Valton Marku: Kisha e Arkanit

14355806_10210659266579503_7618689209863442720_n

Fillimi i luftës në Kosovë ndaloi përfundimin e një objekti në hapësirën e Universitetit të Prishtinës. Për dallim prej godinave universitare që kërcënoheshin me djegie e shkatërrim, ky nuk ishte i tillë. Nuk ishte as paramendim i idesë së universitetit e lerë më në shërbim të studentëve. Më 1992, në qendër të kampusit të Universitetit u vu gurthemeli i një objekti të ashtuquajtur “Kisha e Krishtit Shpëtimtar”. Objekti u paramendua si kishë ortodokse dhe gardian kishte kriminelin Željko Ražnatović – Arkan. Nëse i referohemi si kishë, atëherë ky objekt duhet të quhet Kisha e Arkanit. Hapësira e Universitetit të Prishtinës gëzon autonomi dhe duhet të shfrytëzohet nga studentët e profesorët. Mbetjet e fashizmit aty nuk kanë vend.

“Sot u përmbushën dëshirat, mendimet, ndjenjat dhe kujtesa e popullit tonë që prej betejës së Kosovës e deri më sot. Qyshkur në këtë qytet është rrënuar tempulli i Krishtit Shpëtimtar, ky popull ka pritur me durim 600 vjet për ndërtimin e kësaj kishe këtu në Prishtinë, në tokën e shenjtë të Kosovës dhe Metohisë, në zemrën e Serbisë, në kryeqendrën mbretërore serbe ”.

Këto  fjalë dolën nga goja e Mitropolitit të Prizrenit Amfilohije gjatë vënies së gurthemelit të objektit në qendër të kampusit të Universitetit të Prishtinës. Përballë tij qëndronte Arkani, komandant i njësitit paramilitar të quajtur “Tigrat”, të cilët në rastin më të mirë të rrihnin aq shumë sa të zhbëhej ngjyra e lëkurës. Arkani doli të ishte financuesi i këtij objekti. Dëshirat shoviniste kishin filluar të materializoheshin më herët dhe Kisha e Arkanit nuk ishte aksident. Mendimet shoviniste mbështeteshin në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të  Serbisë. Ndjenjat nacionaliste promovoheshin nga kleri ortodoks, siç ishte rasti i Amfilohijes. Kujtesa historike nuk kishte lidhje me historinë.

Ideja e Kishës së Arkanit u dha gjatë një mbledhjeje të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe në fillimin e vitit 1990. Muaj më vonë edhe Komuna e Prishtinës dha leje për t’u ndërtuar ky objekt. Kosova funksiononte nën masa të dhunshme. Shumë njerëz ishin dëbuar nga puna, ndërsa shumë të tjerë mbaheshin dhunshëm. Në një hapësirë autonome – pa pëlqimin e organeve të Universitetit – më 1992 do të fillonin punimet. Arkitekt i Kishës së Arkanit ishte Spasoje Krunić-i, atëbotë anëtar i partisë së Vuk  Drašković-it (Srpski Pokret Obnove – SPO), parti kjo që gjatë kohës së luftës ishte në koalicion me partinë e Slobodan Milošević-it (Socijalistička Partija Srbije – SPS). Sinkron me Kishën e Arkanit zbatoheshin politikat viktimuzuese të regjimit serb. Ndaheshin edhe subvencione për rritjen e lindjeve.

Ejup Statovci, atë kohë rektor dhe njëri prej udhëheqësve të protestave studentore të vitit 1997,vazhdimisht e kishte kontestuar këtë objekt. Kontestimi i doli shterp meqë mohohej autoriteti i tij nga regjimi i asaj kohe. Organizata e quajtur “Unioni i Pavarur Studentor” – trashëgimtare e frymës antifashiste – më 2003 kishte kërkuar heqjen e Kishës së Arkanit. Në po të njëjtin vit Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në kuadër të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes (IPVQ) i kishte kërkuar Komunës së Prishtinës heqjen e rrethojës së Kishës së Arkanit, rrjedhimisht heqjen e tërësishme të këtij objekti. Kuvendi Komunal i Prishtinës i ishte përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese duke nxjerrë një rezolutë për këtë çështje. Ndërsa më vonë Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK e kishte pezulluar këtë rezolutë.

bitef

Ka një vazhdimësi historike në kundërshtimin e këtij objekti. Jo për faktin se u tentua të ndërtohet thjesht një objekt fetar ortodoks, por për shkak se ideja e objektit është thelbësisht fashiste. Muajin që shkoi disa klerikë ortodoksë së bashku me zv.kryeministrin e Kosovës nga Lista Serbe – Branimir Stojanović-in tentuan heshturazi që ta bënin gati për shugurim këtë objekt. U bë zhurmë jo për asgjë. Një grup studentësh protestuan simbolikisht duke bërë thirrje për të lexuar në atë hapësirë. Ajo është e tyre! Edhe sipas zakoneve ortodokse del që ky objekt nuk është kishë. Atij i mungon rituali i shugurimit. Një kishë ortodokse për t’u njohur si e tillë duhet t’i nënshtrohet tri riteve: shërbesës së vënies së gurthemelit, ceremonisë së hapjes së dyerve dhe ceremonisë së shugurimit/shenjtërimit ku objekti shënjohet në disa pika të tij me shenjën e kryqit ose të simbolit të quajtur “Kristograma – ☧”.

Edhe serbët kanë një përvojë pothuajse të njëjtë si ajo e Kishës së Arkanit. Nën pushtimin nazist më 1940 kishte filluar ndërtimi i Kishës Evangjeliste në pjesën që sot njihet si Beogradi i Vjetër. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore objekti u shtetëzua dhe u shfrytëzua për nevojat e kohës. Një pjesë edhe si teatër. Ndërsa sot ky objekt njihet si teatri “Bitef”.

Kisha Ortodokse sot është pronare e katër hektarëve në hapësirën e Universitetit të Prishtinës. Ky objekt duhet të rishtetëzohet dhe ajo hapësirë duhet të përdoret për nevojat e studentëve. Është dytësore nëse duhet të rrënohet apo jo. Funksionalizimi i tij do të ishte fitore e politikave fashiste si dhe do cenonte autonominë e Universitetit. Përtej nacionalizmave, kjo hapësirë është e banorëve të Universitetit, është e studentëve. Ata e kanë të drejtën e ritualit aty.

Ky shkrim u botua në numrin e njëzetë të gazetës “Universitari” të Tiranës që botohet nga Lëvizja për Universitetin.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s