Maçuka: nxënësi i fundit i Allendes në fillimin e diktaturës së Pinoçetit

12366838_10153368999640318_975046234_n

Pedro Maçuka është nxënësi i varfër i shkollës private të të pasurve “St. Peter” në Stantiago të Kilit. I lindur në rendin ekonomik të vjetër: përjashtues, duke jetuar në të renë: gjithpërfshirese, ai përfundon përsëri si i përjashtuar. Maçuka është personifikimi i fëmijeve të shtypur të Kilit pas vendosjes së diktaturës së Augusto Pinoçetit më 1973. Përmes tij, producenti kilian Andres Wood trajton historinë e jetesës shoqërore në dy etapa në Kili, udhëheqjen barazimtare të Salvador Allendes si dhe diktaturën e Augusto Pinoçetit; revolucionin dhe reaksionin. Filmi vë në spikamë po ashtu atë që njihet në sociologji si “luftë e klasave” duke shpërfaqur imtësisht kontradiktat ndërmjet tyre, praktikimin e “teologjisë çlirimtare” nga klerët fetarë katolikë të cilët pikënisje kishin maksimën së zoti është në mesin e të shtypurve.

Continue reading

Advertisements

André Gorz: Kritikë e arsyes ekonomike

12295264_1038950806144347_6528164402669223734_n

Punët përkujdesëse dhe arsimuese mund të kryhen mirë vetëm nëse bëhen për hir të “ndjenjës së vokacionit”, pra prej një dëshire të pakushtëzuar për të ndihmuar të tjerët. Marrja e pagesës për ndihmën që jep nuk duhet të përbëjë motivacionin bazik të mjekut; një motivacion i tillë do të ishte në garë me motivacionin mirëfillazi profesional i cili mund dhe, në të vërtetë, duhet të ketë përparësi në raste nevoje. Në zanatet në fjalë, marrëdhënia midis mjekëve dhe pacientëve (ose midis mësuesve dhe nxënësve, apo midis përkujdesësve dhe të përkujdesurve) dallon nga marrëdhënia e tyre komerciale dhe paraqitet si e pavarura nga ajo: Ja tek jam për të të ndihmuar. Sigurisht që synoj edhe të nxjerr diçka për të jetuar. Mirëpo paratë janë ato që më mundësojnë të bëj punën time dhe jo e anasjella. Ajo që bëj dhe ajo që marr si pagesë nuk kanë lidhje reale mes tyre.

Pacientët (apo nxënësit e kështu me radhë) e njohin këtë pamatshmëri nga fakti se ata ende u ndihen borxhlinj doktorëve (apo mësuesve etj.) të tyre edhe pasi i kanë paguar. Ata kanë marrë prej këtyre të fundit diçka më të madhe se, dhe të ndryshme nga, ajo çka mund të blejnë paratë: shërbimi i ofruar, edhe nëse paguhet mirë, ka gjithashtu natyrën e një dhurate, më saktësisht, e dhënies së vetes nga ana e doktorit (apo mësuesit etj.). Ai/ajo përfshihet në shërbimin që ofron në një mënyrë që as mund të prodhohet sipas qejfit, as mund të blihet, mësohet apo kodifikohet. Ai/ajo ka treguar interes për personin tjetër si qenie njerëzore dhe jo thjesht për paratë e tij; ai/ajo ka ndërtuar një marrëdhënie me tjetrin që nuk mund të shprehet në termat e një procedure teknike të parapërcaktuar apo një programi kompjuterik. Kjo marrëdhënie ka prirjen të shtrihet përtej sferës publike në atë private, domethënë, në marrëdhëniet e qeverisura jo nga konvencionet, rregullat dhe normat shoqërore që mbahen përgjithësisht si të vlefshme, por nga një mirëkuptim personal që ndërtohet shkallë-shkallë midis dy individëve dhe të vlefshëm vetëm për ta.

Përgatiti: Arlind Qori

Botuar në numrin e dymbëdhjetë të gazetës “Universitari”