Walt Whitman: Kënga e udhës së madhe

MTE5NTU2MzE2NDA0ODExMjc1

1

Më-këmbë, me zëmër të lehtësuar, nisem për udhën e madhe,

plot shëndet, i lirë, me botën përpara,

Me shtegun e gjatë të murmë përpara meje, që më shpije ku dëshëroj vetë.

Kështu-tutje s’i lutem fatit – unë vetë jam fati;

Kështu-tutje s’ankohem, s’vonoj. s’kërkoj asgjë,

I fortë, i kënaqur, nisem për udhën e madhe.

Dheu, po, më mjafton;

As dua t’i kem yjtë ca më afër;

E di se janë mirë atje ku janë,

E di q’u mjaftojnë atyrë q’u përkasin.

(Akoma mbaj barrët e vjetra t’ëmbla;

Mbaj barrët burra e gra – i mbaj kudo që vete;

Bëj be, m’është e pamundur t’i heq qafe;

Jam mbushur sush e vetë do t’i mbush ato).

2

Moj udhë, ku shëtis duke shikuar rrotull!

Se mos je ti çdo gjë që ka këtu;

Besoj se ka këtu plot gjëra që s’i shoh.

Ja mësim i thellë i pritjes që s’njeh pëlqim ose përbuzje:

Kalojnë negrit flokë-kaçurela, katili, i sëmuri, i padituri, i pranon të gjithë;

Foshnja në djep, ay që rend të gjejë mjekun, dhe lypësi me

torbën krahëve, i dehuri që mënd rrëzohet, a punëtorët që ecin e kërdisen,

Shegerti i mërguar, zengjini me karocë, kokonoshi,

Dhe çifti i arratisur prej familjevet;

Pazaraku që mëngon, përcjellësit e një të vdekuri,

Të tjerë që po kthehen prej qytetit;

Po shkojnë – shkoj dhe vetë – bota shkon – askush nuk po ndalon;

U qoftë udha e mbarë – të gjithë i kam përzëmër.

3

Erë që më jep frymë për të folur!

Kundrina që më kapni mendimet e shpërndarë dhe që m’u jepni trajtë!

Dritë që më fshiell mua dhe gjithë sendet me rreze të njëllojtë!

Shtigje më të përpjetë e tatëpjetë në çdo krah të udhës!

Besoj se keni plot gjëra të padukura – sa fort u dua!

Ju rrugë qyteteve të shtruara me plloça,

Ju qoshe të fuqishme rrugëvet!

Ju avullore, dhoga e gajthe skelash, mure të veshur me drrasa,

Anije që spikasni për së largu!

Ju vargje blloqesh, fasada me dritare, ju çatira!

Ju qoshe e dyer, gjerdhe hekuri me staketa;

Ju dritare që me guaskat transparente mund të thoni se ç’ka brenda!

Ju dyer e shkallë të përpjeta, ju qemere.

Ju gurë bojëhiri të kadrëmeve pafund,

Ju udhëkryq të rrahura për ditë!

Nga të gjithë ç’ju kam prekur besoj të kini mbajtur gjëkafshë dhe doni të më jepni gjë dhe mua fshehur;

Më duket, i kini mbushur sipërfaqet tuaja të mpira me të gjallë e të vdekur.

Dhe shpirtrat e tyre duan të më çfaqen miqësisht.

4

Dheu shtrihet më të djathtë e më të mëngjër,

Piktura e gjallë, çdo pjesë në ndriçimin më të mirë,

Muzika që bie ku duhet e pushon atje ku s’e duan,

Zër ‘i këndshëm i rrugës publike – ndjenja e çelur e gëzuar e saj.

O udhë e madhe, ku udhëtoj, mos po më thua. Mos më lerë?

Mos po më thua, Mos guxo! Po më le, humbe?

Mos po më thua, Jam pregatitur; jam sheshuar nuk më mposhtin, qëndro me mua?

O udhë e popullit! Të përgjigjem: Nuk trëmbem teje – po, të dua;

Ti më shpreh veten time më mirë nga sa mund ta shpreh unë vetë;

Ti më je m’afër zemrës nga ç’m’është vjersha ime.

