Aldous Huxely: Më e mira e botëve

drawing on paper by Laurie Lipton

 

***

…. De përse na duhet të kërkojmë një zëvendësues për dëshirat rinore, kur dëshirat rinore nuk dështojnë kurrë? Një zëvendësues argëtimesh, kur ne po i shijojmë gjithë budallallëqet e vjetra deri më një? Çfarë nevoje kemi për çlodje, kur mendjet dhe trupat tanë vazhdojnë të kënaqen me veprimtari? Ç’e duam ngushëllimin, kur kemi soma? Ç’na duhet një themel i patundshëm, kur kemi rregullin shoqëror?

– Atëherë, ti mendon se nuk ka Zot?

– Jo, mendoj se ka shumë mundësi të ketë një.

– Atëherë përse…

Mustafa Mondi e ndërpreu.

– Por ai shfaqet në rrugë të ndryshme njerëzve të ndryshëm. Në kohët paramoderne e shfaqi veten si qenia e përshkuar në këto libra. Tani…

– Si e shfaq ai veten sot? – e pyeti njeriu i egër.

– Epo, ai e shfaq veten si mungesë; si të mos ishte fare.

– Ky është faji juaj.

– Quaje faj të qytetrimit. Zoti nuk përshtatet me makineritë, mjekësinë shkencore dhe lumturinë universale. Duhet të bësh zgjedhjen tënde. Qytetërimi ynë ka zgjedhur makineritë, mjekësinë dhe lumturinë. Prandaj dhe më duhet t’i mbaj këto libra të mbyllur me çelës. Janë sëmundje. Njerëzit do të tronditeshin nëse…

Njeriu i egër e ndërpreu.

– Po a nuk është e natyrshme, të besosh se ka Zot?

– Ti mund fare mirë të pyesësg a është e natyrshme që t’i bësh pantallonat e shkurtra me zinxhir, – tha Kontrollori me sarkazëm. – Ti më kujton një tjetër prej atyre tipave të vjetër, të quajtur Bradlej. Ai e përcaktonte filozofinë si gjetjen e një arsyeje të gabuar për atë që njeriu beson nga instinkti. Sikur ka besuar njeri i shtyrë prej instinktit! Njeriu i beson gjërat see është i kushtëzuar t’i besojë. Të gjeturit e arsyjeve të gabuara – ja ç’është filozofia. Njerëzit e besojnë Zotin, sepse janë të kushtëzuar që t’a besojnë.

– Por, prapë se prapë, – këmbënguli njeriu i egër, – është e natyrshme të besosh në Zot kur je i vetmuar… krejt i vetmuar natën, kur mendon për vdekjen…

– Por njerëzit sot nuk janë kurrë të vetmuar, – tha Mustafa Mondi. – Ne i bëjmë që ata ta urrejnë vetminë; dhe i rregullojmë jetët e tyre asisoj që ta kenë gati të pamundur të jenë të vetëm.

test-tube-baby-660x350-1452251048

Njeriu i egër pohoi i zymtuar me kokë. Në Malpais, ai kishte vuajtur sepse e kishin përjashtuar nga aktivitetet e përbashketa të fshatit; në Londrën e qytetruar vuante se nuk shpëtonte dot prej aktiviteteve të përbashkëta; këtu nuk i binte kurrë të ishte i vetëm.

– A të kujtohet ajo copëza tëk Mbreti Lir? – tha njeriu i egër më në fund: – Zotat janë të drejtë dhe prej veseve tona ata bëjnë instrumentet për të na ndëshkuar; vendin e errët dhe të mbrapshtë ku ai shkoi me sy e pagoi, – dhe Edmond ii përgjigjet – (të kujtohet, ai është plagosur, po vdes) – Ti fole drejt, është e vërtet. Rrota u soll një qark plot; unë jam këtu. Po kësaj ç’i thua? A nuk të duket të ketë atje lart një Zot, që sajdis, ndëshkon, shpërblen?

– Epo a është? – e pyeti Kontrollori kur i erdhi radha të flaës.

– Sot ti mund t’i lejosh vetes gjithfarë vesesh me shterpët, pa hasur kurrë rrezikun që i biri i dashnores do të vijë të të nxjerrë sytë: “Rrota u soll qark plot; unë jam këtu”. Po ku do të ishte Edmondi në ditët e sotme? I ulur në një karrige pneumatike, me dorën pas belit të një vajze, duke i thither lëngun çamçakezit me hormone seksi, duke parë filma në kinemanë e ndjesive. Zotat janë të drejtë. Pa dyshim. Por kodi i ligjeve të tyre diktohet, në fund të fundit, nga njerëzit që organizojnë shoqërinë; Providenca zë fill tek njerëzit.

– Je i sigurt? – e pyeti njeriu i egër. – Je krejtësisht i sigurt se Edmondi në karrigen pneumatike nuk është i ndëshkuar po aq for sa edhe Edmondi i përgjakur i plagosur për vdekje? Zotat janë të drejtë. A nuk i kanë përdorur ata veset e kënaqësive të tij për ta degraduar atë?

