Slavoj Žižek: Një botë në protestë


Në një prej shkrimeve të tij të para Karl Marksi thoshte se situata në Gjermani ishte e tillë, saqë problemet e saja të veçanta mund të zgjidheshin vetëm me anë të një zgjidhjeje universale: një revolucion global. Ky, në thelb, është dallimi mes një periudhe reformiste dhe një periudhe revolucionare: në një periudhë reformiste, revolucioni global mbetet një ëndërr që në rastin më të mirë na mbështet në përpjekjen për të sjellë ndryshime në nivel lokal, ndërkohë që situata revolucionare krijohet atëherë kur duket e qartë se disa probleme të caktuara mund të zgjidhen vetëm me një ndryshim radikal dhe global. Në këtë kuptim të pastër formal, 1990 ishte një vit revolucionar: tashmë ishte e qartë se reformat e pjesshme që kishin nisur në shtetet komuniste nuk do të ishin të mjaftueshme, që për të zgjidhur probleme edhe të pjesshme (si mungesa e rezervave ushqimore) ishte e domosdoshme një shkëputje totale nga e kaluara.

Në çfarë situate ndodhemi sot? Problemet dhe protestat e viteve të fundit janë shenjë e një krize globale që po afrohet gradualisht, por pa ndalim, apo janë pengesa të vogla që mund të eleminohen, në mos zgjidhen, me ndërhyrje specifike? Gjëja më e dukshme është që protestat po shpërthejnë jo vetëm, dhe as kryesisht, në pikat më të dobëta të sistemit, por në vende që deri tani konsideroheshin në një situatë për t’u pasur zili. Që ka probleme në ferr, kjo është e kuptueshme: e dimë mirë përse protestojnë grekët dhe spanjollët. Por në parajsë, në vende të pasura apo në zhvillim të shpejtë si Turqia, Suedia dhe Brazili, përse protestojnë?

Në retrospektivë, vetëdijësohemi që trazira e parë “në parajsë” ka qenë revolucioni i Khomeinit në Iran, një vend zyrtarisht i pasur dhe në rrugën e modernizimit, si dhe aleati kryesor i perëndimit në rajon. Atëherë, ndoshta ka diçka që nuk shkon në idenë që ne kemi për parajsën.

Përpara valës aktuale të protestave, Turqia ecte me vela të ngritura, ishte një model i ekonomisë liberale të kombinuar me një islamizëm të moderuar dhe fytyrë njerëzore. Ishte e gatshme të hynte në Evropë, në kontrast me Greqinë “më evropiane”, e mbërthyer në moçalin ideologjik dhe e destinuar për vetëshkatërrim ekonomik. Kishte disa sinjale shqetësues aty-këtu (mohimi i gjenocidit armen, arrestimi i qindra gazetarëve, çështja e pazgjidhur e kurdëve, thirrja për ndërtimin e një Turqie të madhe që do të kish sjellë në jetë perandorinë e lavdishme osmane, miratimi i herëpashershëm i ligjeve me motivime fetarë), por konsideroheshin defekte të vockla që nuk mund të prishnin imazhin tërësor të vendit.

Por ndodhi e paparashikueshmja: shpërthyen protestat në sheshin “Taksim”. Të gjithë e dimë që transformimi i parkut pranë sheshit në nëj qendër të madhe tregtare nuk ka qenë asnjëherë “motivi i vërtetë” i manifestimeve, që në thellësi fshihej një shqetësim shumë më i madh. I njëjti diskutim vlen për protestat në Brazil në mesin e qershorit: i shkaktoi një argument qesharak i rritjes se i njëjti diskutim vlen për protestat në Brazil i shkaktori një argument qesharak i rritjes së çmimit të transportit publik, por ato vazhduan gjithësesi edhe pasi rritja e çmimit u zhbë. Edhe në këtë rast, pakënaqësia shpërtheu në një vend që, të paktën sipas mjeteve të informimit, ishte në një bum të plotë ekonomik dhe kishte shumë besim tek e ardhmja. Dhe e gjitha bëhet më pak e kuptueshme po të mendosh që protestat mbështeteshin edhe nga vetë presidentja, Dilma Rousseff. Atëherë, cili është objektivi i vërtetë i këtyre protestave kundër korrupsionit dhe mangësive në transportin publik?