Më duket, veprat e mëdha u ngjizën në shesh të lirë dhe gjithë vjershat e mëdha gjithashtu;

Më duket, vetë mund të ndal këtu dhe të bëj mrekullira;

(Mendimet, gjykimet kështu-tutje do t’i provoj n’erën e lirë, n’udhë të madhe);

Më duket, ç’të has mbudhë do ta dua, dhe kushdo që të më shohë, do të më dojë;

Më duket, këdo që të shoh duhet ta bëj të lumtur.

5

Që prej kësaj ore, liri!

Që prej kësaj ore e çpall veten të lirë nga prangat e pengesat e pandehura;

Shkoj ku të dua, zot më vete, pa kënd mbi krye;

Dëgjoj të tjerët dhe gjykoj mirë se ç’thonë,

Pushoj, vëzhgoj, marr e peshoj;

Shkëputem butë, po me vullnet të pakundërshtuarshëm, prej prëngave që do më mbanin.

Thith hapësirën me surba të mëdha;

Të mitë janë lindja e perëndimi, të mitë dhe veriu e juga.

Jam më zemërgjërë, më i mirë nga sa kujtoja,

S’e dinja se kasha kaq shumë mirësi.

Çdo gjë më duket e bukur;

Mund t’u përsëris grave e burrave këtë:

“Më kini bërë kaq e kaq të mira,

Dhe unë dua t’ju bëj aq të mira”.

Dua të mbledh për vete dhe për ju kudo që shkoj;

Do të përziem me burra e gra kudo që vete;

Do të mbiell gëzim e rreptësi të rë ndër ta;

Ndë më përzëntë kush, nuk më helmon;

Dhe kush më qas, ay ose ajo – bekuar qoftë e më bekoftë.

6

Sikur të më çfaqeshin njëmijë burra të përsosur nuk do çuditesha;

Sikur të më çfaqeshin njëmijë trajta grash të bukura nuk do të habitesha.

Tani e shoh sekretin se si bëhen më të mirë njerzit;

Të rritesh n’ajr të lirë, të hash e të flesh me dherin.

Këtu ka vënd për veprë të madhe personale,

Një veprë e tillë kap zemrat e gjithë racës njerëzore,

Fuqia dhe vullneti i saj e mundin ligjën dhe përbuzin çdo autoritet dhe argument të saj kudo.

Këtu është prova e urtësisë;

Urtësia nuk provohet përfundimtarisht në shkollë;

Urtësia nuk kalon nga një q’e ka, të një që s’e ka;

Urtësia kalon nga shpirti, nuk dëshmohet me prova: është vetë prova e vetes,

U përket gjithë shkallëvet, gjëravet e cilësivet, dhe është brendia,

Është penku i realitetit e i pavdekurisë së botës; dhe i përsosuris të saj;

Se ç’ka në rrjedhjen e dukjes së gjërave që urtësin e ndiell prej shpirtit vetë

Tani shqyrtoj filosofitë e fetë.

Mund të provohen mirë në salla leksioni, por aspak nënë ret e gjëra dhe nëpër vise dhe gjatë lumenjve që rrjedhin.

Këtu është realizmi;

Këtu e ka vëndin njeriu – këtu e vërteton se ç’ka në zemër;

E kaluara, e ardhshmja, madhëria, dashuria –

Ndër u mungon ti atyre, dhe ato të mungojnë ty.

Vetëm thelb i sendevet ushqen.

Kush e thyen guaskën e bërthamës për mua e ty?

Kush i zbulon kurthet e mashtrimit qe na kanë ngrehur ty dhe mua?

Këtu ka bashkim të njerzvet – të pregatitur – të lindur vetëvetiu.

E di se ç’do me thënë të piqesh me të huaj tek shkon udhës e të të duan?

A e di gjuhën e atyre kokërdhokëve që vështrojnë?

7

Këtu zbrazet Shpirti;

Zbrazja e shpirtit shpërthen së brëndëshmi, përmes portash

të mbuluara me hijen e gjetheve t’ërrët, të cilat të bëjnë të pyeç gjithnjë:

Ky mall përse është? Këta mendime n’errësirë përse janë?

Përse ka burra e gra që, kur ndodhen pranë meje e bëjnë dritën e diellit të ma ndezë gjakun?

