Marin Sorescu: Pyetje

m-sorescu

Ç’është sot?
E hënë?
Po e hënë ishte
javën e kaluar.

E martë?
E martë vitin e kaluar ishte,
e martë që as topi se luan.

E mërkurë?
Me sa di një e mërkurë i binte,
shekulli i kaluar.

E enjte,
po Kartagjena
një të enjteje u plugua,
një të enjtjeje u dogj
Biblioteka e Aleksandrisë.
E pamundur qysh atëherë
të mos ketë kaluar asnjë ditë.

E premte? E shtunë?
Edhe tjetërherë kam dëgjuar
për këto ditë.
Mos më shuani me rrena!

Mos vallë e diel?
Koha para gjenezës
e mbaj mend mirë
e diel quhej.

O Zot, të gjitha ditët kanë qenë,
nuk ka mbetur asnjë ditë,
e re.

Advertisements

Dëshmitari i Jetës Sime: Letrat e Jean Paul-Sartre për Simone de Beauvoir

sartredebeauvoir

Si e marrosur pas letrave të dashurisë, sidomos atyre mes çifteve të mëdha intelektuale dhe krijuese në histori, siç ishin ato ndërmjet Frida Kahlo dhe Diego Rivera, Virginia Woolf dhe Vita Sackville-West, Georgia O’Keeffe dhe Alfred Stieglitz, Charles e Ray Eames dhe Henri Miller e Anaïs Nin, u bëra shend e verë kur hasa një perlë të filozofit, romancierit, aktivistit legjendar dhe ekzistencialistit francez Zhan Pol Sartrë (21 qershor 1905 – 15 prill 1980) dërguar shkrimtares së njohur, intelektuales dhe teoricienes franceze të feminizmit, Simonë dë Bovuar (9 janar 1908 – 14 prill 1986). Në këtë letër të bukur të pranverës së vitit 1929, gjetur në një përmbledhje po aq të bukur Dëshmitari i Jetës Sime: Letrat e Zhan Pol Sartrit për Simonë d ë Bovuar , 1926 – 1939 (Witness to My Life: The Letters of Jean-Paul Sartre to Simone De Beauvoir, 1926 – 1939) 24-vjeçari Zhan Pol i shkruan 21-vjeçares Simonë dë Bovuar, një mjeshtre e letrave të ndarjes, në agun e romancës së tyre, pak para se ai t’i propozonte për martesë, të cilën Simona nuk e pranoi; në vend të martesës, të dy ndoqën hullitë e një marrëdhënieje të hapur, e cila zgjati tërë jetën.

Continue reading

Paulo Freire: Pedagogjia e të shtypurve

Paulo Freire Pedagogy of the Oppressed

 

Paulo Freire është arsimtar dhe filozof edukimi brazilian i shekullit XX shumë pak i njohur në vendin tonë. I lindur në një familje të deklasuar të shtresës së mesme, përjetues dhe dëshmitar i varfërisë dhe margjinalizimit të të varfëve të panumërt të Brazilit, Freire ka hulumtuar teorikisht dhe eksperimentuar praktikisht në përvijimin e metodave kritike të arsimimit të të varfërve. I burgosur për idetë dhe veprimtarinë e tij emancipuese nga junta ushtarake braziliane më 1964, libri me të cilin bëri bujë, nga i cili është shkëputur pjesa e mëposhtme, ishte “Pedagogjia e të shtypurve” e botuar në fund të viteve 60’. Përmes konceptimit të arsimimit si proces bashkëmësimi midis pedagogut dhe studentit të ndërmjetësuar nga bota, pedagogjia kritike e Freire-s përbën një ngacmim të rëndësishëm teorik në kritikën e pedagogjisë autoritariste dhe tregtarizuese në Shqipëri.

***

Një analizë e kujdesshme e raportit pedagog-student në çdo nivel, brenda dhe jashtë shkollës, dëfton karakterin e saj themelisht tregimtar. Ky raport përfshin një subjekt tregimtar (pedagogun) dhe objekte të dëgjueshme dhe të duruara (studentët). Përmbajtjet, qofshin vlera ose dimensione empirike të realitetit, gjatë procesit të tregimit priren të bëhen të pajeta dhe të ngurta. Arsimimi po vuan nga sëmundja e tregimtarisë.

Continue reading

Pink Floyd: Sikur të ishe këtu


Pra, ti mendon se e dallon Parajsën nga Ferri,Dhe qiejt blu nga dhimbja?

A e di dallimin mes një shine çeliku dhe një fushe të blertë?

Po të një buzëqeshje nga një shtirje?

A mendon se mund t’a gjesh?

A nuk të shtynë ata që t’i shkëmbeje heronjtë me fantazma?

Hirin përvëlues me pemë? Ajrin e nxehtë me flladin?

Rehatinë e ftohtë me ndryshimin? Dhe a nuk e shkëmbeve

Një rol figuranti në luftë për t’u dukur i parë në kafaz?

Sa do doja, sa do doja të ishe këtu.

Ne ishim dy shpirtra të humbur që pluskonim në akuarium,

vit pas viti,

Që vraponim te i njëjti shesh i njohur – çfarë gjetëm?

Po ato frikëra të vjetra.

Sikur të ishe këtu!

Pink Floyd, “Wish you were here“.

Karl Marks & Fridrih Engels: Paga

Marx-Engels

Ç’është paga? Si përcaktohet ajo?

Po t’i pyesësh punëtorët : “Sa pagë merrni?”, njëri do të përgjigjet: “Unë marr nga borgjezi im 1 markë në ditë”, tjetri: “unë marr 2 marka” etj. Sipas degëve të ndryshme të punës ku ata punojnë, ata do të tregojnë një shumë të ndryshme parash që merr secili nga borgjezi i vet për kryerjen e një pune të caktuar, – për shembull, për endjen e një kuti pëlhurë ose për radhitjen e një flete shtypi. Megjithëse përgjigjet e tyre janë të ndryshme, ata të gjithë pajtohen në një pikë: paga është shuma e parave që kapitalisti paguan për një kohë pune të caktuar ose për kryerjen e një pune të caktuar.

Continue reading