Është e rëndësishme të theksohet se protestat në Turqi nuk kanë qenë thjeshtë një protestë e shoqërisë civile laike kundër qeverisë islamiste autoritare, e mbështetur nga shumica e heshtur myslimane: kuadrin e kompleton një frymë antikapitaliste (kundër privatizimit të një hapësire publike). Dhe pikërisht kjo e bën rastin e Turqisë kaq interesant dhe me pasoja më të gjera: manifestuesit nuhatën se tregu i lirë dhe fondamentalizmi fetar nuk janë më të papajtueshëm mes tyre, që mund të ecin krah për krah. Eshtë një shenjë e qartë e faktit që martesa “e përjetshme” mes demokracisë dhe kapitalizmit është në rrugën e divorcit.

Në këso raste duhet të shmangësh kërkimin e një objektivi “të vetëm” e unik të protestave, diçka ku mund të reduktosh pakënaqësinë e përgjithshme (kundër kapitalizmit global, kundër fondamentalizmit fetar, për të drejtat civile dhe demokracinë). Ajo që ndien shumica e manifestuesve është një ndjenjë e paqartë shqetësimi dhe pakënaqësie që bashkon një seri pretendimesh të veçanta. Edhe një herë rikonfirmohet vlefshmëria e një thënieje të Hegelit: “Misteret e egjiptianëve ishin mistere edhe për egjiptianët”. Vështirësia në interpretimin e protestave nuk është vetëm e llojit epistemologjik. Përpjekja e gazetarëve dhe analistëve për të kuptuar motivin e vërtetë në zanafillë të tyre është edhe e llojit ontologjik, ka të bëjë me protestat në vetvete. Edhe ata që manifestojnë nuk e dinë mirë cili është objektivi i tyre i vërtetë; po protestojnë kundër administratës së korruptuar të qytetit? Kundër një qeverie islamiste autoritare? Kundër privatizimit të hapësirave publike? Përgjigja është e hapur, do të varet nga rrjedha e ngjarjeve.

Disa aspekte

I njëjti diskutim vlen për dimensionin gjeografik të protestave. Në 2011, kur protestat nisën në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, shumë komentatorë këmbëngulnin të thonin që nuk duheshin parë si shprehje e vetë lëvizjes globale, që secila lindte nga një situatë specifike. Në Egjipt, manifestuesit kërkonin gjëra që lëvizja Oçupy i vinte në diskutim: liri dhe demokraci. Madje edhe në kuadrin e vendeve myslimane kishte dallime shumë të rëndësishme: pranvera arabe egjiptiane ishte e drejtuar kundër një regjimi autoritar filo-perëndimor të korruptuar, revolucioni i gjelbër iranian kundër islamizmit autoritar. Siç është e lehtë ta kuptosh, kjo veçanti e protestave bën lojën e mbrojtësve të status quo-së: nuk ka një rrezik ndaj rendit global në vetvete, por vetëm një seri problemesh lokale.

Por, në këtë pikë ndoshta do të duhej të rimerrnim konceptin e vjetër marksist të totalitetit, dhe më specifikisht totalitetin e kapitalizmit global. Kapitalizmi global është një fenomen kompleks që ndikon në mënyrë të ndryshme tek vende të ndryshme, por ajo që bashkon këto protesta është që janë të gjitha reagime ndaj aspekteve të ndryshme të globalizimit kapitalist. Tendenca e përgjithëshme e kapitalizmit global të sotëm është drejt një zgjerimi të mëtejshëm të perandorisë së tregut, kombinuar me mbylljen progresive të hapësirave publike, reduktimin e shërbimeve (shëndetësi, arsim, kulturë) dhe një menaxhim gjithnjë e më autoritar të pushtetit politik. Në këtë kontekst duhen parë protestat e grekëve kundër superpushtetit të financës ndërkombëtare dhe kundër shtetit të korruptuar e klientelist, joeficient, dhe gjithnjë e më pak në gjendje të garantojë shërbimet themelore sociale.

