Agim Deva: Prej llume në llumë

joonas-sild-hS9TjplCx10-unsplash

Prej muzgu në muzg
Po na ngushtohen rrugët
E po zgjerohen – humnerat

Prej fjale në fjalë
Po na zgjaten dimrat
Po na shkurtohen – verat

Prej nate në natë
Po na shumohen hajnat
Po na mungojnë yjet

Prej vjeshte në vjeshtë
Shpeshtohen druvarët
Po na prehen – pyjet

Prej gryke në grykë
Po ngushtohet lumi
Po zgjerohet këneta

Prej ngjyre në ngjyrë
Po mufaten shpresat
E mashtrohet – jeta

Prej flake në flakë
Po i teprojmë vetes
Por i mungojmë – ditës

Prej llume në llumë
N` çdo ag më të heshtur
Por – më kryengritës

Prej kënge në këngë
Rrokullisen gurët
E gurëgëdhendësit vdesin

Por njerëzit e vegjël
Rriten prap si muret
E në kështjella mbesin!