Arlind Qori: Teza mbi qytetarin dhe militantin

Italian-riot-police-take--006

Qytetari si figurë e një partikulariteti që kërkon përgjithësinë. Militanti si singularitet universal.

Qytetari kërkon emëruesin më të vogël të përbashkët për t’i bashkuar të gjithë. Prandaj kauza e tij është estetike: të pastrojmë një rrugë, të derdhim plehrat, të mos pështyjmë në rrugë, të respektojmë semaforin etj. Këto synime të pjesshme u thërrasin të gjithëve dhe presin nga të gjithë. Qytetari është shumës që shkon drejt njëshit. Ndryshojmë nga pak në mënyrë që në themel të mos ndryshojë asgjë.

Militanti vendos emërues të përbashkët të madh. Ky emërues është singular, i përveçëm, por duke prekur nervat e status quo-së politiko-shoqërore i thërret një problemi universal. Militanti e nis nga ndarja në dysh, dhe identifikimi me të përjashtuarit e posaçëm, qoftë edhe në një nga pikat nevralgjike të përjashtimit, e shtyn kah shumësia e formave të përjashtimit. Pra shkon nga dyshi në shumës. Që nesër të jemi të gjithë bashkë, në kushtet e reja, sot duhet të ndahemi në dysh.

Për qytetarin qyteti është territor. Për militantin terren.

Qyteti i parë ka kufij të pandryshueshëm. Ai duhet mirëmbajtur. Në rastin më të mirë “pastruar” prej barërave të këqija.

Qyteti i të dytit është terren i luftës së pozicioneve. Militanti nuk kërkon thjesht të fitojë terren në terrenin e të përbashkëtës në diskutim, por të transformojë vetë terrenin. Ai do t’i japë qytetit fytyrën e kauzës së tij.

Qytetari është lokalist. Militanti tejlokalist.

Për qytetarin, kufijtë e qytetit njihen dhe përkushtimi i tij nis e mbaron aty. Për militantin, qyteti është terren i lidhur me terrene të tjera, e me të tjera deri në nivel global. Ai i zhvendos vazhdimisht kufijtë e qytetit. Ai vepron lokalisht duke menduar globalisht.

Qytetari është i angazhuar part-time. Militanti është veprimtar i përhershëm dhe politik.

Qytetari nuk heq dorë nga veçantia e tij profesionale, ekonomike etj. Qytetaria është kohë e lirë, duke e ndarë veten më dysh. Paradite nëpunës. Pasdite qytetar.

Militanti e mbart dyshin brenda vetes. Ai është militant në punë dhe punëtor i kauzës së tij. Veprimtaria e tij është e përhershme. Për të problemi qëndron në kushtet dhe mënyrën e punës së gjithkujt, dhe të atij vetë. Ai nuk zbaton nga halli, për të qenë i lirë në kohë të lirë. Ai lufton zbatimin dhe rreket ta transformojë atë.

Qytetari vepron spontanisht, në daç vetëm, në daç me të tjerë. Nëse organizohet, organizata është gjithmonë e atypëratyshme dhe shuhet me përmbushjen e qëllimit. Militanti organizohet përherësisht. Ai ndërron organizatë, kur ajo tradhton, por është gjithmonë i organizuar, qoftë edhe dy-tre vetë.

Qytetari vepron në të tashmen urgjente. Militanti vepron me besnikëri ndaj të shkuarës dhe përkushtim ndaj të ardhmes.

Qytetari indinjohet dhe del menjëherë. Ndërhyrja e tij duket si shpëtimtari e një urgjence. Ai është ACT NOW.

Militanti ndërhyn i kushtëzuar nga historia, nga Ngjarjet të cilave u premton besnikëri dhe ushqejnë kauzat e tij. Ai vepron për hir të konsekuencave historike të ardhshme që prodhon besnikëria e tij e angazhuar ndaj Ngjarjes.

Kauza e qytetarit është konkretësi abstrakte. E militantit universalitet konkret.

Qytetari e sheh problemin kur ai duket, kur s’pret më, kur i prek të gjithë. Ai është konkret në kërkesat e tij, por bash për këtë arsye edhe abstrakt meqenëse nuk arrin ta integrojë problemin konkret në totalitetin kontradiktor shoqëror, prej të cilit paralaksisht problemi do të merrte tjetër kuptim.

Militanti e nis nga universaliteti, nga kuptimi i totalitetit kontradiktor, nga papajtueshmëria e kontradiktave, e kësisoj e rikupton dhe e prodhon konkreten. Konkretja e tij është kauza dhe trupat shoqërorë prekja e të cilëve trondit rehatinë klasore. (proletarët e Bulqizës)

Qytetari është reformator dhe pragmatist. Militanti është revolucionar dhe utopist.