Përse, kur më largohen, më mpihen e më bien flatrate gëzimit?

Përse ka pemë që, kur shëtis në hijen e tyre, më zbresin në kokë mendime të bukura melodioze?

(Më duket, varen në drurë të tillë verës e dimrit dhe lëshojnë pemë kur kaloj pranë),

Ç’është e pa-pandehur shoqërohem me të huaj?

Me ndonjë karrocier kur rri pranë popes së tij?

Me ndonjë peshkatar q’është duke nxjerrë rrjetin nga deti kur shkoj afër e qëndroj?

Ç’më bën të je mi lirë për vullnetin e mirë të një gruaje a burri?

Ç’u jep të drejtë atyreve të jenë ata për timin?

tumblr_nvg2z9t0U61rnc3y3o1_1280

8

Zbrazja e shpirtit është lumturi – këtu ka lumturi;

Më duket se përshkon gjithë ajrin, atje prêt gjithmonë.

Tani derdhet mbi ne dhe na ngarkon plot;

Këtu lind fara dhe cilësia që na ngjit;

Fara që rrjedh e ngjit është freskia dhe ëmbëlsia e burrit dh’e gruas;

(Barishtat e mëngjezit nuk dalin për ditë më të rimta e më

t’ëmbla prej rrënjevet nga sa del ajo fare vetiu e rimtë dh’e ëmbël),

Prej farës e cilësisë që tërheq rrjedh djersë e dashurisë nga të rinj e pleq.

Prej saj pikon ënda që ia shkon bukuris e pasqylive;

Drej saj bumehet malli drithëronjës që të rroket më të.

9

Allons! Kushdo qofsh eja t’udhëtojmë bashkë!

Duke udhëtuar me mua do të gjesh atë që s’të lodh kurrë.

Dheu s’të lodh kurrë;

Dheu të duket i ashpër, i heshtur, i pakuptuar në fillim –

Natyra në fillim të duket e ashpër, e pakuptuar;

Po mos u dëshpëro – vazhdo – ka gjëra hyjnore, të vluara mirë,

Të betohem: ka gjëra hyjnore më të bukura nga ç’mund të tregohen me fjalë.

Allons! nuk duhet të qëndrojmë këtu!

Sado t’ëmbla këto të mira të vluara, sado e bukur kjo banesë në s’mund të presim këtu;

Sado i mbrojtur të jetë ky port, sado të qeta këto ujra, s’duhet të hedhim çengelin këtu;

Sado e madhe bujtaria që na rrethon, do ta pranojmë vetëm për një çast të shkurtër.

10

Allons! Joshet do të jenë edhe më tërheqëse,

Do të lundrojmë në dete t’egër e pa gjurma.

Do të vemi ku ulërin stuhia, vërsulen valët, dhe lundra janki fluturon nëpër to.

Allons! Me fuqi, liri, tokë dh’elementët!

Shëndet, guxim, gëzim, vetëdije e zell;

Allons! Ne shkojmë lark doktrinavet;

Nga doktrinat tuaja o priftërinj të babëzitur, shokë të lakuriqi-natës!

Kufoma kundërmonjëse po na zë rrugën – varrimi s’mund të shtyhet më.

Allons! Po pa dëgjomë!

Kush udhëton me mua duhet të ketë gjakun më të mirë, muskullat më të forta, durim të madh;

Askush të mos e provojë po nuk pati guxim e shëndet.

Mos eja ndë paç prishur më të mirën pjesë të vetes sate;

Vetëm ata mund të vinë që kanë shtat të bukur të shëndoshë;

Aty s’lejohen të sëmurë, pijanecë a me lëngatë venerikë;

Unë e të mitë nuk bindim me fjalë, figuara dhe rima,

Ne bindim me ndodhjën tonë.

11

Dëgjo! Dua të jem zemërçiltë me ty;

Unë s’jap çmimet e vjetër të butë, po jap çmime të rinj t’ashpër;

Këto janë porositë që duhet t’u përmbahesh:

S’ke për të mbledhur ç’quhen pasurira.

