Maçuka: nxënësi i fundit i Allendes në fillimin e diktaturës së Pinoçetit

12366838_10153368999640318_975046234_n

Pedro Maçuka është nxënësi i varfër i shkollës private të të pasurve “St. Peter” në Stantiago të Kilit. I lindur në rendin ekonomik të vjetër: përjashtues, duke jetuar në të renë: gjithpërfshirese, ai përfundon përsëri si i përjashtuar. Maçuka është personifikimi i fëmijeve të shtypur të Kilit pas vendosjes së diktaturës së Augusto Pinoçetit më 1973. Përmes tij, producenti kilian Andres Wood trajton historinë e jetesës shoqërore në dy etapa në Kili, udhëheqjen barazimtare të Salvador Allendes si dhe diktaturën e Augusto Pinoçetit; revolucionin dhe reaksionin. Filmi vë në spikamë po ashtu atë që njihet në sociologji si “luftë e klasave” duke shpërfaqur imtësisht kontradiktat ndërmjet tyre, praktikimin e “teologjisë çlirimtare” nga klerët fetarë katolikë të cilët pikënisje kishin maksimën së zoti është në mesin e të shtypurve.

Në 2004-ën, producenti Andres Wood pasi kishte përfunduar filmin “Maçuka”, kishte thënë se askush më shumë sesa fëmijët nuk e kanë përjetuar më rëndë gllabërimin e demokracisë në Kili. Në kohën e grusht shtetit të Augusto Pinoçetit ai ishte tetë vjeçar. “Fëmijët i përjetojnë ngjarjet, por nuk i gjykojnë ato. Ata thjeshtë jetojnë dhe bëhen dëshmitarë më pas”. “Maçuka” del të jetë dëshmia e fëmijërisë se producentit Andres Wood. Përjetimi e gjykimi i tij.

Salvador Allende erdhi në pushtet më 1970 pas 32 vjetëve të angazhimit politik dhe humbje pas humbjeje. U rrëzua me grusht shtet nga Augusto Pinoçeti më 11 shtator 1973. Ishte presidenti i parë marksist që erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve, duke triumfuar ndaj djathtistit Horhe Alesandri dhe Radomiro Tomiç.

Filmi “Maçuka” trajton vitin e tretë të qeverisjes së Allendes, ku protagonisti kryesor, Pedro Maçuka hynë në shkollën elitare të quajtur “St. Peter”. Arsimimi ishte privilegj i të pasurve para ardhjes në pushtet të Salvador Allendes, të varfërit në ambientet e shkollave private së paku mund të ishin pastrues. Maçuka është përjashtimi i këtij rregulli. Me të marrë pushtetin Allende kishte filluar ndryshime rrënjësore që nga nacionalizimi i industrive të mëdha e bankave, deri te transformimi i sistemit shëndetësor e arsimimor. 3.000 bursa studimi ishin dhënë më 1970 falë qeverisjes së tij. Filmi që në nisje ravijëzon dallimin e parë klasor e që paraqitet tek veshja. Përballë shumicës së veshur me uniformë, janë pesë të leckosur. Për Maçukën dhe të tjerët si ai, ditët e para të shkollës karakterizohen me grindje e rrahje. Ashtu siç historikisht ishte refuzuar klasa punëtore nga klasa kapitaliste, edhe refuzimi nga nxënësit e pasur që iu bëjnë të pesëve është në të njëjtën vijë historike. Gonzalo, Silvana dhe Ati MeKenro janë protagonistët e tjerë të filmit.

Machuca 2004

Statusin shoqëror që një institucion privat i arsimit në një shoqëri të varfër ua jep nxënësve, del në pah në njërën prej skenave kur babai i Silivanës teksa kthente kamionetën përballë shkollës, iu drejtohet dy nxënësve duke iu thenë se “keni një shkollë mjaft të mirë”. Sinkron ata i përgjigjen se “është shkollë private”. Më pas ai u kërkon falje për ofendimin. Pra, ngatërrimi i të pasurve me të varfër përbën ofendim për të pasurit, ndërsa ngaterrimi i të varfërve me të pasurit përbën privilegj, që është veçse iluzor të cilin prirën ta mirëmbajnë ata, dhe që vjen si pasojë e mungesës së barazisë. Klasa e pasur është klasë e dëshiruar meqë historikisht ka dominuar në kushtet e jetës materiale të shoqërisë. Rrugëtimin me kamionetë babai i Silvanës, Silavana, Maçuka dhe Gonzalo e marrin për të shitur flamuj në protestën kundër Allendes të Frontit Nacional (babai i Silvanes shiste flamuj në të dyja taboret për të siguruar bukën e gojës). Që të katër shesin flamuj edhe në protestën pasuese të socialistëve pro Allendes. Kjo skenë e sjell vizualisht fillimin e organizimit grabitës të djathtëve në një anë, dhe gatishmërinë e të majtëve për të mbrojtur Allenden më 1973. Në te dy protestat, lehtazi shihet dallimi fundamental i dy kauzave. Allende përfaqësonte barazinë e gjithëpërfshirjën, Fronti Nacional përfaqësonte egoizmin dhe përjashtimin. Në njërën anë protestonin të shfrytëzuarit, në tjetrën shfrytëzuesit. Të majtët për vazhdimin e së resë, të djathtët për rikthimin e së vjetrës. Revolucionarët kundër reaksionarëve. Internacionalistët kundër nacionalistëve.