Në këtë kontekst duhen parë protestat e turqve kundër komercializimit të hapësirave publike dhe autoritarizmit fetar; të egjiptianëve kundër një regjimi despotik e të korruptuar të mbështetur prej fuqive të mëdha perëndimore; të iranianëve kundër një fondamentalizmi fetar të korruptuar e joeficient, e kështu me radhë. Ajo që i bashkon të gjithë këto protesta është që asnjëra nuk mund të reduktohet në një temë të vetme, të gjitha përmbledhin të paktën dy: njërën të karakterit ekonomik (që nga refuzimi i korrupcionit dhe joeficiencës, tek një antikapitalizëm i vërtetë) dhe tjetrën të karakterit politiko-ideologjik (nga kërkesa për demokraci, tek ajo e të shkuarit përtej demokracisë shumëpartiake tradicionale).

E njëjta gjë vlen për Occupy Wall Street. Prapa shprehjeve nga më të ndryshmet, shpesh herë konfuze, lëvizja i jepte zë dy rrethanave themelore: pakënaqësia ndaj kapitalizmit si sistem (sistemi në vetvete, jo episodet e veçantë të korrupsionit), si dhe vetëdijësimi që forma aktuale e demokracisë përfaqësuese nuk është e mjaftueshme për të luftuar teprimet e kapitalizmit, kështu që demokracia duhet ribërë.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që, duke qenë se motivi në bazë të protestave është kapitalizmi global, atëherë ai duhet të hidhet tutje. Rruga më pragmatiste për përballimin e problemeve të veçantë dhe shtyrjen e transformimit radikal është një alternativë false, sepse nuk mban parasysh faktin që kapitalizmi global është për nga natyra inkoherent: në SHBA, tregu i lirë bashkëekziston me subvencionet e qeverisë për fermerët, me eksportin e demokracisë që gjen shprehje në mbështetjen e regjimit saudit. Pikërisht kjo inkoherencë lë hapësirë për ndërhyrje politike: duke qenë se inkoherenca është e nevojshme, që sistemi kapitalist global duhet të shkelë vetë rregullat e tij (tregu i lirë, konkurrenca, demokracia), këmbëngulja për koherencë, domethënë për parimet e vetë sistemit, në momente strategjikë kur sistemi nuk mundet që të respektojë vetë parimet e tij, do të thotë të bësh presion mbi të gjithë sistemin. Arti i politikës konsiston në bërjen e kërkesave të veçanta që, ndonëse janë tërësisht “realiste”, përbëjnë një sulm në zemër të ideologjisë hegjemoniste dhe nënkuptojnë një ndryshim më radikal. Këto kërkesa, edhe pse të arsyeshme dhe legjitime, janë në fakt të pamundura. Projekti i Obamës për të shtrirë për të gjithë asistencën shëndetësore ishte një rast i ngjashëm, për këtë arsye shkaktoi reagime kaq të dhunshme.

