Valton Marku: Rrota, bagazhi dhe mijëra qirinjë që presin për të shndritur

Ishte një Karusel (rrotë rrotulluese) në një park lojrash në Fushë Kosovë që frymëzoi artisten angleze PJ Harvey për t’u kënduar të pagjeturve të luftës së vitit 1999. Një lajm i asaj kohe që tregonte se si një ushtar serb e kishte ndihmuar një grua shqiptare të plagosur, frymëzoi gjithashtu ish basistin e bendit anglez “Pink Floyd” Roger Waters-in. “Fëmijë, mos u zhdukni, të përhumbur, mbi rrotën rrotulluese” kumbon kënga “Rrota” (The Wheel) e Pj Harvey-t, ku përmes fëmijëve nxirren në pah të pagjeturit. Roger Waters-i me “Secili Qiri i Vogël”, në anën tjetër, përmes shembullit njerëzor të ushtarit serb që refuzon rreshtimin çnjerëzor të togës së tij, i këndon mohimit si shkëndijë shprese: “Nëpër hapësirën e madhe ndarëse, ai kthehet mbrapa, nëpër porcelanin e thyer të jetës së saj”. Ka shumë artistë vendorë e të huaj që trajtuan luftën e Kosovës në forma të ndryshme, së fundmi në mënyre gjeniale edhe filmi kosovar “SHOK”, i cili me shumë gjasë është më i miri që e kemi pasur. Të shumtë janë edhe filmat që flasin për luftën në Bosnje, por, filmi “Bagazhi” (Prtljag), për më pak se 25 minuta arrinë të na e sjellë vizualisht të gjithë skemën socio-politike në Bosnje, përveç që trajton ndryshe problemin e të pagjeturve.

Ky film i shkurtër i regjisorit boshnjak Danis Tanović, “Bagazhi” (Prtljag), i cili më 2010 i është dedikuar të pagjeturve në Bosnje, mesazhin kryesor na e kumton duke na thëne se vetëm statusi i privilegjuar ekonomik – paraja, lidhjet me dëshmitarët e varfër të luftës ose me ndonjë kriminel të padënuar, mund të hapin ndonjë shteg për të gjetur të pagjeturit, ndërsa për institucionet as që bëhët fjalë.

Po t’i shohim shkurtazi rregullimet politike në Bosnje dhe Kosovë, ravijëzohet se që të dy vendet përbëjnë eksperimentin më të çuditshëm politik në Europë. Dejtoni e Rambujeja e sollën paqen për të thelluar ndarjen etnike më pas. Deviza Perëndimore doli të jetë diçka si: ”Po ua imponojmë paqen liberale me kushtin që pavarësisht rrethanave historike, duhet të na dëgjoni”. Siç mund të dimë, mohimi i rrethanave historike nuk i kontribuon shërimit të një shoqërie të dalë nga lufta, përkundrazi e thellon hendekun etnik. Siç mund të kemi mësuar, aplikimi i kësaj ahistorie kërkon individë e parti të gatshme çdoherë për koncensione me kushtin e vetëm që të vjedhin pa u dënuar. Siç mund ta jetojmë ndër vite, ndërkombëtarët kanë imponuar autoritetin e Padronit, që sipas filozofit francez Alexandre Kojève do të thotë se ata edhe vendosin, edhe veprojnë. Me këtë skemë, duke ja shtuar edhe pabarazinë e marrëdhënieve në prodhim, shoqëria rrëshqet në lakmi ndërsa institucionet shtetërore në sterilitet.

Të kthehemi tek filmi. Amir-i, personazhi kryesor i “Bagazhi-t” të cilin regjisori e paraqet me vendbanim në Suedi, sapo kthehet në Bosnje pas ftesës për të tërhequr mbetjet mortore të prindërve të tij të zhdukur, përballet me katrahurën sociale e politike në vend. Në momentin kur eshtrat e prindërve i dalin të tjetërkujt, është paaftësia institucionale që i uron mirëseardhje jo aq të ngrohtë. Në anën tjetër, sa për t’ia rikthyer ankthin e luftës, një vështrim në stemën e shenjuar në cirilikë të policëve në pjesën e Republika Srpska-s – e njëjtë si ajo e ditëve të luftës – mjaftoi që t’ia shkundë kujtesën. Tanović-i duket se qëllimshëm ndërlidhë Srpska-n me njërën prej skenave, sa për të na vizualizuar se mbi të ndërtohet tërë realiteti shoqëror në Bosnje, dhe se, falë Dejtonit e politikanëve vendorë u jetësua për të na trazuar. Kur Amiri i tronditur vendosë të vizitojë shtëpinë e tij të shkatërruar pas 16 vjetëve, takon shokun serb të fëmijërisë, Dušan-in e varfër. Ai i thotë se Miladin-i – një kapo i lagjës – e di se ku janë mbetjet mortore të prindërve të tij. Për 5.000 euro Miladin-i e shpie tek varreza masive në një pyll aty afër. Pasi gjejnë mbetjet e prindërve, Amiri i fut në bagazh për t’i marrë me vete dhe këtu i përfundon trazimi 16 vjeçar. Kjo ngjarje lehtësisht mund të paramendohej ndokund në Kosovën e institucioneve sterile, politikanëve servilë dhe ambasadorëve fuqiplotë.