Dhe sa fiton a merr ta shpërndash dorëhapur;

Posa t’arrish në qytet në të cilin ishe porositur të jesh rregulluar pas dëshirës satë

Kur befas të thërret një zë i pakundërshtuar të nisesh për udhë,

Dhe do të përcjellin me të qeshme tallëse ata që mbetën prapa teje;

Atyreve që të përshëndesin me joshet e dashurisë do t’u përgjigjesh me të puthur të nxehtë të lamtumirës,

As që do ta pranosh dorën e atyreve që ndehin krahët të të mbajnë.

12

Allons! pas Shokëvet të Mëdhenj! të bëhemi me ta!

Ata janë n’udhë e sipër! janë burrat me vrull e madhëri! janë gratë më të madhërishme.

Ata e kuptuan ç’i ndalonte – ç’i vononte – gjithë pengesat, të mëdha e të vogla.

Në det kënaqen me ujrat e qeta, e me stuhit e rrepta,

Udhëtojnë me shumë anije, dhe ecin shumë mila brënda në tokë,

Në banesa të larga janë si në shtëpi të vet,

Ua çelin zemrën burrave e grave, kqyrin qytete, punojnë në vetmi,

Ndalen të kqyrin xhufka, lule e guaska buzë detit,

Këcejnë në dasmë, puthin nusen, ndihmojnë fëmijët, lindin fëmijë,

Marrin pjesë në revolucione, qëndrojnë buzë varreve të hapur, ulin arqivole

Shëtisin stinë për stinë e vjet për vjet – vjete të çidiçëm që çfaqen njeri pas tjetrit,

Udhëtojnë me shokë, do me thënë me veten e tyre në fytyra të ndryshme,

Dalin nga fshehtësirë e viteve të miturisë së tyre.

Ecin gëzuar me rininë e tyre, ecin me moshën burrnore mjekroshe të tyre,

Ecin me moshën e gruas, të plotë, të kënaqur, të përsosur,

Ecim me pleqërin e tyre madhështore, si burrë a si grua;

Pleqëria, e qetë, zëmërgjërë e mbushur me frymën e gjithë botës.

Pleqëria, që rrjedh shtruar me gjithë ëmbëlsin e liris q’afron, e me vdekjen.

13

Allons! drejt asaj që nuk ka fund, as nuk pati fillim,

Të bëjmë marshime të vështirë ditën, çlodhje natën,

Të gjitha i kredhim n’udhën që synojnë, dhe në ditët e netët që synojnë,

Dhe këto prapë t’i kredhim në shëtitje t’udhës më së lartë e të ndritur.

Të mos shohim asgjësend veçse gjëra që mund t’i arrish,

Të mos mendojmë kohë tjetër, sado larg qoftë, veç asaj që mund t’arrish e ta kalosh,

Të mos shohim të përpjetë a tatëpjetë veç që asaj që duhet e pret për ty – sado e gjatë qoftë, veç asaj që ndalet e të pret.

Të mos shohim asnjë qënje, as të perëndisë a ndokujt tjetri;

vec asaj në të cilën kredhesh edhe ti;

Të mos shihim plënk që nuk mund ta bësh tëndinta gëzosh pa mundim a pagim – të marrish pjesë në gostinë dhe prapë të mos i mungonjë asaj asnjë pjesëze;

Të marrësh më të mirën gjë prej mylkut të bujkut e prej villës së pasanikut, prej lumtëris së dlirë të çiftit të gëzuar, prej frutave të baçes e luleve të kopshtit;

Të marrësh ç’të duhet nga qytetet e ngjeshur kur je duke kaluar nëpër ta;

Që pastaj, kudo të vesh, të kesh me vete shtëpinë e rrugën,

Të mbledhësh arsyet e njerzvet, me të cilët piqesh, kuptimin prej mendjes së tyre, dashurinë prej zëmrës së tyre,

Të marrësh të dashurët e tu n’udhëtim me vete – me gjithë se i le në shtëpi,

Të kesh vetë gjithësinë për udhë – për shumë udhë – udhë për shpirta shtegtarë.

14

Shpirti udhëton:

Trupi s’udhëton aq shumë sa shpirti;

Trupi ka aqë shumë punë sa edhe shpirti, dhe më në fund niset për udhën e shpirtit.