– Degraduar prej cilit pozicion? Si qytetar i lumtur, punëtor i madh, konsumator i mirë. ai është i përkryer. Sigurisht, po të zgjedhësh ndonjë standard tjetër nga ky i yni, atëherë ndoshta mund të thuash që e degraduan. Por ti duhet t’i përmbahesh një takëmi postulatesh. Nuk mund të luash golf elektromagnetik sipas rregullave të lojës Qenushi Centrifugal.

– Por Vlera nuk qëndron tek vullneti i veçantë, – tha njeriu i egër. Ajo e ruan vlerën dhe dinjitetin po aq mirë, edhe nëse mbajtësi i tyre nuk është ai i vyer.

– Prit, prit, – kundërshtoi Mustafa Mondi, – se po shkon pak si larg, apo jo?

– Nëse ti i lejon vetes të mendosh për Zotin, ti nuk i lejon dot vetes të degradohesh nga veset e kënaqësisë. Sepse ke një arsye që t’i përballësh gjërat me durim, t’i bësh ato me kurajë. Unë këtë e kam parë tek indianët.

– Jam krejt i bindur për këtë, – pohoi Mustafa Mondi. – Por ne nuk jemi indianë. Nuk ka hiç nevojë që njeriu i qytetëruar të durojë gjëra të papëlqyeshme. Edhe sa për të bërë gjëra – Fordi na ndihmoftë nëse dikujt i shkon ndër mend të bëjë një gjë të tillë. Do të çrregullohej i gjithë rregulli shoqëror sikur të gjithë njerëzit të nisnin t’i ënin gjërat me kokë të tyre.

– Ç’më thua atëherë për vetëmohimin? Po të kishit Zot, do të kishit arsye për vetëmohim.

– Por, qytetërimi industrial është i mundur vetëm kur nuk ekziston vetëmohimi. Vetëkenaqësia po, deri në limitet e vendosura prej higjienës dhe ekonomisë. Përndryshe rrota e zhvillimit nuk ecën më.

– Do të kishit një arsye për dëlirësinë? – tha njeriu i egër duke u skuqur lehtë në faqe kur nxori fjalët nga goja.

– Po dëlirësia do të thotë pasion, dëlirësia do të thotë nevrasteni. Dhe pasioni dhe nevrastenia do të thonë destabilizim. Dhe destabilizim do të thotë fundi i qytetërimit. Nuk ka si të mbash jetëgjatë një qytetrim pa i pasur me shumicë veset e kënaqësisë.

– Po Zoti është arsyeja për gjithë gjërat fisnike, të mira dhe hoerike. Po të kishit një Zot…

– Miki  dashur e i ri, – tha Mustafa Mondi, – qytetërimi nuk ka absolutisht nevojë për fisnikëri apo heroizëm. Këto gjëra janë simptoma të ineficiencës politike. Në një shoqëri të organizuar mirë, si kjo e jona, askujt s’i jepet rasti të jetë fisnik dhe heroik. Kushtet duhet të jenë tërësisht të paqëndrushme, që t’u jepet rasti. Kur ka luftër, kur ka besnikëri që ndahet me të tjerë, kur ka tundime të cilave duhet t’u bësh ballë, objekte të dashurisë sonë, për të cilat duhet luftuar a që duhen mbrojtur – atëherë, natyrisht, ka njëfarë kuptimi fisnikëria dhe heroizmi. Mirëpo sot nuk ka më luftëra. Tregohet përkujdesja maksimale për të parandaluar të dashurosh njeri me tepri. Të ndash besnikërinë me të tjerë, është një gjë që nuk ekziston; njeriu është aq i kushtëzuar, sa nuk bën dot ndryshe nga ajo që i kanë mësuar. Dhe ajo që ti duhet të bësh është kaq e kënaqshme, ka aq shumë impulse të natyrshme që janë lënë të lira të lëvrijnë, sa nuk ka ndonjë tundim ndaj të cilit duhet të rezistosh. Por edhe nëse, ndonjëherë, prej fatit të keq, të të ndodhë ndonjë gjë e papëlqyeshme, ja përse kemi soma, e cila të çon me pushime larg fakteve. Dhe ka gjithmonë soma për të qetësuar zemërimin, për t’u pajtuar me armiqtë, për t;u bërë i durueshëm dhe kockëfortë. Në të shkuarën mund t’i arrije këto vetëm mes përpjekjesh të medha dhe pas disa vitesh të rënda të formimit të parimeve morale. Sot kapërdin dy a tri tableta soma gjysmëgramëshe dhe ja ku mbaroi. Çdokush sot mund të bëhet i virtytshëm. Mund të mbash me vete gjysmën e parimeve morale brenda një shisheje të vogël. Krishtërim pa lot – ja kjo është soma.

Brave-New-World-2

– Por lotët janë të domosdoshëm. Nuk të kujtohet si e thotë Othello? “Nëse pas çdo stuhie vjen kështu qetësia, era le të shfryjë deri sa vdekjen të zgjojë”. Është një histori, të cilën na e kanë pasë treguar indianët pleq, për një vajzë nga Mátaski. Djaloshi që donte të martohej me të, duhej të prashiste në mëngjes kopshtin e saj. Dukej lehtë; por kishte miza e mushkonja, nga ato magjiket. Shumica e djemve të rinj nuk i duronin dot pickimet dhe kruarjen. Porai që duronte, fitonte vajzën.