Utopia nuk ka kuptimin e të pamundurës absolute, por të asaj që nuk duket e mundshme nga përdorimi i syzeve kuptimore të gjendjes së situatës. Ajo duket e tillë nga moskuptimi se syzet janë vetë pjesë e situatës dhe nuk mund të ketë syze të syzeve, veçse duke zënë atë pjesë shoqërore që bën zë me heshtjen e vet. Utopia si ndryshuese e koordinatave. Bëhuni realistë! Kërkoni të pamundurën!

Qytetari si mbiuni shoqëror. Militanti si shtysa e përhershme vetëkritike.

Ata që nuk e ndjekin qytetari i sheh qortueshëm, i përçmon, do t’i bëjë me turp, duke e vendosur veten te shpëtimtarët e pakuptuar. Qytetari është narcis.

Militanti është shtysa e përhershme vetëkritike. Përgjegjësinë e moskuptimit të masave ai e gjen tek vetja. Kjo e shtyn gjithnjë përpara drejt pozicioneve të reja, rishtrimeve të argumenteve.

Qytetari vepron. Militanti shpreh unitetin dialektik midis dijes dhe veprimit.

Qytetari nuk ka nevojë të dijë edhe më pasi beson se di tashmë. Ai di në konkretësinë e vet abstrakte se cili është problemi dhe cila është zgjidhja. I mjafton vetëm të zbresë në mejdan.

Militanti rreket ta ndryshojë botën duke e kuptuar atë dhe ta kuptojë duke e ndryshuar. Atij i duhet të studiojë vazhdimisht. Atij i duhet të transformojë totalitetin shoqëror dhe jo të kapet pas ndonjë simptome.

Qytetari mbetet individ edhe kur vepron në grup. Militanti është makinë edhe kur vepron vetëm.

Qytetari është individi që e pezullon përkohësisht individualitetin e tij, aq sa për ta justifikuar përjetësisht atë. – “Ja e kreva detyrën time ambientaliste në fundjavë. Tani mund të rehatohem në individualitetin tim të përditshëm, të vazhdoj të bëj sikur bota s’ka më probleme, dhe që edhe në pastë, unë s’kam ç’u bëj.”

Militanti është makinë, pjesë e një kombinati politik të pashtershëm. Ai është si i pushtuar nga “djajtë”, i përkushtuar ndaj kauzës. Ai është militant ngado, lexon si militant, argëtohet si militant, bën dashuri si militant. Për të nuk është angazhimi që vlen si riprodhues i përditshmërisë egoiste, por koha e lirë individualiste që i shërben si riprodhuese apo rigjeneruese militantizmi. Edhe në mbettë vetëm, ai imagjinon sikur s’është i tillë. I mjafton edhe shoqëria e të vdekurve të qëmotshëm. Ai është aty me Spartakun, Myncerin, Çe Gevarën.

Qytetari është agjent (veprues). Militanti është subjekt.

Qytetari vepron duke e menduar veten të lirë, duke e ndarë papajtueshëm lirinë nga domosdoshmëria. Për të liria është zgjedhje, bash si zgjedhje konsumatori në menynë e parapërgatitur.

Militanti është subjekt (kuptimi i parë i subjektit si diçka që është nën të, si farë substrati, si i nënshtruar ndaj diçkaje). Ai e sheh lirinë si liri për të ndërtuar një domosdoshmëri të re. Ai i përkushtohet kauzës, duke e ditur që prej atij momenti nuk e ka më lirinë për t’i bishtnuar dhe tradhtuar atë. Ai zgjedh lirisht ta kufizojë lirinë e tij në emër të një domosdoshmërie të re, që do të prodhojë një liri të re.

Qytetari ka optimizëm të intelektit dhe pesimizëm të vullnetit. Militanti ka pesimizëm të intelektit dhe optimizëm të vullnetit.

Qytetari mendon se të dish, të njohësh problemin, është e lehtë. Mjafton t’i referohesh hartës konjitive ideologjike. E prapëseprapë zhgënjehet kur nuk i bën dot masat për vete. Kjo e shtyn në pesimizëm të vullnetit. Mendon se s’ia vlen të angazhohet më shumë, masat nuk e kuptojnë, madje edhe po ta kuptonin, ato janë vulëhumbura.

Militanti mendon se nuk e di tamam, ama është i sigurt që përgjigjja ideologjike është e rreme në sipërfaqësinë e saj. Ai nuk e di se cila është e vërteta, por e di se cili është gabimi. Ai e di se e vërteta nuk zbulohet, por prodhohet duke kuptuar kushtet e prodhimit të saj. Ai kërkon, dhe çdo përgjigje të re e sheh me dyshim, për t’u kredhur sërish në kërkim. Ama vullneti për të rikërkuar për t’u rihedhur në veprim, qoftë edhe me dije të pjesshme, nuk i mungon kurrë.

Qytetari është skeptik me zot. Militanti është besimtar pa zot.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s