Të gjithë nisen për udhën e mbarë të shpirtrave;

Gjithë fetë, gjithë gjërat e ngurta, artet, qeveritë – ç’ish a ç’është e dukshme mbi faqen e këtij lëmshi dheu atë çdo lëmshi dheu, bie më gjunjë përpara proçesionit të shpirtrave gjatë udhëve të mëdha të gjithësisë.

Për mbarëvajtjen e shpirtrave të njerzvet n’udhën e madhe të gjithësisë është symbol i nevojshëm e ndihmë gjithë mbarëvajtja

Gjithëmonë të gjallë, gjithëmonë përpara,

I madhërishëm hijerëndë, i hidheruar, i vetmuar, i mashtruar, i marrë, i turbulluar, i dobësuar, i pakënaqur, i dëshpëruar, krenar, i dashur, i sëmurë, i pritur mirë, i pritur keq nga njerëzit,

Secili udhëton! Të gjithë udhëtojnë! E di q’udhëtojnë:

Po ku po venë, nuk e di.

Po e di që shkojnë drejt më së mirës – drejt diçka të madhe.

15

Allons! Kushdo qofsh! del, eja!

Mos rri në shtëpi, më nge në gjumë, ndonse ti e ndërtove a e ndërtuan për ty.

Allons! dil prej burgut t’errët!

Më kot që kundërshton – i di të gjitha – t’i zbuloj;

Po shoh se ini keq si dhe të tjerët.

Nga të qeshurat, valet, gostit e njerzve.

Prapa petkash e stolive, dhe fytyrave të lara dhe të lyera,

Shoh neverin e heshtur e të fshehtë, e dëshpërim.

As burrit as gruas as mikut s’guxon t’ia rrëfesh zëmrën;

Një tjetër vetë, q’i ngjet cilitdo, të vjen pas si hije,

Pa shtat, pa zë nëpër rrugët e qytetit nget, me lajkë e bujari në sallonet,

Në vagon të trenit, n’avullore, në mbledhjet publike;

Në shtëpi, në shoqëri burrash e grash, në sofër, n’atë të gjumit, kudo;

I veshur elegant, fytyrë-qeshur, trup-drejtë, me vdekje nënë sjetull e ferrin nënë kafkë,

Nënë kezë e në dorashkat, nënë fjongot e lulet artificial.

Duke ndjekur pikë për pikë zakonet, duke mos thënë asgjë për vete,

Duke folur për çdo gjë tjetër, po kurrën e kurrës për vete.

16

Allons! Nëpër betejë e luftra!

Qëllimin q’e caktuam, se ndryshojmë/

Përpjekjet e moçme vanë mbarë?

E kujt i vajti mbarë? Ty? Kombit tënd? Natyrës?

Pa më kuptoni mirë: E kanë për natyrë gjithë gjërat që nga çdo gëzim mbarësie, çfarëdo qoftë, do të dalë diçka tjetër, që e bën të nevojshme një përpjekje edhe më të madhe.

Thirrja ime është kushtrim; unë ushqej kryengritje të përditshme,

Kush vjen me mua duhet të jetë armatosur mirë;

Kush vjen me mua, shpesh do të ketë pak ushqim, varfëri, armiq t’egër po edhe dezertime.

17

Allons! Udha shtrihet përpara nesh!

Është e siguritë – e kam provuar – provuar me këmbët e mia.

Allons! Mos u zpraps!

Lere kartën pa shkruar mbi tryezë, librin pa hapur në raft!

Leri veglat të rrinë në punishtë! Lere rrogën pa marrë!

Lere shkollën ku është! Ç’ia vë veshin mësuesit!

Le të predikojë prifti prej amvonës! Lere avokatin të mbajë pretence dhe gjyqtari të shtjellojë ligjin,

Shok, po të jap dorën!

Po të jap dashurinë q’është më e shtrënjtë se floriri,

Po të jap veten time, në vend të predkut e të ligjit,

A ma jep ti veten tënde? A vjen të udhëtosh me mua?

A do të qëndrojmë bashkë tërë jetën?

Shkëputur nga: Uollt Uitman, “Fije Bari”. Kënga e udhës së madhe, fq. 124 – 138. Tiranë, 1997, Argeta – LMG. 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s