Karl Marks & Fridrih Engels: Paga

Marx-Engels

Ç’është paga? Si përcaktohet ajo?

Po t’i pyesësh punëtorët : “Sa pagë merrni?”, njëri do të përgjigjet: “Unë marr nga borgjezi im 1 markë në ditë”, tjetri: “unë marr 2 marka” etj. Sipas degëve të ndryshme të punës ku ata punojnë, ata do të tregojnë një shumë të ndryshme parash që merr secili nga borgjezi i vet për kryerjen e një pune të caktuar, – për shembull, për endjen e një kuti pëlhurë ose për radhitjen e një flete shtypi. Megjithëse përgjigjet e tyre janë të ndryshme, ata të gjithë pajtohen në një pikë: paga është shuma e parave që kapitalisti paguan për një kohë pune të caktuar ose për kryerjen e një pune të caktuar.

Pra, duket sikur kapitalisti blen me para punën e punëtorëve, ndërsa punëtorët i shesin atij me para punën e tyre. Por kjo është vetëm në dukje. Në të vërtetë, ata ia shesin kapitalistit me para fuqinë punëtore të tyre. Kapitalisti e blen këtë fuqi punëtore për një ditë, një javë, një muaj etj. Dhe pasi e blen, ai e përdor atë, duke i detyruar punëtorët të punojnë për aq kohë, për sa janë marrë vesh. Po me atë shume parash, me të cilën kapitalisti bleu fuqinë punëtore, për shembull, me 2 marka, ai mund të 2 funt sheqer ose një sasi të caktuar të një malli tjetër. 2 markat, me të cilat ai bleu 2 funt sheqer, janë çmimi i dy funtëve sheqer, 2 markat, me të cilat ai bleu përdorimin e fuqisë punëtore për 12 orë, janë çmimi i punës për 12 orë. Pra, fuqia punëtore është një mall, krejt si sheqeri. I pari matet me anën e orës i dyti me anën e peshores.

Mallin e tyre, fuqinë punëtore, punëtorët e këmbejnë me mallin kapitalist, me paratë, dhe ky këmbim bëhët në një, përpjestim të caktuar. Kaq para për kaq kohë përdorimi të fuqisë punëtore. Për 12 orë punë të endesit – 2 marka. Por këto 2 marka vallë nuk përfaqësojnë të gjitha mallërat e tjera që mund të blihen me dy marka? Pra, në të vërtetë punëtori këmbeu mallin e vet, fuqinë punëtore, me mallra të ndryshme, dhe në një përpjestim të caktuar. Duke i dhënë 2 marka, kapitalisti i ka dhënë atij, si këmbim për një ditë punq, kaq mish, kaq rroba, kaq dru, kaq dritë etj. Pra, 2 markat shprehin raportin, në të cilin fuqia punëtore këmbehet me mallëra tjerë, shprehin vlerën e këmbimit të fuqisë së tij punëtore. Vlera e këmbimit e mallit, e shprehur në para, quhet pikërisht çmimi i tij. Pra paga nuk është gjë tjetër veçse një emër i veçantë i çmimit të fuqisë punëtore, që zakonisht quhet çmimi i punës, një emër i veçantë i çmimit të këtij malli të veçantë, i cili nuk mund të ekzistojë ndryshe veçse në mishin dhe në gjakun e njeriut.

Le të marrim një punëtor, cilindo qoftë për shembull, një endës. Kapitalisti i jep atij vegjën dhe fillin.  Endësi fillon punën dhe filli shndërrohet në pëlhurë. Kapitalisti e merr pëlhurën dhe e shet atë, ta zëmë 20 marka. A është paga e endësit një pjesë e pëlhurës, një pjesë e 20 markave, një pjesë e produktit të punës së tij? Aspak. Endësi e mori pagën e vet shumë kohë përpara se të shitej pëlhura, dhe ndoshta shumë kohë përpara se pëlhura të endej. Pra, kapitalisti nuk e paguan pagën nga paratë që do të marrë nga pëlhura, por e paguan nga paratë që ai kishte rezervë. Vegja dhe filli nuk janë produkte të endësit, të cilat ia dha borgjezi, po kështu nuk janë produkt i tij edhe mallërat që ai merr si këmbim për mallin e vet, fuqinë punëtore. Mund të ndodhë që borgjezi të mos gjejë fare blerës për pëlhurën e vet. Mund të ndohë që nga shitja e pëlhurës ai të mos e nxjerrë as shumën e parave që ka hargjuar për pagën. Mund të ndodhë që ai ta shesë atë shumë më tepër në krahasim me pagën që i ka paguar endësit. Të gjitha këto nuk kanë të bëjnë aspak me endësin. Me një pjesë të pasurisë që zotëron, të kapitalit të vet, kapitalisti blen fuqinë punëtore të endësit, po ashtu sikurse me pjesën tjetër të saj ai ka blerë lëndën e parë – fillin dhe veglën e punës – vegjën. Dhe pasi i bleu të gjitha këto, – këtu hyn edhe fuqia punëtore e domosdoshme për prodhimin e pëlhurës, – kapitalisti fillon prodhimin, ku lënda e parë dhe veglat e punës i përkasin vetëm atij. Natyrisht, në veglat e punës tani hyn, i cili, ashtu sikurse edhe vegja, nuk ka pjesë në produktin ose në çmimin e tij.