Fillimin e fundit të Allendes e shënjon veprimi kur e emëron Pinoçetin si shef të Shtabit të Ushtrisë. Gazetarja kiliane, Isabel Allende, thoshte se lajmin për përfshirjën e Pinoçetit në grusht shtet e kishin kuptuar nga lajmet. Në kohën kur agjenturat kryesisht amerikane sponzoronin grusht shtete e diktatura në kontinentin amerikan, Allende ishte kritikuar nga presidenti kubanez Fidel Kastro për mos futjën e ushtrisë nën kontrollin presidencial. Bashkë me ngritjen e Pinoçetit, protestat ishin shtuar rrugëve të Santiagos. Në tri skena të filmit e shohim një parullë në mur që në fillim e cila nisë me “No a la Guerra Civil” (Jo luftë civile), vazhdon diku në mes të filmit me Jo-në (NO) e shlyer në parullë, “ A la Guerra Civil” (Luftë civile), dhe në fund mbetet muri i lyer, zbrazët. Ky përshkrim figurativ është sinonim i diktaturës: së pari tradhëton, më pas ekzekuton klasat e përjashtuara, në fund tenton ta shlyej historinë. Bilanci është zero, zbrazët, ashtu siç do të njihet përherë Pinoçeti.

machuca-7-638

Karl Marksi duke teorizuar mbi klasat në bazë të marrëdhënieve në prodhim, e më pas duke e analizuar shoqërinë nëpër etapa historike, klasën e mesme të ulët apo mikroborgjezinë e quan “reaksionare” dhe “aleate natyrore të proletariatit” apo klasës punëtore revolucionare. Kur ashpërsohen kontradiktat klasore, kapitali përqëndrohet ne duart e klasës së lartë, borgjezisë. Mikroborgjezia humb mundësinë të nxjerrë mbivlerën dhe shndërrohet në proletariat. Për këtë arsye Marksi e quan “aleate natyrore të proletariatit”, ndërsa “reaksionare” për shkak se deri në ashpërsimin e kontradiktave, kjo klasë iu rri nën sqetull borgjezisë. Ky shembull paraqitet në skenën ndoshta më të fuqishme të filmit, ku babai i Maçukës vjen i dehur në shtëpi dhe takon Maçukën, Gonzalon dhe Silvanën. Pasi merr përgjigjën se Gonzalo i pasur është shok i Maçukës së varfër, ai i drejtohet të birit kështu:

“A e di se ku do të jetë shoku i yt pas pesë vjetëve? Do të fillojë kolegjin, ndërsa ti do të pastrosh nevojtore. Pas dhjetë vjetëve, shoku i yt do të fillojë të punojë në kompaninë e babait të tij. Ndërsa ti ende do të jesh duke pastruar nevojtore. Pas pesëmbëdhjetë vjetëve, shoku i yt do ta drejtojë kompaninë e babait të vet. Ndërsa ti? Merre me mend. Do të jesh ende duke pastruar nevojtore. Ç’shok? Ai as që do të mbajë në mend emrin deri atëherë. Ky, ky shoku yt.”

Mllefi i babait të Maçukës mbi atë se ç’është shoku i klasës shtypëse, pasqyrohet në skenën e fundit pas grusht shtetit të Pinoçetit. Në prezencën e Gonzalos kryhen krime të llahtarshme ne lagjen e Maçukës dhe Silvanës. Kjo e dyta vritet duke mbrojtur babanë pasi i kishin gjetur flamuj të partisë socialiste. Sipas gazetarës Isabel Allende, kjo ishte dita kur qytetarët e Kilit e varrosën lirinë. Rreth 3.000 njerëz u vranë gjatë dhe pas grusht shtetit. Ndër ta besohet se edhe poetit Pablo Neruda iu shpejtua vdekja. U ekzekutua themeluesi i zhanrit muzikor “Nueva Cancion”, Victor Jara. Këngët e tij kushtronin thirrjet për çlirimin e të shtypurve të botës. Poezitë e Nerudës kumbonin dashurinë mes njerëzve. Salvador Alende u vetëvra ditën e grusht shtetit. Pinoçeti në krye të Kilit qëndroi për 17 vjet, ndërsa edhe tetë vjet tjera në krye të ushtrisë.

12395291_10153368999600318_940388662_n

Ajo çka përgjithësisht filmi “Maçuka” trajton, janë dallimet sociale mes klasave dhe kontekstin historik të ardhjes në pushtet të Juntës. Te varfërve iu shpërfaqet degjenerimi si pasojë e pamundësisë ndërsa të pasurve si pasojë e bollëkut. Po ashtu vihet në pah shumësia e llukseve të panevojshme tek të pasurit, ndërsa tek të varfërit mungesa e domosdoshmërive elementare. Të gjitha këto shkak e kanë kapitalizmin. Filmi do të ishte i pakompletuar poqëse nuk do ta trajtonte atë që njihej si “teologjia çlirimtare” në Amerikë Latine. Ideja se vendi i predikuesve të zotit është në angazhimin për barazi shoqërore krah për krah me të shtypurit ishte karakteristikë e kësaj fryme. “Zoti është në mesin e të shtypurve” kishte thënë Ati Romero në El Salvador disa ditë para se të vritej. Ati MeKenro arrinë subjektivitet të lartë kur e ha të gjithë kungimin. Ai pranon të mallkohet për të nëmur shkollën “St. Peter”. “Ky vend nuk është më i shenjtë” thotë ai. Kapitalizmin duhet ta çrrënjosim themi ne të shfrytëzuarit e Kapitalizmit.

Valton Marku

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s