Julio Cortázar: Aq shumë e donim Glendën

glenda_jackson

Vështirë ta kuptoje në atë kohë. Mund të veje në kinema e në teatër, ta kaloje mbrëmjen pa të shkuar mendja fare tek ata që kryenin po atë ceremonial që kryeje dhe ti, në po atë orë e po atë vend, visheshin, vinin e uleshin në lozhë apo në platè, sipas dëshirës për hije apo muzikë, mes asaj bote të askujt e të gjithkujt, ku gjithkush është askush, grua a burrë qoftë, mbase edhe një fjalë ndjesëlypjeje për ardhjen me vonesë, një komentim me të pëshpëritur që tjetri e dëgjonte ose jo, heshtje thuajse gjithmonë, vështrimet e shkulura nga fqinji pranë e të ngulura në skenë apo në ekran, e kështu me radhë. Vështirë ta kuptoje, vërtet, se qemë gjithë ata (hiq mënjanë reklamat, radhët pa mbarim para biletarive, afishet e kritikat), qemë gjithë ata që e donim Glendën.

Continue reading

Advertisements

Jorge Luis Borges: Rrënojat qarkore

borges1

 

Askush nuk e pa të zbarkonte në natën e njëtrajtshme, askush nuk e pa kanoen prej bambuje të zhytej në baltovinën e shenjtë, por pak ditë më vonë të gjithë e dinin se njeriu i heshtur vinte prej Jugut dhe se atdheu i tij ishte një prej fshatrave të pafundme që gjenden rrjedhës së sipërme, në brinjën e egër të malit, ku gjuha zend nuk është ndotur me greqishte dhe ku lebra është e pazakontë. E vërteta është se njeriu i hirtë e puthi baltën, ngjiti bregun pa mënjanuar (me siguri, pa ndier) tehet e gjetheve që i hapnin mishrat dhe u zvarrit, i marramendur dhe i gjakosur, deri tek lëmi qarkor që kurorëzohet nga një tigër apo kalë prej guri, i cili dikur pati ngjyrën e zjarrit, por tani atë të hirit. Ajo rrethore është një tempull që e patën përpirë flakët e moçme, që xhungla e veremosur e pat përdhosur dhe që zotit të të cilit nuk i ofrohen më nderet e njerëzve. I huaji u nder mbi piedestal. E zgjoi piku i diellit. Vuri re, pa habi, se plagët ishin mbyllur; i mbylli sytë e zbehur dhe e zuri gjumi, jo prej lodhjes së mishit por prej vendosmërisë së vullnetit. E dinte se ai tempull ishte vendi që kërkonte qëllimi i tij i patundshëm; e dinte se pemët e pambarimta (rrjedhës së poshtme) nuk kishin arritur t’iu zinin frymën rrënojave të një tempulli tjetër të bekuar, po ashtu me zota të përvëluar dhe të vdekur; e dinte se detyra e tij e ngutshme ishte gjumi. Afër mesnatës e zgjoi klithma e pikëlluar e një shpendi. Gjurma këmbësh të zbathura, disa fiq dhe një shtambë, i treguan se njerëzit e zonës e kishin përgjuar me respekt gjumin e tij dhe kërkonin zemërgjerësinë e tij apo frikësoheshin prej magjisë së tij. Ndjeu të ftohtin e frikës dhe kërkoi strehë tek një qivur i shembur e u mbulua me gjethe të panjohura.

Continue reading