– E mrekullueshme! Por në vendet e qytetëruara, – tha Kontrolori, – mund t’i marrësh vajzat edhe pa prashitje; dhe nuk ka as miza, as mushkonja që të pickojnë. I kemi hequr qafe shekuj më parë.

Njeriu i egër pohoi me kokë, vetullngrysur.

– I hoqët qafe. Po, tipike e juaja. Hiqni qafe çdo gjë të pakëndshme, në vend që të mësoni të përballeni me to. Është më fisnike të vuash goditjet dhe shigjetat e fatit mizor, apo t’i ngresh krahët detit të andrallave e t’u dalësh kundër… Por ju nuk e bëni as njërën, as tjetrën. As vuani, as ngriheni kundër. Ju i zhdukni hobétë dhe shigjetat edhe goditjet. Është shumë kollaj ashtu.

Ai papritur heshti, duke menduar për vdekjen e nënës. Në dhomën e saj në katin e tridhjetë e shtatë, Linda kish pluskuar në detin e këngës së dritave dhe parfumeve pëkëdhelëse; kishte pluskuar atje përtej hapësirës, jashtë kohës, jasht burgut të kujtimeve, zakoneve të veta, jashtë trupit të saj të mbufatur e të plakur. Dhe Tomakini, ish-drejtori i Rezervatit të Rritjes dhe Kushtëzimit të embrioneve ishte ende me pushime – pushime prej turpit dhe prej dhimbjes, në një botë ku nuk do t’i dëgjojë këto fjalë, atë qeshjen tallëse, nuk mund ta shihte atë fytyrën e shëmtuar, të ndiente ato krahët e lagësht e të lëshuar përreth qafës, ai ishte në një botë të bukur…

– Ajo për të cilën keni nevojë, – vijoi të flasë njëriu i egër, – është të qani me lot, sa për të ndërruar një herë. Asgjë këtu nuk kushton aq sa ç’duhet të kushtojë.

(“Dymbëdhjetë milionë e gjysmë dollarë,” – i ishte kundërvënë Henri Foster kur i egri i kish thënë të njëjtat fjalë. – Dymbëdhjetë milionë e gjysmë dollarë – kaq ka kushtuar Qendra e Kushtëzimit – Asnjë cent më pak.”)

– Të tregosh atë që është e vdekshme dhe e pasigurt përballë fatit, vdekjes dhe rrezikut që guxon ta marrë mbi vete, qoftë edhe një lëvozhgë veze. A nuk ka këtu diçka? – e pyeti ai, duke parë në sy Mustafa Mondin – Krejt veçan Zotit – paçka se patjetër Zoti është arsyeja që ajo ekziston. A nuk ka diçka edhe në të jetuarit rrezikshëm?

– Po, ka edhe shumë, – ia ktheu Kontrollori, – burrave dhe grave u duhet t’u stimulojmë mbiveshkoret herë pas here.

– Çfarë? – pyeti njeriu i egër me moskuptim.

– Është një prej kushteve për shëndet të përkryer. Prandaj dhe e kemi trajtimin S.P.DH  – të detyrueshëm.

– S.P.DH-në?

– Surrogatin për pasionet e dhunshme. Rregullisht, një herë çdo muaj. Ia përmbytim gjithë sistemin me adreninë. Është ekuivalenti i plotë fiziologjik i frikës dhe zemërimit. Të gjitha efektet gjallëruese e të vrarit të Desdemonës e të qenit i vrarë prej Otellor, vetëm pa pjesën e dëmit.

– Por mua më pëlqen pjesa e dëmit.

– Neve jo, – tha kontrollori. – Ne na pëlqen që t’i bëjmë gjërat me rehati.

– Por unë nuk dua rehatinë. Unë dua Zotin, dua poezinë, dua rrezikun e vërtetë, dua lirinë, dua mirësinë. Dua mëkatin.

– Në fakt, – tha Mustafa Mondi, – ti po pretendon të drejtën për të qenë i mërzitur.

– Pa përmendur këtu të drejtën për t’u plakur, për t’u shëmtuar dhe për t’u bërë impotent; të drejtën për të marrë sifilizin dhe për të vuajtur prej kancerit; të drejtën për të pasur shumë pak për të ngrënë; të drejtën të jesh mizerje; të drejtën për të jetuar me frikën e përhershme për çfarë do të ndodhë nesër; të drejtën të marrësh tifon; të drejtën për t’u torturuar nga dhimbje të të gjitha llojeve.

Ra heshtje e gjatë.

– I pretendoj të gjitha, – tha më në fund njeriu i egër.

Mustafa Mondi ngriti supet.

– Po mirë se vjen. – tha ai.

 

 

Shkëputur nga: Aldous Huxely, “Më e mira e botëve”. Fq. 192-197, “Pika pa sipërfaqe”, 2012, Tiranë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s