Një lëvizje politike nis nga një ide pozitive, por gjatë veprimit ajo ide pëson një transformim të thellë – jo vetëm një përshtatje strategjike, por një ripërcaktim themelor – sepse vetë ideja bëhet e burgosura e procesit – e shtypur prej vetë realizimit të saj. Supozojmë se shpërthen një protestë e motivuar nga një kërkesë për drejtësi: sapo nis procesi, personat nisin të vetëdijësohen që për të patur drejtësi reale duhet shumë më tepër se sa ajo pak gjë që kishin kërkuar në fillim (për shembull, shfuqizimi i një serie ligjesh). Problemi është se çfarë është kjo “shumë më tepër”. Ideja liberal-pragmatiste është që problemet mund të zgjidhen gradualisht, njëri pas tjetrit. “Në Ruandë po vdesin njerëz, kështu që të lëmë mënjanë luftën anti-imperialiste dhe të përpiqemi të ndalim masakrat”, ose: “Duhet të luftojmë varfërinë dhe racizmin tani, dhe jo të presim shembjen e rendit kapitalist botëror’. Në këtë linjë, filozofi amerikan John Caputo ka shkruar në librin e tij “After the death of God”: “Do të isha shumë i lumtur nëse në amerikë, politikanët e të majtës ekstreme do të ishin në gjendje të reformonin sistemin në mënyrë që t’u garantonin të gjithëve asistencë shëndetësore, të shpërndanin në mënyrë më të barabartë pasurinë edhe falë rishikimit të sistemit fiskal, të kufizonin financimet për fushatat elektorale, të siguronin të njëjtat të drejta për të gjithë zgjedhësit dhe një trajtim më njerëzor të imigrantëve, të realizonin një politikë të jashtme multilaterale që i bën SHBA më të integruara në komunitetin ndërkombëtar, e kështu me radhë, domethënë duke ndërhyrë në kapitalizmin me reforma serioze. Nëse, pasi të ketë bërë gjithë këtë, Badiou dhe Žižek do të vazhdonin të ankoheshin se një monstër që quhet Kapital po vërtitet ende rreth nesh, do të isha i kënaqur ta prisja atë monstër me një gogësimë”.

Problemi këtu nuk është konkluzioni i Caputos: nëse është e mundur të realizohet gjithë kjo në brendësi të sistemit, përse të mos lihet në jetë? Problemi është premisa që është e mundur të realizohet gjithë kjo brenda koordinatave të kapitalizmit global aktual. Po nëse problemet që rendit Caputo nuk janë elementë rastësor turbullimi, por elementë të domosdoshëm nga pikëpamja strukturore? Nëse ëndrra e Caputos të jetë ajo e nëj rendi kapitalist universal pa efektet e tij anësorë, pa pikat kritike në të cilat shprehet “thelbi” i tij i vërtetë?

Strategjia e vërtetë politike

Revoltat e sotme lindin nga mbivendosja e niveleve të ndryshëm të sëmundjeve, dhe forca e tyre qëndron pikërisht në këtë kombinim: manifestuesit luftojnë kundër regjimeve autoritare për të pasur një demokraci “normale”, parlamentare; kundër racizmit dhe seksizmit, sidomos ndaj imigrantëve dhe refugjatëve; për shtetin social të kundërvënë neoliberizmit; kundër korruptimit të politikës dhe ekonomisë (kompanitë që ndotin mjedisin); për forma të reja demokracie që shkojnë përtej ritualit të multipartitizmit. Por edhe vënë në diskutim sistemin kapitalist global për të mbajtur të gjallë idenë se një shoqëri jo kapitaliste është e mundur. Këtu duhen shmangur dy kurthe: si atë të radikalizmit fals (“Ajo që ka vërtetë rëndësi është eleminimi i kapitalizmit liberal-parlamentar, të gjithë betejat e tjera janë dytësore”), si atë të gradualitetit fals (“Tani luftojmë kundër diktaturës ushtarake dhe për demokraci, dhe për momentin lëmë mënjanë ëndrrën socialiste”). Nuk duhet të turpërohemi dhe të mos kujtojmë dallimin maoist mes antagonizmave parësorë dhe dytësorë, mes asaj që ka më shumë rëndësi në fund dhe atij që është problemi sot. Për shembull, ekzistojnë situata konkrete ku të këmbëngulësh në antagonizmin parësor do të thotë të lësh të të shpëtojë një shans dhe të dëmtosh luftën më të rëndësishme. Vetëm politika që mban tërësisht parasysh kompleksitetin e elementëve meriton emrin strategji. Kur duhet të përballemi me një betejë të caktuar, problemi kryesor është: fakti që angazhohemi në këtë luftë, a do të ndikojë tek të tjerat? Rregulli i përgjithshëm është që, kur nis një revoltë kundër një regjimi shtypës dhe vetëm pjesërisht demokratik, si në rastin e vendeve të Lindjes së Mesme në 2011, është e lehtë të grumbullosh masa të mëdha me slogane pompozë si: “luftojmë për demokraci, kundër korrupsionit”. Por më tej mbërrin në pika ku duhet të bësh zgjedhje më të vështira.