Por, ka një dallim të vërejtshëm në mes të kriminelit Miladin dhe të varfrit Dušan përkundër që e ndajnë të njëjtin nacionalitet. Tek i pari vërehët adhurimi i parasë për të shtuar pasurinë, tek i dyti vërehet nevoja e parasë për të mbijetuar. Në sistemin kapitalist njerëzit janë përherë në nevojën e parasë. Tipat si Miladin-i bëjnë krime (edhe duke shitur informacione për të pagjeturit), ndërsa tipat si Dushani i rezistojnë përfshirjes në krim përkundër të gjitha predispozitave që ideologjia dominuese ia trason. Sociologu francez Christian Laval-i thotë se kur thellohen krizat shoqërore, korrin fitore perspektivat nacionaliste. Me barazvlerësimin e palëve ndërluftuese, si në Bosnje ashtu dhe në Kosovë është topitur kritika klasore për t’u fuqizuar kritika nacionaliste. Me liberalizmin e neokolonializmin e fuqive Perëndimore, në Bosnje u themelua Republika Srpska si kusht paqeje e në Kosovë po tentohet të themelohet Asociacioni (një version më i butë i Srpska-s), si kusht integrimi.

Kulti dhe imponimi i liberalizmit nga BE-ja dhe SHBA-të, si dhe skalitja e politikanëve vendorë sipas shëmbëlltyrës së servilit liberal, përbëjnë distopinë e quajtur Bosnja dhe Hercegovina, apo edhe Kosovë. Si mund të mos të thellohej ndarja etnike kur shteti Serb e ka ripërtërirë nomenklaturën e vitit 1999?! Ashtu sikurse gjarpërit që i ripërtërihet lëkura, po ashtu edhe shteti Serb ka ripërtërirë strukturën politike të 99-ës. Aktualisht ka kryeministër ish Ministrin e Informacionit në kohën e Milošević-it, Ministër të Jashtëm ka ish Zëdhënësin, ndërsa President ka ish zëvendëskryeministrin e tij. Fuqitë Perëndimore, sikurse ekonomia e tregut që ia mundëson kapitalistit të fuqishëm shtrirjen e monopolit për shkak të fuqisë së kapitalit, kanë mbyllur e vazhdojnë t’i mbyllin sytë ndaj Kosovës e Bosnjës për shkak të fuqisë politike të Serbisë. Kontradikta kryesore, që nga Kosova e më tej, del të jetë çlirimi prej autoritetit të Padronit, rrjedhimisht çlirimi nga ndikimi i ambasadorëve të fuqive të mëdha, si hap drejt çlirimit prej pushtetarëve vendorë.

9670D7BBF006D6AA45D0420378490758

Jetike del të jetë rikthimi i të majtës, por të rimenduar. Bashkë me të, rikthehet shpirti i solidaritetit, politikat sociale dhe internacionalizmi ndër njerëz. Chrisian Laval-i, thotë dhe ka të drejtë se “Rishpikja e një të majte në kuptimin e vërtetë të termit në Europë, duhet medeomos të kalojë përmes rithemelimit mbi baza të reja të projektit europian”. Mbase edhe fitorja eventuale e të majtit Bernie Sanders në SHBA do të shuante ndikimin padronizues të ambasadorëve në shtete siç është Kosova.

Ndërkaq, masave të përjashtuara të çfarëdo nacionaliteti në Europë dhe jo vetëm, u duhet bashkimi klasor e protesta. Po të përshtasim figurativisht titujt e PJ Harvey-t dhe Danis Tanović-it, po ashtu dhe mesazhin e Roger Waters-it, të gjithë politikanët servilë e oportunistë duhet t’i fusim në një bagazh të madh me qëllim që t’ia japim një shtytje rrotës së historisë, sepse mijëra qirinjë presin për të shndritur. Ata do të ndriçojnë çdo kënd errësire.

 

p.s.

Duke u orvatur për të kuptuar dhimbjen që kanë familjarët për të pagjeturit, e mendoja këtë varg të Dritëro Agollit:

 

“Ja di dhimbjes të gjitha shkallët.

Ja njoh peshën, artit, bukës dhe hekurit.

Por më shumë më dhemb loti i ndarjës me të gjallët, se loti i ndarjes me të vdekurit”.

 

 

Botuar tek portali Pena Ime

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s