrejtësi. S’ka padrejtesi më të madhe sasa kur femrën dhe mashkullin e degradon në mënyrë metodike, i shndërron në qenie të mjera, të neveritshme, si jemi katandisur unë dhe ti.

Më thua se je larg, tepër larg, s’di se ku e s’di me kë, me Zotin apo një qenie të vdekshme. S’po të pyes, ti e di, në rastin më të keq s’kam qenë xheloz, edhe pse me një grua të bukur si ti çdo mashkull do të bëhej xheloz. Për paradox ka ndodhur e kundërta, ti s’e ke fshehur xhelozinë ndaj meje, dhe më vjen keq, shpesh të kam bërë të vuash me shkujdesjet e mia. Por nuk është e drejtë të hakmerresh në fund të lojës. Më krijohet përshtypja sikur ke ende shumë gjëra kundër meje, i ke mbajtur brenda vetes pa m’i thënë dhe, më e keqja, ke vendosur të mos më japësh asnjë mundësi për t’u shpjeguar, të më mbash larg tani që shëndeti yt është rrënuar. të thuash se ai qeni që të kafshon egërsisht jam unë/ Një shuplakë turinjve s’është asgjë para vuajtjes që më shkakton mendimi se ti më ke bërë dalje, s’pranon as të takohemi, as të flasim, as të më sqarosh.

Më beso, botë tjetër përveç kësaj ku jemi s’ka. Prandaj dal edhe unë me një propozim. Të drekojmë ose darkojmë bashkë, s’po e caktoj ditën. caktoje ti, kur të të mbushet mendja. Mënynë e drekës apo të darkës e lë gjithashtu në dorën tënde. “M’u përgjigj, do të jetë më mirë për ty dhe për mua”.

Irfani

Shkëputur nga: Fatos Kongoli, “Bolero në vilën e pleqve”.
Piktura: Bolero In Acrylic by Valerie Vescovi

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s