Solidaritet global

Kur revolta arrin objektivin e vet të menjëhershëm, kuptojmë që ajo që na shqetësonte realisht (mungesa e lirisë, poshtërimi, korrupsioni, mungesa e perspektivës për një jetë të mirë) është ende aty në një tjetër formë, kështu që duhet të pranojmë se objektivi ynë ishte i gabuar. Mund të vetëdijësohemi që demokracia mund të jetë edhe një formë e mungesës së lirisë, ose që duhet të kërkojmë diçka më shumë se sa thjeshtë demokracia politike, që duhet të demokratizohen edhe jeta ekonomike e sociale. Shkurt, duhet të pranojmë që, ajo që në fillim e konsideronim realizimin e paplotë të një parimi fisnik (liri demokratike) është një defekt i vetë parimit. Të kuptuarit që dështimi mund të jetë i ndërthurur me parimin për të cilin luftojmë është një hap i madh drejt maturimit politik.

Ideologjia dominuese mobilizon të gjithë arsenalin e saj për të na penguar që të arrijmë në këtë konkluzion radikal. Na thonë se liria demokratike sjell përgjegjësi, që ka një çmim, që nëse presim shumë demokraci, nuk jemi ende të pjekur. Në këtë mënyrë, na akuzojnë ne për dështimin tonë: në një shoqëri të lirë, na thonë, jemi të gjithë kapitalistë që investojmë në jetën tonë. Nëse nuk bëjmë sakrificat e nevojshme dhe nuk arrijmë atë që duam, duhet të fajësojmë vetëm vetveten. Në politikën e jashtme, SHBA kanë elaboruar një strategji frenimi të dëmeve duke rikanalizuar protestën popullore brenda kufijve parlamentarë dhe kapitalistë të pranueshëm: në Afrikën e Jugut pas fundit të Apartejdit, në Filipine pas rënies së Markosit, në Indonezi pas asaj të Suhartos etj. Këtu nis politika e vërtetë: si të shkosh përpara pas fazës së parë të entuziasmit, cili është hapi tjetër që duhet të bësh për të mos u joshur prej tundimit “totalitar”, si të shkosh përtej Mandelës pa u bërë Mugabe.

Çfarë do të thotë konkretisht e gjithë kjo? Rikthehemi tek protestat në dy vende fqinjë mes tyre, Greqia dhe Turqia. Në pamje të parë duken tërësisht të ndryshme: Greqia është e mbërthyer në politikën shkatërrimtare të kursimit, ndërkohë që Turqia përjeton një periudhë bumi ekonomik dhe po del si superfuqi rajonale. Po sikur çdo Turqi të gjeneronte dhe përmbante Greqinë e saj, domethënë ishujt e saj të varfërisë? Në një prej Elegjive të Hollywood, Brehti shkruan:

Fshati i Hollywood është ideuar sipas imazhit që kemi në këto anë për qiellin. Në këto anë është përllogaritur që Zoti, duke pasur nevojë për qiellin dhe për ferrin, nuk kish nevojë të ideonte dy vendqëndrime, por një të vetëm, qiellin. Ky për atë që nuk ka asgjë, për atë që nuk ka sukses shërben si ferr.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për fshatin global sot, apo për disa vende si Katari apo Dubai, ku të pasurit jetojnë në luks dhe imigrantët që punojnë trajtohen pothuajse si skllevër? Kështu që nuk mund të habitemi nëse në një vështrim më të kujdesshëm dallohet ngjashmëria mes Turqisë dhe Greqisë: privatizimi, mbyllja e hapësirave publike, çmontimi i shërbimeve sociale, politika autoritare. Në këtë nivel elementar, manifestuesit turq dhe grekë janë të angazhuar në të njëjtën luftë. Risia e vërtetë do të ishte koordinimi i dy luftërave, refuzimi i tundimeve “patriotike”, harrimi që Greqia dhe Turqia janë armiq historikë, dhe organizimi i manifestimeve të përbashkët të solidaritetit. Ndoshta e ardhmja e protestave aktuale varet pikërisht nga aftësia për të organizuar këtë solidaritet global.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s