“Pra, paga nuk është pjesë e punëtorit në mallin e prodhuar prej tij. Paga është një pjesë e mallrave që ekzistojnë që më parë, me të cilën kapitalisti blen një sasi të caktuar fuqie punëtore prodhuese.”

Pra, fuqia punëtore është mall, të cilin zotëruesi i tij, punëtori me mëditje, ia shet kapitalit.  Pse e shet ai? Për të jetuar.

Por shfaqja e fuqisë punëtore në veprim, puna është veprimtaria jetësore e vetë punëtorit, është shfaqja e jetës së tij. Dhe këtë veprimtari jetësore ai ia shet një tjetri për të siguruar mjetet e nevojshme të jetesës. Pra, veprimtaria jetësore e tij  për të është vetëm mjet që i jep atij mundësi për të jetuar. Ai punon për të jetuar. Ai bile nuk e quan punën si pjesë të jetës së vet; përkundrazi, për të të punosh do të thotë të sakrifikosh jetën tënde. Puna është mall që ai e ka shitur te tjetri. Prandaj edhe produkti i veprimtarisë së tij nuk është qëllimi i veprimtarisë së tij. Për veten e vet punëtori nuk prodhon as mëndafshin që end as arin që nxjerr nga miniera as pallatin që ndërton. Për veten e vet ai prodhon pagën, kurse mëndafshi, ari, pallati për të shndërrohen në një sasi të caktuar mjetesh jetese, ndoshta në këmishë prej pëlhure, në monedhë bakri ose në vend banimi në ndonjë bodrum. Dhe a ka mundësi punëtori që 12 orë në ditë end, tjerr, punon në torno, shpon, ndërton, gërmon, thyen gurë, mban ngarkesa etj., – a ka vallë mundësi ai ta quaj këtë punë prej 12 orësh në endje në tjerrje, në shpim, në torno, në ndërtim, në gërmim, në thyerjen e gurëve si shfaqje të jetës së vet, si jetën e vet? Përkundrazi.  Jeta për të fillon atëherë kur kjo veprimtari pushon, – në tryezën e bukës, në pijetore, në shtrat. Puna e 12 orëve për të nuk ka kuptim si endje, si tjerrje, si shpim etj., por si një mënyrë për të siguruar pagën e cila i jep atij mundësi të hajë të shkojë në pijetore dhe të flejë. Sikur krimbi i mendafshit të endte për të jetuar si krimb, ai do të ishte një punëtor i vërtetë me mëditje.

Fuqia punëtore nuk ka qenë gjithnjë mall. Puna nuk ka qenë gjithnjë punë me mëditje, d.m.th. punë e lirë. Skllavi nuk ia shiste fuqinë e vet punëtore skllavopronarit, po ashtu sikurse kau nuk ia shet fshatarit punën e vet. Skllavi i shitej të zotit një herë e përgjithmonë së bashku me fuqinë e vet punëtore. Ai është mall që mund të kalojë nga duart e një pronari në duart e një tjetri. Ai vetë është mall por fuqia punëtore nuk është mall i tij. Bujkrobi shet vetëm një pjesë të fuqisë së vet punëtore. Ai nuk merr pagë nga pronari i tokës; përkundrazi, pronari i tokës prej tij merr haraç. Bujkrobi i përket tokës dhe i sjell fryte pronarit të saj. Punëtori i lirë, përkundrazi, shet vetëveten dhe e shet pjesë-pjesë. Ditë për ditë në tregun publik ai shet 8, 10, 12, 15 orë të jetës së vet, dhe ia shet atij që paguan më shumë, pronarit të lëndëve të para, të veglave të punës dhe të mjeteve të jetesës, d.m.th kapitalistit. Punëtori nuk i përket as pronarit as tokës, por 8, 10, 12, 15 orë të jetës së tij të përditshme janë të atij që i blen. Punëtori ikën kur të dojë nga kapitalisti, të i cili është pajtuar, dhe kapitalisti e nxjerr atë nga puna kur t’i pëlqejë, sa herë që punëtori nuk i sjell fitim ose nuk i sjell atë fitim që priste kapitalisti. Por punëtori, për të cilin i vetmi burim të ardhurash është shitja e fuqisë punëtore, nuk mund të heqë dorë nga e gjithë klasa e blerësve d.m.th. nga klasa e kapitalistëve, pa e dënuar vetën që të vdesë urie.Ai nuk është i atij osë këtij kapitalisti, por i gjithë klasës së kapitalistëve në tërësi, dhe është puna e tij të gjejë të zotin, d.m.th të gjejë blerësin në këtë klasë të kapitalistëve.

 

Shkëputur nga: Karl Marks dhe Fridrih Engels. Vepra të zgjedhura, Vëllimi I. Fq. 72-76.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s